Energjia në Kuvend, Berisha:
Amnisti për bizneset dhe të varfrit

Energjia në Kuvend, Berisha:<br />Amnisti për bizneset dhe të varfrit
TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë këtë të enjte është karakterizuar sërish nga debatet mes mazhorancës dhe opozitës, ku ndërmjet çështjeve më të diskutuara ishte ajo për sektorin e energjisë elektrike. Demokratët, nëpërmjet ish-Kryeministrit Berisha, propozuan amnisti për biznesin që nga viti 2011 si dhe fshirjen e kamatvonesave të energjise elektrike për shtresat në nevojë.

Ish-Kryeministri Berisha tha në foltore se "sistemi energjitik shqiptar po shkon drejt falimentimit të plotë nga një keqmenaxhim absolut dhe total. Po importohet energji me 1/3-ën e çmimit më lart."

Ishte ministri Gjiknuri ai që kundështoi akuzat duke i vënë në dukje ish-Kryeministrit se “nuk është investuar në shpërndarje për tetë vjet; përkundrazi, u krijua një gropë e madhe financiare me atë privatizimin spektakolar e të dështuar, që bëre, zotëri, dhe koston që po vazhdojmë ta paguajmë shumë rëndë për shkak të papërgjegjshmërisë që tregove."
 
Por, Berisha, ndërsa hodhi poshtë akuzat e ministrit të Energjetikës dhe të Industrisë, doli me një propozim: “Jam këtu për të propozuar një amnisti të plotë për të gjithë kamatat dhe vonesë-pagesat e atyre që janë në ndihmë ekonomike, që janë në pension. Le të bëjmë një “Repair a zero”. Këtu duhet bërë një amnisti për biznesin, sidomos në këtë periudhë, që është katastrofale për investimet dhe biznesin.”

Për këtë çështje, e mori fjalën edhe Kryeministri Rama, i cili i kujtoi opozitës, privatizimin e dështuar të Sistemit të Shpërndarjes, që e ka lënë pas: “Kompania ÇEZ iku para 23 Qershorit apo pas 23 Qershorit?! Ky konflikt i hapur,mendoni që është çështje politike apo çështje financiare? Dhe për këtë konflikt të hapur për një çështje të madhe financiare dhe që e keni krijuar ju dhe ua keni lënë shqiptarëve në formën e një fature skandaloze, kush e ka përgjegjësinë?! E kemi ne? E kemi ne që e gjetëm si një minë me sahat, kompaninë, apo e keni ju që e latë si minë me sahat?!”

Megjithatë, ndryshimet ligjore që sugjeroi, opozita i hodhi në tryezën e konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare , duke kërkuar që të përfshihen në programin tremujor të punës së Kuvendit,  por konsensusi nuk u arrit. Për këtë arsye, pothuajse 30 deputetë të PD-së regjistruan emrin për të kundërshtuar këtë refuzim në seancën plenare, duke bllokuar në këtë mënyrë shqyrtimin e projektligjeve të rendit të ditës.

Pika tjetër ku palët hasën përplasje ishte edhe borxhi ekonomik, për të cilin kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës, duke u shprehur se shifrat janë reale, ndërsa i cilësoi si gënjeshtra pretendimet e demokratëve për uljen e të ardhurave. Berisha tha: “Ju keni deklaruar një borxh të padeklaruar që është dëshmi e një injorance të plotë, totale. Të dhënat zyrtare tuaja faktojnë se investimet tuaja janë 73% më të ulëta se tremujorin e parë të vitit që shkoi,” por, Rama iu kundërpërgjigj:“Të ardhurat janë rritur për të njëjtën periudhë, as më shumë, as më pak, por 150 milionë USD. E pra, si mundet FMN-ja të na japë neve huanë në qoftë se performance jonë do të ishte kjo që pretendohej?!”
 
Bllokimi i herë pas hershëm i punimeve të Kuvendit për diskutime që nuk kishin lidhje me rendin e ditës, e kanë shtyrë Kryeministrin të propozojë ndryshimin e rregullores së parlamentit, për të rikthyer 60-minutëshin e diskutimeve të lira si pikë të parë të rendit të ditës.

SOT NE KUVEND
Kuvendi i Shqipërisë ka pasur sot në rendin e ditë, diskutimin dhe miratimin e disa ndryshimeve në projektligjet:
  • “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”
  • “Për Policinë e Burgjeve”.
  • “Për transportet rrugore”
  • “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore”
  • “Për kalimin në pronësi pa  shpërblim të tokës bujqësore”
  • Shqyrtimi dhe miratimi i propozimeve të kanditaturave për komisioner të Avokatit të Popullit.
  • Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
  • Po sot do të miratohej edhe  kalendari 3 javor (14 prill – 2 maj 2014) i punimeve të Kuvendit.
Në përfundim të seancës, Kuvendi hodhi në votim gjashtë kandidaturat për komisioner të Avokatit të Popullit përkatësisht: Andi Bala me 62 vota kundër 6 pro 6 abstenim;  Alket Jaupi me 4 vota pro 62 kundër 8 abstenim; Ermir Kapedani me 68 vota pro 3 kundër 3 abstenim;  Aranita Brahaj me 3 pro 62 kundër 8 abstenim; Arben Shkëmbi me 69 pro 2 kundër 3 abstenim dhe Etilda Saliu me 72 pro 1 kundër 1 abstenim, ku fitues u shpallën: Etilda Saliu, Arben Shkëmbi dhe Ermir Kapedani.

Kuvendi miratoi dy projektligjet "Për policinë e burgjeve" dhe "Për transportin rrugor", ndërsa projektligji i propozuar nga deputeti z. Fatmir Mediu “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore, të ndryshuar” u hodh poshtë me 75 vota kundër.

DEBATET NE SEANCEN E SOTME TE KUVENDIT

ORA 17:20 SHALSI: TRANSPORTIN RRUGOR JUA LAMË GATI, JU NUK BËTË ASGJË
Projektligji “Për transportet rrugore” u mbrojt nga deputeti Eduard Shalsi, dikur ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, njohës i mirë i situatës. Duke iu drejtuar opozitës, ai tha: “Ne ua lamë të gatshëm transportin rrugor, të transformuar tërësisht në 2011-ën, me korsi të veçanta e deri edhe me kondicionerë në autobuse, por ju nuk bëtë asgjë. Më thuaj si vjen në pushtet, se si do qeverisësh, është e njëjta gjë. Mënyra sesi e morët bashkinë e Tiranës, tregoi sa të pamerituar e kishin atë. Ne sot, me këtë projektligj, po ndërmarrim hapin e parë duke i deleguar pushtetit vendor, të drejtën për të vendosur në transportin urban.”

ORA 17:10 KRYEMADHI: SHERBIMI I TRANSPORTIT NUK DUHET BERE ME DY STANDARTE
Projektligji tjetër në diskutim, ai "Për transportet rrugore" sipas deputetes Monika Kryemadhi, që e mori fjalën e para, është i nevojshëm për ta vënë këtë transport në standarte. Sipas saj, 7 kompanitë që e mbulojnë këtë shërbim nuk janë subvencionuar, por "ne sugjerojmë që masa e subvencionit t'i jepet direkt përfituesve, jo kompanive;"- tha ajo.

ORA 17:00 NAÇO: KAM SHKARKUAR VETERINERIN E EMËRUAR MJEK DHE PASTRUESEN, STOMATOLOGE
Në orën 17:00, Në Kuvend nisi diskutimi i projektligjit të ri "Për Policinë e Burgjeve". Ministri Naço ka njoftuar risitë e projektligjit për policinë e burgjeve, por paraprakisht, ai njoftoi disa shkarkime që kishte bërë në institucionet e drejtësisë, pasi ishte rast në shkelje flagrante të ligjit:

“ Kam larguar një drejtues të lartë të hipotekës që i kishte dhënë djalit të vet disa hyrje dhe garazhe, të cilit do t’ia them emrin më vonë; një drejtues tjetër që i dha licensë gruas së vet; kam larguar dhe një drejtues tjetër që kishte marrë karburant për makinën e tij që tregonte 65 mijë km, por ai kishte marrë karburant për 150 mijë km, aq sa t’i binte rrotull tre herë botës. Po kemi edhe rastin kur ishte emëruar një veteriner në vend të mjekut, një shkelje e hapur kjo e të drejtave të njeriut apo dhe një pastruese si stomatologe. Le të mos flasim pastaj për institucionet e riedukimit ku 50% e punonjësve ishin me arsim tetëvjeçar,”- deklaroi ai. Fjala e Ministrit të Drejtësisë:Së shpejti, emrat e zyrtarëve

ORA 16:52 META: OPOZITA NUK NA NDALON DOT TA DUAM
"Znj.Bregu, ju si opozitë keni të drejtë të na akuzoni, por nuk keni të drejtë të na ndaloni t’ju respektojmë dhe t’ju duam."

