E gjitha nisi mëngjesin e sotëm kur kompania çeke CEZ-Shpërndarje ndërmori aksionin,e paralajmëruar dy ditë më parë për ndërprerjen e energjisë elektrike në stacionet e pompimit të ujrave të bardha në qytete si Durrësi, Elbasani, Laçi, Saranda, Vlora, Lezha, Kukësi dhe Fieri. Fillimisht ishin zyrtarët lokalë dhe drejtorët e Drejtorive të Ujësjellësave të qyteteve që e quajtën veprimin "të padrejtë dhe arbitrar'. Madje ata deklaroni se kishin paguar pjesën më të madhe të borxhit që i kishin CEZ dhe po vazhdonin të paguanin pjesën tjetër. Më pas reagoi dhe qeveria. Në mbështetje të tyre u vendos dhe ministri i Brendshëm i cili urdhëroi policinë të ndalonin çdo person që ndërpriste energjinë. Për Tv A1 Report ministri i Brendshëm Flamur Noka tha se : "Do ndalojmë çdo zyrtar i CEZ që bën vetëgjyqësinë dhe e quajti veprimin akt kriminal që cënon sigurinë kombëtare. Në Sarandë policia ndërhyri duke mos lejuar stakimin e energjisë tek pompa e furnizimit me ujë të pijshëm tek burimet e Vrionit, poru ndërpre energjia në sistemin e pompimit të ujrave të zeza. Edhe në Fier policia ndërhyri duke mos lejuar stakimin e dritave, madje duke bërë shoqërimin e disa punonjësve të CEZ, që tentuan të stakonin energjinë.
Në mesditë CEZ deklaroi se ishte gati të rilidhte energjinë nëse do të arrihej një marrëveshje me qeverinë e cila konsistonte në kompensimion e borxheve të cilat ujësjellësat i kishin CEZ-it me detyrimet që kjo kompani i kishte KESH-it. Më pas erdhi dhe reagimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës sipas së cilës: "Borxhi që ka CEZ ndaj KESH është 14 miliardë lekë, ndërsa ai i ujësjellësave ndaj CEZ është 1 miliarë lekë." Rreth orës 14:00 me ndërhyrjen e policisë energjia u rilidh në të gjitha stacionet të pompimit. Ndërkohë që bordi drejtues i ERE u mblodh për të vendosur procedurat për heqjen e licences ndaj CEZ. Në reagimin e saj kompania CEZ nënvizonte se është e legjitimuar të kërkonte pagimin e detyrimeve të energjisë elektrike dhe se borxhi që të gjithë institucionet shtetërore dhe entet e tjera publike ndaj CEZ-Shpërndarje i tejkalonin vlerën e 23 miliardë Lek (165 milion Euro). Më pas CEZ i dërgon letër Kryeprokurores Ina Rama, ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nëpërmjet të cilës kërkonte informacion mbi shoqërimet, ndalimet dhe pyetjen e punonjësve të CEZ, për shkak të aksionit të sotëm të ndërprerjes së energjisë elektrike në shoqëritë e ujësjellësave. Kompania denoncon dhe ndërhyrjet e policisë në disa qytete. Ndërsa KESH bën me faj CEZ për detyrim të papërmbushur ligjor.
JA ÇFARE NDODHI ORE PAS ORE
KESH: CEZ KA KRIJUAR PROBLEMATIKA NE TREG
Ora 21:00 Nisur nga situata aktuale në sektorin e energjisë elektrike në vendin tonë, përmes një deklarate për mediat KESH sqaron se është CEZ ai që ka krijuar problematikë në funksionimin e koorporatës elektroenergjetike Shqiptare dhe shkaku kryesor i kësaj problematike ka qenë detyrimi i pamërmbushur ligjor i CEZ. Lexoni këtu
Ora 21:00 Nisur nga situata aktuale në sektorin e energjisë elektrike në vendin tonë, përmes një deklarate për mediat KESH sqaron se është CEZ ai që ka krijuar problematikë në funksionimin e koorporatës elektroenergjetike Shqiptare dhe shkaku kryesor i kësaj problematike ka qenë detyrimi i pamërmbushur ligjor i CEZ. Lexoni këtu
CEZ: TE MOS CENOHET E DREJTA LIGJORE E KOMPANISE
Ora 20:30 Përmes një njoftimi për mediat CEZ Shpërndarje bën thirrje që të mos cënohet në asnjë mënyrë e drejta ligjore e kompanisë për të ndërprerë energjinë për të gjithë klientët debitorë, në përputhje me ligjin dhe kontratën e furnizimit me energji elektrike.
