Barazia gjinore dhe fuqizimi i gruas janë çështje që po fitojnë gjithmonë e më shumë terren në të gjithë botën. Më shumë se ngaherë gjejmë gra Kryetare Shteti dhe Kryeministre, të shoqëruara me një proporcion gjithnjë e më në rritje të grave në pozicione ministrore. Gratë gëzojnë një influencë gjithnjë e më të madhe në botën e biznesit. Më shumë vajza po ndjekin shkollën dhe po rriten më të shëndetshme dhe më të ndërgjegjshme për potencialin e tyre.
Pavarësisht këtij momenti, do të duhet shumë kohë përpara se gratë dhe vajzat të mund të gëzojnë tërësisht të drejta themelore, liri dhe dinjitet, si të drejta që u përkasin që në lindje dhe që do t’u garantojnë mirëqenie. Në zonat rurale në veçanti, shënohen pabarazitë dhe pengesat më të mëdha për gratë dhe vajzat. Gratë dhe vajzat rurale – atyre të cilave u kushtohet sivjet Dita Ndërkombëtare e Grave – përbëjnë çerekun e popullsisë së globit, e megjithatë zakonisht renditen në fund të çdo treguesi ekonomik, social dhe kulturor, që nga të ardhurat dhe arsimi tek shëndetësia e pjesëmarrja në vendim-marrje.
Duke numëruar pothuajse gjysëm miliardë fermere të vogla dhe punonjëse pa pronësi toke, gratë rurale janë pjesa më e madhe e forcës së punës në bujqësi. Ato kryejnë pa pagesë një pjesë të mirë të punës mirëmbajtëse në zonat rurale. Dhe për më tepër. vazhdojnë të pengohen në plotësimin e potencialit të tyre. Nëse gratë rurale do të kishin akses të barabartë ndaj burimeve të prodhimit, të ardhurat bujqësore do të rriteshin me 4 përqind, duke shtuar sigurinë ushqimore dhe duke forcuar procesin e të ushqyerit. E gjitha kjo do të çlironte rreth 150 milionë njerëz nga vërfëria. Gjithashtu, nëse do t’u jepej mundësia, gratë rurale do të mund të ndihmonin në uljen e përmasave të tragjedisë së fshehur të rritjes së pazhvilluar për shkak të kequshqyerjes (growth stunting), e cila prek pothuajse 200 milionë fëmijë në të gjithë botën.
Ligjet dhe praktikat diskriminuese ndikojnë jo vetëm mbi gratë, por edhe mbi komunitete dhe vende të tëra. Vendet ku gratë nuk gëzojnë të drejtën e pronësisë mbi tokën ose aksesin ndaj kredisë, shënojnë një numër më të madh fëmijësh të kequshqyer. Është i pakuptimtë fakti që gratë fermere marrin vetëm 5 përqind të shërbimeve shtesë së bujqësisë. Investimi në gratë rurale është një investim i zgjuar që ndikon direkt mbi zhvillimin e një kombi.
Zotimi ndaj progresit të grave dhe vajzave rurale nëpër botë është një zotim ndaj grave dhe vajzave në të gjitha nivelet e shoqërisë – që nga depërtimi i dhunës në familje e punë dhe konfliktet e vazhdueshme, deri tek prioritizimi i arsimimit të fëmijëve djem,
përkundrejt shqetësimit që qindra mijëra gra vdesin çdo vit në lindje për shkak të mungesës së kujdesit bazë obstetrik. Edhe në vendet me statistikat më të mira ekzistojnë akoma pabarazi në pagesën midis burrave dhe grave për të njëjtën punë, dhe vërehet nën-përfaqësim i vazhdueshëm i grave në politikë dhe vendim-marrje.
Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, nxis Qeveritë, shoqërinë civile dhe sektorin privat të angazhohen për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave – si një e drejtë themelore e njeriut dhe si një forcë për të mirën e të gjithëve. Energjia, talenti dhe forca e grave dhe vajzave përfaqëson burimin natyror më të çmuar dhe më të pashfrytëzuar të natyrës njerëzore.

*Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara