Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar pesë leje të reja ndërtimi për hidrocentrale si dhe ka rishikuar një tjetër ekzistuese. Në mbledhjen e fundit të mbajtur pak ditë më parë është miratuar leja e ndërtimit për HEC Dritën në Lumin e Gashit, Bashkinë e Tropojës, qarku Kukës me subjekt shoqërinë “Breçani – R.O.S.P” sh.p.k.

Një tjetër leje është dhënë për hidrocentralet “Shutri 1” dhe “Shutri 2”, në pellgun ujëmbledhës të lumit të Shutrisë si dhe burimet ujore të Shutrejës deri në derdhje në lumin e Urakës, Bashkia Mat”, me subjekt zhvillues shoqërinë koncesionare “ATEANI” sh.p.k. Leje ndërtimi kanë marrë edhe HEC Veleshica 1 dhe Veleshica 2, në lumin e Veleshicës, degë e lumit Drini i Zi, Bashkia Dibër dhe Bashkia Kukës, Qarku Dibër dhe Qarku Kukës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Kalisi Hydropower” sh.p.k.

Një tjetër leje është dhënë për ndërtimin e hidrocentraleve Ligjanca 1 dhe 2, me vendndodhje në lumin e Ligjancës dhe përroit të Pishkashit, Bashkia Prrenjas”, me subjekt zhvillues shoqërinë koncesionare “Rei Energji” sh.p.k. E fundit është ajo për hidrocentralin “Kuç” në rrjedhën e sipërme të pellgut ujëmbledhës të Lumit të Shushicës, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Age Kuç” sh.p.k.

KKT ka miratuar edhe rishikimin e një leje ekzistuese dhe shtyrjen e afateve për HEC-et DARSI 1 dhe DARSI 2, në përroin e Darsit, Bashkia Klos.