“CEZ Shpërndarje kërkon të bëjë të ditur se pas ndërhyrjes së paligjshme fizike të policisë ne ambientet e kompanisë në Patos, Ura Vajgurore dhe Fushëkuqe, Durres, nuk është lejuar ndërprerja e energjisë për kompanitë e ujësjellësit debitorë ndaj CEZ Shpërndarje në këto qytete. Gjithashtu, në komunën Frakull, Fier ështe rilidhur energjia në mënyrë të paligjshme nëpërmjet ndërhyrjes të dhunshme nga ana e disa qytetarëve të udhëhequr nga kryetari i kësaj komune në nënstacionin e kompanisë. CEZ Shpërndarje është duke ndërmarre të gjitha masat e nevojshme ligjore kundër akteve të tilla të paligjshme.CEZ Shpërndarje nuk do të tolerojë asnjë situatë ku debitorët mund të përdorin energji elektrike pa e paguar atë, duke dëmtuar interesat CEZ Shpërndarje, në cilësinë e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe të klientëve që e paguajnë energjinë”, thuhet në njoftimin e CEZ. Reagojnë dhe partitë politike. PS e FRD bëjnë me faj edhe qeverinë.
Ora 18:10 Kompania çeke CEZ Shpërndarje i dërgon letër Kryeprokurores Ina Rama, ministrit të Brendshëm Flamur Noka dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, nëpërmjet të cilës kërkon informacion mbi shoqërimet, ndalimet dhe pyetjen e punonjësve të CEZ, për shkak të aksionit të sotëm të ndërprerjes së energjisë elektrike në shoqëritë e ujësjellësave.
Në letër CEZ thekson se punonjësit e saj janë ndaluar në mënyrë arbitare nga strukturat e policisë, në kundërshtim me ligjin dhe janë kërcënuar që të lidhin energjinë elektrike në ujësjellësat. Letrën e lexoni këtu
REAGON CEZ: UJESJELLESIT JANE DEBITORE, ZBATUAM LIGJIN
Ora 17:25 Shoqëria çeke energjetike që operon në Shqipëri CEZ-Shpërndarje është e legjitimuar të kërkojë pagimin e detyrimeve të energjisë elektrike, duke përfshirë edhe kamatëvonesat përkatëse, – ky është reagimi i fundit që vjen nga kompania CEZ. “Shoqëria nuk do të tolerojë asnjë situatë ku debitorët mund të përdorin energji elektrike pa e paguar atë, duke dëmtuar interesat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe të klientëve që e paguajnë energjinë. Ne mbështesim me të gjitha mjetet ligjore punonjësit tanë dhe i bëjmë thirrje të gjithë publikut të mos i pengojë ata në detyrën e tyre ligjore.”, thuhet në njoftimin zyrtar të CEZ. Kompania CEZ sqaron se borxhi që kanë të gjithë institucionet shtetërore dhe ente të tjera publike ndaj CEZ-Shpërndarje tejkalon vlerën e 23 miliardë Lek (165 milion Euro). CEZ fton të gjithë autoritetet dhe institucionet publike, përfshirë ERE, qeverinë dhe Policinë e Shtetit, të mbështesin veprimet e shoqërisë në shkëputjen e debitorëve, të cilët me mospagesën e përsëritur të faturave të energjisë elektrike "kanë kontribuar në përkeqësimin e gjendjes financiare të shoqërisë me pasoja të pallogaritshme për konsumatorët e ndershëm që paguajnë rregullisht faturat e tyre të energjisë."
