Vendi ku biznesmeni italian Francesco Becchetti kishte nisur të ndërtonte një HEC tashmë është pastruar nga hekurishtet dhe mjetet që dergjeshin buzë lumit Vjosa prej 15 vitesh.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka publikuar pamjet e ndërhyrjes që bëri Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
“Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara vazhdon punën për lirimin e hapësirave publike të zëna prej vitesh nga grumbullimi i pasurive që administron. Së fundi është liruar një tjetër hapësirë pranë lumit Vjosa, e cila prej 15 vitesh ishte e zënë nga pasuri të luajtshme të sekuestruara. Përmes ndërhyrjes së #AAPSK , kjo zonë tashmë rikthehet në funksion të mjedisit dhe komunitetit, duke mos rrezikuar më ndotje. Ky është një tjetër hap drejt administrimit më efikas dhe transparent të pasurive”, shkruan Lamallari krahas videos së postuar në rrjetet sociale.
Kujtojmë që biznesmeni italian u dënua përfundimisht nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë me 12 vite burg në shtator 2025.
Ai është shpallur fajtor për krijimin e një skeme mashtrimi me TVSH dhe pastrim parash. Becchetti u akuzua për 4 vepra penale; “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Komente










