Ushtria ukrainase ka goditur një uzinë të madhe kimike në rajonin Stavropol të Rusisë jugore të enjten në mbrëmje, duke shkaktuar zjarr. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase deklaroi se uzina Nevinnomyssky Azot prodhonte përbërës shpërthyes dhe e përshkroi atë si një nga impiantet më të mëdha të tilla në Rusi.
Po ashtu, raportohet se u goditën porti detar Temryuk në Krai Krasnodar dhe rafineria e naftës Syzran në rajonin e Samarës ndërsa një dron shkatërroi gjithashtu një vend lëshimi të mjeteve ajrore pa pilot. Në frontin verior, shton Ukrinform, u goditën pajisje të kamufluara, automjete dhe një mitraloz DShK të kalibrit të madh.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka folur për bisedimet që po zhvillohen për paqen. Në një postim në rrjete sociale, ai ka shkruar se negociatorët ukrainas do të vazhdojnë takimet me përfaqësuesit e SHBA, por theksoi se bisedimet të fokusohen në arritjen e një paqeje të drejtë.
"Përfaqësuesit ukrainas do të vazhdojnë bisedimet e tyre në Shtetet e Bashkuara me ekipin e Presidentit Trump. Detyra jonë tani është të marrim informacion të plotë mbi atë që u tha në Rusi dhe mbi pretekste të tjera të sajuara nga Putini për të zgjatur luftën dhe për të ushtruar presion mbi Ukrainën, mbi ne, mbi pavarësinë tonë. Ukraina është e përgatitur për çdo zhvillim të mundshëm dhe ne, sigurisht, do të punojmë sa më konstruktivisht të jetë e mundur me të gjithë partnerët tanë për të siguruar që paqja të arrihet. Dhe le të jetë, në fund të fundit, një paqe dinjitoze. Vetëm një paqe dinjitoze siguron siguri të vërtetë dhe ne e kuptojmë plotësisht se kjo kërkon - dhe do të vazhdojë të kërkojë - mbështetjen e partnerëve tanë.", tha Zelensky.
Lajm ne perditesim...
Moska po pret një përgjigje nga Uashingtoni pas bisedimeve midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe të dërguarve të SHBA-së në fillim të kësaj jave në kryeqytetin rus.
"Tani po presim reagimin e kolegëve tanë amerikanë ndaj bisedimeve që patëm të martën", u citua të thoshte këshilltari i Kremlinit Yuri Ushakov nga agjencia ruse e lajmeve RIA.
Ushakov shtoi se nuk është planifikuar asnjë bisedë telefonike midis Putinit dhe Donald Trump dhe se nuk është caktuar asnjë datë për një takim të ri me të dërguarin e SHBA-së Steve Witkoff.
Komente