AVOKATI I POPULLIT: FURNIZIMI ME UJE E DREJTE UNIVERSALE
Ora 16: 47 Përmes një deklaratë për mediat, Avokati i Popullit u rikujton të gjitha palëve se e drejta për ujë është një vazhdim i të drejtës të jetës të afirmuar nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. "Qytetari shqiptar nuk mund të jetë përgjegjës dhe aq më tepër të pësojë penalitete për marrëveshje, apo kontrata të cilat zbatohen, apo nuk zbatohen dhe për të cilat qytetari nuk është palë dhe nuk ka firmosur. Në çdo rast palët kontraktore duhet të negociojnë dhe të zgjidhin çdo mosmarrëveshje bazuar në mirëkuptim dhe në bazë të parashikimeve kontraktore dhe legjislative në fuqi midis tyre duke mospërfshirë, apo penalizuar qytetarët”, deklaroi në konferencën për media zëdhënësja e Avokatit të Popullit, Elona Demollari. Lexoni ketu
FIER, BANORET BLLOKOJNE CEZ, MBROJNE NENSTACIONIN
Ora 16:10 Banorët e komunës Frakull në rrethin e Fierit nuk kanë lejuar punonjësit e CEZ-Shpërndarja të futen në nënstacionin elektrik të CEZ-it për ndërprerjen e energjisë elektrike. Punonjësit e CEZ më parë kishin stakuar energjinë elektrike në ujsjëllësin e Torosit dukë lënë pa ujë të pijshëm banorët e komunave Nderemanaz Topojë dhe Levan.
Tentativa e punonjëve të CEZ për të bërë të njëtën gjë edhe në ujësjellësin e Frakullit ka hasur në kundërshtinë e banorëve të zonës, të cilët kanë nxjerrë punonjësit e CEZ nga nënstacioni, ndërsa kanë aktivizuar vetë automatin për rikthimine e energjise elektrike.
ERE FILLON PROCEDURAT PER HEQJEN E LICENCES, CEZ 30 DITE AFAT PER ANKIMIM
Ora 16:05 Ka përfunduar rreth orës 16:00 të pasdites së sotme, mbledhja e Bordit Drejtues të Entit Rregullator të Energjisë e cila zgjati thuajse 1 orë. Bordi Drejtues i ERE u mblodh sot për të shqyrtuar heqjen e licencës të kompanisë çeke energjetike që operon në Shqipëri CEZ-Shpërndaje, pas ndërprerjes të furnizimit me energji që kjo e fundit bëri ndaj ujësjellësave në disa qytete të vendit. Propozimi për fillimin e procedurës së heqjes së licencës u pranua nga 4 anëtarë të bordit ndërsa Ardian Haçi u shpreh kundër, duke arysetuar mbi koston që do i sjellë ky venprim Shqipërisë.
ERE, MBLEDHJA EMERGJENTE, PROPOZOHET HEQJA E LICENCES SE CEZ
Ora 15:30 Enti Rregullator i Energjisë po zhvillon një mbledhje emergjente me Bordin Drejtues të saj në prani të mediave për të shqyrtuar heqjen e licencës kompanisë çeke energjetike që operon në Shqipëri, CEZ- Shpërndarje. Propozimi i ardhur në këtë mbledhje pas analizimit dhe monitorimit të të dhënave të CEZ ishte fillimi i procedurës për heqjen e licencës të kompanisë CEZ. Sipas anëtarëve të bordit drejtues të ERE, CEZ ka shkelur kushtet e licenscs jo vetëm duke mos paguar borxhin ndaj KESH-it, por edhe duke vijuar me shkelje të vazhdueshme ndaj konsumatorit. “Nga monitorimi i të dhënave të CEZ dhe KESH, ERE konstaton se edhe pas vendimit të bordit më 11.9 2012, kjo kompani vazhdon me shkelje të rënda të kushteve të licencës. Kjo sjellje ndaj pjesëtarëve të tregut ka venë në vështirësi financiare kompanitë e tjera të licencuara”, -u shpreh Eduar Elezi, drejtor juridik i ERE. Sipas drejtorit juridik të ERE-s, CEZ nuk ka përmirësuar performancës e saj edhe pas vendosjes së gjobës ndaj saj, prandaj e vetmja zgjidhje sipas tij, mbetet procedimi për heqjen e licencës. Eduar Elezi i propozoi brodit të Komisionerëve fillimin e procedurës për heqjen e licencës, të njoftohet CEZ për këtë vendim dhe propozimi i tretë: CEZ ka të drejtë të kthejë përgjigje me shkrim brenda 30 ditësh nga marrja e njoftimit.
MINISTRIA E FINANCAVE: DETYRIMET E CEZ NDAJ SHTETIT SHUME TE LARTA
Ora 15:10 Zëvendësministri i Financave Alfred Rrushaj tha se nuk ishte qeveria ajo që nuk respektoi marrëveshjen por vetë CEZ. "Përpara jush është një marrëveshje që është miratuar në shkurt nga Qeveria shqiptare, marrëveshje e lidhur ndërmjet Qeverisë dhe CEZ-it, kur kjo e fundit kishte mundësinë, të shlyente detyrimet me borxhet që ka ndaj kompanisë KESH. Ishte pikërisht CEZ-i që refuzoi ta zbatonte këtë marrëveshje." Sipas tij detyrimet e CEZ ndaj shtetit janë dhjetra herë më të larta, sesa qeveria CEZ.
"CEZ ka rreth 20 miliardë lekë detyrime ndaj kompanive që furnizojnë me energji elektrike. Ajo që çfarë kompanitë publike shqiptare kanë në CEZ është dhjetëra herë më e lartë se sa debia që pretendon CEZ ndaj ujësjellësave. CEZ-i pretendon detyrimet e kamatëvonesave për fatura të paguara më vonë që i takojnë vitit 2007, 2008 apo 2009. Ka marrë principalin përpara shumë kohëve dhe tani kërkon kamatëvonesat. E para ligji është i qartë që nuk mund t'i ndërpritet energjia dikujt për kamatëvonesat. Kamatëvonesa është një kusht penal, është një kusht civil që zgjidhet në Gjykatë ndërmjet palëve", tha Rrushaj
MBLIDHET ENTI RREGULLATOR
Në 15:00 Enti Rregullator i Energjisë mbledh urgjentisht bordin drejtues për të shqyrtuar heqjen e licensës së kompanisë çeke energjetike, CEZ Shpërndarje.
CEZ REAGON PER NDERPRERJEN E DRITAVE
Ora 14:50 CEZ: Në lidhje me pretendimet e ngritura nga disa prej drejtuesve të kompanive të ujësjellësit, se nuk janë njoftuar zyrtarisht nga CEZ Shpërndarje në lidhje me debinë dhe ndërprerjen e furnizimit me energji për shkak të kësaj debie, operatori i shpërndarjes së energjisë sqaron se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me këto kompani, përfshi këtu njoftime të përmuajshme për debitë e tyre përkatëse. Tek njoftimi zyrtar përfundimtar për shlyerjen e detyrimeve do të gjeni njoftimet që i janë dërguar secilës kompani të ujësjellësit, ku njoftohet vlera e debisë dhe data e ndërprerjes se furnizimit me energji. Njoftimi i fundit që i është dërguar secilës kompania i përket datës 13 nëntor 2012.
CEZ Shpërndarje, si kompani private, varet nga mbledhja e detyrimeve mujore për energjinë e konsumuar nga të gjithë klientët e saj dhe se mospagesa e borxheve po i shkakton një dëm financiar serioz kompanisë dhe nuk mund të tolerohet më.
Ekipet tona do të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për të kryer rilidhjen e menjëhershme të ujësjellësave në momentin e kryerjes së pagesave apo arritjes së një marrëveshjeje.
POLICIA RILIDH ENERGJINE E UJESJELLESAVE
Ora 14:45 Në orën 14: 40 është njoftuar dhe rikthimi i energjisë në stacionet e pompimit që furnizojnë me energji Fierin, Lezhën, Sarandën. Rilidhja është bërë me forcë nga policia.
RILIDHET ENERGJIA NE STACIONIN E FUSHE-KUQES
Ora 14:35 Në orën 14: 30 minuta informohet se në stacionin e pompimit të Fushë Kuqes është rikthyer energjia.
Drejtori i ujësjellësit të Durrësit ka thënë për Tv A1 Report se “Gjatë stakimeve që ka bërë CEZ janë 3 djegur 3 pompa me vlerë 3 milionë euro”. Ai shtoi se për këtë do i bëhet padi penale CEZ për dëmin e madh që i është shkaktuar.
SITUATA NEPER QYTETET E VENDIT
Ora 14:20 Policia e rrethit të Fierit ka shoqëruar në ambientet e komisariatit nr.6 punonjës të CEZ Shpërndarje.
Qarku i Vlorës gjithashu është përballur me mungesën e ujit të pijshëm si pasojë e ndërprejes energjisë elektrike nëpër ujësjellësa. Fillimisht energjia elektrike është ndërprerë në ujësjellësin e Sarandës, ndërsa është dashur ndërhyrja e forcave të policisë të cilët kanë bërë të mundur rikthimin e energjisë në qytet.
Ujësjellësi i Barbulloit i cili furnizon me ujë qytetin e Lezhës dhe Shëngjinin ka pasur avari sa i përket ndërprerjes së energjisë elektrike, ndërsa është dashur ndërhyrja e drejtuesve lokale për rikthimin e saj.
Ndërkaq bëhet e ditur se nga ana e policisë së Lezhës janë ndaluar pesë punonjës të CEZ Shpërndarje, të cilët ndërprenë energjine elektrike në nënstacionin e Barbulloit.
Probleme gjithashtu ka pasur edhe në qytetet e Lacit, Krumës, Skraparit, Durrësit, Elbasanit e Berati sa i përket mungesës së energjisë nëpër stacionet e pompimit, por kanë qenë negociatat e drejtueve lokale me përfaqësuesit e CEZ Shpërndarje që bënë të mundur rikthimin e energjisë.
ERE, MBLEDHJE URGJENTE PER LICENCEN E CEZ
Ora 14:10 Enti Rregullator i Energjisë informon se në orën 15:00 Bordi Drejtues i saj do të zhvillojë një mbledhje urgjente për të shqyrtuar heqjen e licencës së kompanisë çeke energjetike, CEZ-Shpërndarje.
FRD: VEPRIMI I CEZ NGA DESHTIMI I QEVERISE
Ora 14:00 Fryma e RE Demokratike ka mbajtur sot një qëndrim kritik ndaj mënyrës se si po zhvillohen ngjarjet në vend në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm.
Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Stavri Ristani, drejtues i departamentit të infrastrukturës dhe ish-zv/ministër i punëve publike u shpreh se "Pavarësisht veprimit të paralajmëruar nga kompania CEZ, ndërprerja e energjisë dhe, për pasojë edhe e ujit të pijshëm, është një dëshmi e qartë e dështimit të qeverisë në reformat në sektorin energjetik dhe të ujit të pijshëm”.
“Kjo është gjithashtu një dëshmi e qartë e dështimit të qeverisë në menaxhimin e të gjithë investimeve që janë kryer dhe po kryhen në sektorin e ujit të pijshëm, qofshin këto të financuara me fonde të buxhetit apo nga donatorë të huaj. Qeveria shqiptare, e zhytur totalisht në korrupsion dhe paaftësi, po i lë qytetarët shqiptarë pa energji dhe ujë të pijshëm, duke iu mohuar atyre këto të drejta dhe nevoja bazike për jetën. I bëjmë thirrje qeverisë, të marrë në kontroll menaxhimin e situatës, duke marrë të gjithë masat dhe përgjegjësitë e saj, për të siguruar furnizimin e pandërprerë me ujë dhe energji të qytetarëve shqiptarë, në mënyrë që situata të mos përkeqësohet, duke evituar panikun publik që shoqëron situata të tilla”, u shpreh Ristani.
METE: BORXHI I CEZ ME I MADH SE I UJESJELLESAVE, VEPRIMET CENOJNE SIGURINE KOMBETARE
ORA 13:45 Sokol Dervishaj zv.ministri i Ekonomisë, në një konferencë për mediat reagoi në lidhje me situatën e krijuar në vend mes CEZ dhe ujësjellësave.
Në emër të qeverisë, Dervishaj tha se veprime të tilla nga ana e kompanisë energjetike CEZ-Shpërndarje kundër ujësjellësave duke lënë pa ujë qytetarët, "cënojnë sigurinë publike dhe janë të paprecedent".
“Kemi të bëjmë me një penalizim kombëtar që CEZ-i po ushtron nëpërmjet penalizimit të qytetarëve duke ndërprerë energjinë për ujësjellësat. Kërkojmë nga CEZ të relfketojë dhe të tërhiqëet nga ky veprim i paprecedent, pasi CEZ dhe qeveria shqiptare janë në proces negocimi për të zgjidhur problemet e mbartura, por edhe të agravuara për shkak të mos përmbushjes së detyrimeve.” tha Dervishaj. Zyrtari i METE tha se borxhi i CEZ ndaj KESH është shumë i madh se ai që ujësjellësat i kanë CEZ. “Ka detyrime të ndërsjellta të papaguara, por janë detyrime reciproke, ashtu siç ka edhe detyrime të mëdha të CEZ-it ndaj kompanive. Borxhi i ujësjellësave është rreth 1 miliard lekë, ndërsa CEZ ka borxh 14 miliard lekë.”Per me teper lexoni ketu
PS: QEVERIA BASHKEAUTORE E CEZ
Ora 13: 50 Partia Socialiste akuzoi qeverinë si bashkëautore e CEZ për ndërprerjen e energjise duke shtuar se edhe pse Qeveria u mori grantet pushtetit vendor për llogari të ujësjellësave sërish situata nuk u normalizua.
"CEZ dhe qeveria kanë vendosur t'i lënë shqiptarët edhe pa ujë përveçse pa drita 24 ore..... Jo më larg se një muaj më parë, Saliu mori nga arkat e bashkive plot 1,2 miliard lek, gjoja për të paguar borxhin e ujesjellesave ndaj CEZ.... Sot, një muaj me pas, pyetja eshte: Ku shkuan keto para..." tha deputeti i PS-së Arben Ahmetaj duke shtuar se "Cuarja e policisë për të rivenë në punë me dhunë ujësjellësat është një teatër banal. " Per me teper lexoni ketu
NOKA: KUSH KA NDERPRERE ENERGJINE DO TE PERBALLET ME LIGJIN
Ora 13:43 Ministri i Brendshëm Flamur Noka urdhëron policinë të ndalojë çdo person që do të ndërpresë energjinë elektrike në stacionet e pompimeve. Madje ministri deklaron se borxhi që CEZ i ka KESH është më i madh se ai që ujësjellësat kanë ndaj CEZ.
“Ndërprerja e energjisë është akt kriminal që cënon sigurinë kombëtare. Kush ka ndërprerë energjinë ujësjellësave do të përballen me ligjin. Borxhi i CEZ ndaj KESH më i madh se ai i ujësjellësave ndaj CEZ"- ka thënë Noka, informon Tv A1 Report.
CEZ: I FALIM BORXHIN UJESJELLESAVE NESE S'PAGUAJME ATE TE KESH-it
Oar 13:23 Burime zyrtare nga zyra e shtypit e kompanisë CEZ-Shpërndarje deklaruan për TV A1 Report se nuk kanë ndërmend të rilidhin energjinë për ujësjellësit debitorë deri sa të shlyejnë detyrimet që kanë. Po kështu, si kusht alternativ është arritja e një marrëveshjeje me qeverinë, që borxhet të cilat ujësjellësit i kanë CEZ-it të kompensohen me detyrimet që kjo kompani i ka KESH-it.
DREJTORESHA E UJESJELLESIT, GJIKA: VLORA 2 ORE PA UJE
Ora 13:20 Në Vlorë dhe në rrethina prej 2 orësh nuk ka furnizim me ujë të pijshëm pas ndërprerjes së energjisë në stacionin e pompimit. Drejtoresha e ujësjellësit Varvada Gjika tha për A1Report se pret ndërhyrjen e instancave qeveritare për rikthimin e energjisë elektrike në ujësjellës.
Ajo thotë se 86 milionë lekë i janë shlyer CEZ nga granti i bashkisë dhe ngelen vetëm 10 milionë lekë. Gjika shton se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar për ndërprerjen e sotme të energjisë. “44 mijë abonentë penalizohen nga mos furnizimi me ujë, përfshi edhe spitalin. I jam drejtuar prokurorisë, bashkisë për këtë veprim arbitrar ndaj CEZ” - tha Varvarda Gjika, drejtoreshë e ujësjellësit.
Ajo konfirmoi mbështetjen që kishte marrë nga policia. “Po japin mbështetje totale që të vendoset normalizimi i furnizimit me energji. Kam bërë kallzim në polici ndaj CEZ, por se çfarë ka bërë policia se them dot”- tha Gjika.
NOKA THERRET INA RAMEN DHE TOTOZANIN NE TAKIM
Ora 13:18 Avokati i Popullit dhe kryeprokurorja Ina Rama janë thirrur në Ministrinë e Brendshme për të diskutuar në lidhje me situatën në një mbledhje urgjente. Takimi zgjati rreth 20 minuta. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se ka qenë vetë ministri Noka ai i cili ka thirrur takimin .
POLICIA NUK LEJON NDERPREJEN E ENERGJISE NE FIER
Ora 12:40 Në Fier sot në mëngjes punonjesit e CEZ-Shpërndarje ndërprenë energjinë elektrike në ujësjellësin e Torosit në rrethin e Fierit. Ky ujësjellës furnizon me ujë komunat Ndërmenaz, Topojë dhe Levan. Punonjësit e CEZ-Shpërndarja gjithashtu janë drejtuar drejt komunës Frakull për të stakuar energjinë tek stacioni i pompimit, i cili furnizon me ujë qytetin e Fierit, por nuk janë lejuar nga drejtuesit e ujësjellësit. Korrespondenti i Tv A1 Report, Kristaq Thano informon se “ka pasur madje konfrontim mes punonjësve të CEZ dhe të ujësjellësit dhe policia ka ndërhyrë për të normalizuar situatën."
LAÇ DHE HAS NDERPRITET ENERGJIA NE UJESJELLES
Ora 12:30 Energjia elektrike është ndërprerë në ujësjellësin e Laçit, duke lënë pa ujë këtë qytet dhe rrethinat e tij.
Drejtori i ujësjellësit Laç, Kastriot Marku shprehet se përveç ujësjellësit të Laçit është tentuar të ndërpritet energjia edhe në ujësjellësin që furnizon Milotin dhe Fushë-Milotin me ujë por një gjë e tillë nuk është lejuar nga banorët.
Rreth 10 mijë banorë të Krumës vuajnë mungesën e ujit të pijshëm pasi CEZ Shpërndarje ka ndërprerë energjinë elektrike në ujësjellësin e këtij qyteti. Energjia elektrike është ndërprerë që në orën 7 të mëngjesit, ndërsa banorët po detyrohen të blejnë ujin e pijshëm.
CIPA: POLICIA RILIDHI ENERGJINE PER UJIN E PIJSHEM, UJERAT E ZEZA PO DERDHEN NE DET
Ora 12:23 Në një prononcim për tv A1 Report kryetari i bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa tha se policia ka ndërhyrë dhe ka lidhur në mënyrë të sforcuar energjinë elektrike tek stacioni i furnizimit me ujë tek burimet e Vrionit, por pa energji është stacioni i ujërave të zeza, çka bën që ujrat e zeza të derdhen në det.
“Në Sarandë ka pasur sherret e para që në muajin gusht dhe unë kam ndërhyrë disa herë tek kryeminstri. Sot atë që paralajmëroi CEZ dhe e publikoi në media e bëri. Që në orën 09:00 e ndërpreu me pretendimin se ka 140 milionë lekë të mbajtura, kur Ujësjellësi thotë se i ka likuiduar, këto pretendime duhen verifikuar. Nga ora 09:00 policia ka vajtur për të lidhur energjinë në mënyrë të sforcuar tek stacioni i furnizimit me ujë tek burimet e Vrionit. Pa energji është stacioni i pompimit të ujrave të ndotura. Stacioni nëse nuk ka energji, ujrat e zeza hidhen në det.”
NOKA: DO NDALOJME CDO ZYRTAR TE CEZ QE BEN VETEGJYQESI
Ora 12: 03 Ministri i Brendshëm Flamur Noka në një prononcim për TV A1 Report deklaron se ujësjellësat janë objekte të rëndësisë së veçantë dhe nuk do të lejojë ndërprejen e energjisë. “Ujësjellësat janë objekte të rëndësisë së veçantë dhe nuk do të lejojnë ndërprejen e energjisë as për institucionet dhe as për qytetarët. Do të ndërhyjmë pas çdo denoncimi të bërë si nga qytetarët dhe institucionet.”- tha Noka.
Ministri i Brendshëm nënvizoi se “do të ndalohet cdo zyrtar i CEZ që bën vetëgjyqësi. Do ndalojmë çdo ndërprerje të energjisë elektrike për ujësjellësat.”
DURRES, ALIZOTI: NDERPRERJET E ENERGJISE JANE TE PADREJTA
Ora 12:10 Prefekti i Durrësit Genci Alizoti deklaron se ndërprerja e energjisë në stacionet e pompimit nga ana e CEZ po bëhet në mënyrë të padrejtë. Sipas Alizotit, ndërmarrja e ujësjellësit në Durrës është më e rregullta sa i takon pagesës së energjisë elektrike.
“Cez në mënyrë të padrejtë ndërpreu energjinë. E padrejtë sepse vetëm nga ndërmarrja e ujëjësjellësit CEZ ka marrë rreth 7 milionë dollarë të ardhura dhe shuma që ka për t’i likuiduar ishte 183 milion lekë të reja, që në kohën në vazhdim do të likuidohej. Ne po vazhdonim t'i paguanim. Në mënyrë abuzive po lë pa ujë 400 mijë banorë. I kam folur Haxhinastos për situatën. Kjo është e papranueshme dhe unë do të ushtroj presionin ndaj CEZ pasi me ndërmarrjen e ujësjellësit të Durrësit të jetë i kujdesshëm pasi është paguesi më i rregullt. Është e padrejtë që deklaron se do të ndërpresë energjinë pa hyrë në kontakt fare me ujësjellësit. Ndërprerjet kanë nisur nga ora 08: 30 dhe pas 3- 4orësh fillojnë e ndihen efektet e mungesës së energjisë. Jam në kontakt qoftë me ministrinë, por dhe përfaqësues e CEZ. Do bëj të pamundurën që t’i kthehet energjia. Vetëm në media është bërë deklarata. Stacioni i pompimit që u ndërpre energjia furnizon mbi 2/3 e qarkut të Durrësit."