ORA 16:40 BREGU: PRANONI PROPOZIMET TONA OSE NE DO TË DALIM NGA SALLA  
“Z.Kryetar i Kuvendit! kemi propozuar sot disa amendamente që ju duhet t’i kishit pranuar dhe të ndiheni të lumtur me propozimet tona, sepse ju mësojmë sesi të qeverisni dhe si të mbani tempin. Për një maxhorancë xhonglerësh siç jeni ju, as ju nuk shqetësoheni se cilat premtime humbasin, bien rrugës. Ne jemi opozita e këtij vendi dhe jo e juaja; as e kemi pasur ndër mend ndonjëhërë të jemi opozita juaj. Nëse jeni rehat dhe të sinqertë me njeri – tjetrin, në rregull. Ndaj, z.Kryetar i Kuvendit, po ju kujtoj të hiqni dorë nga personalizimi i pushtetit dhe përhapja e dhunës në institucionet e pavarura, për atë dhunë që s’po resht së ushtruari mbi instancat e larta siç është Presidenti, për t’u ulur dhe diskutuar për 5 detyrimet që BE-ja i ka vënë para Shqipërisë, për të diskutuar reformën territoriale të Shqipërisë, për të bërëatë që juve jua ka thënë Komisioneri Fyle për të përfshirë opozitën. Ne po dalim nga salla.”

ORA 15:57 BRAÇE: Z.SPAHO, PER ÇFARE JEMI DUKE DISKUTUAR NE KETE MOMENT?!
Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, i ka tërhequr vëmendjen nënkryetarit të Kuvendit për fjalimet që po mbaheshin, sipas tij, jashtë rendit të ditës. Në këtë moment, sipas Braçes, deputetët duhet të jepnin propozimet për kalendarin, jo të flisnin çështje pa lidhje.

ORA 15:50 STRAZIMIRI: DUHET TE KERKONI FALJE PER ATO QE BENI
Strazimiri: Ata që duhet të kërkojnë falje, jeni ju, jeni ju z.Veliaj! Tani nuk flet më njeri që kemi 1 milionë të papunë; i konsideruar të pavërteta statistikat tona, por ama mbni ato statistika ju e gjetën shifrën e 1 milionë të papunëve.
Propozojmë që të futen në rendin e ditës, shqetësimet e BE-së, rikthimi në Kushtetueshmëri. Bllokimi i Parlamentit këtu ka ndodhur për maskarallëqe, ka ndodhur edhe ditën që ishte këtu Fyle që thoshte jeni që jeni në Parlament, miratoni tre ligjet e na dërgoni një sms, por Ruçi kërkonte me çdo kusht qarkun e Fierit. Në atë seancë, shqetësimi i z.Ruçit ishte kush i ra me shpullë drejtorit në Tepelenë; po këtu është ai që ka dërguar në BE, e-mail-in e gënjeshtërt për Griseldën.

ORA 15:35 VELIAJ: RRITJA E MOSHËS SË PENSIONIT - VETËM NË VITIN 2032 PËR GRATË DHE NË VITIN 2056 PËR BURRAT.
Veliaj: "Po abuzohet me rritjen e moshës së pensionit; ju sqaroj dhe njëherë se vetëm në vitin2032 do rritet mosha pë gratë dhe në vitin 2056 do të kapet mosha 67 vjeç për burrat. Për këdo që profetizon një rritje kataklizmo vitin tjetër, është shumë i gabuar. Mosha do rritet në vitin 2032 për gratë dhe në vitin 2056 për burrat. Kush del në pension vitin tjetër nuk preket nga rritja e moshës; rritja është vetëm për 30-40 vjeçarët e sotëm.
 
ORA 14: 25, BREGU: RAMA TË RAPORTOJË MBI PROCESIN E INTEGRIMIT
Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu i kërkoi për herë të tretë kryeministrit Edi Rama të raportojë në Kuvend mbi procesin e integrimit të vendit. Kjo, shtoi  Bregu, duhet të bëhet brenda këtyre 2 muajve, para se në qershor të merret vendimi i Brukselit mbi statusin e vendit kandidat në BE të Shqipërisë.
 
“Amendamenti i sotëm. Kryeministri e ka për detyrim në bazë të ligjit të raportojë në Kuvend brenda këtyre dy muajve për çështjen e integrimit. Meta vendos  në kalendarin e punës së Kuvendit për përfshirjen e një raportimi nga ana e kryeministrit mbi ecurinë e procesit të integrimit eEuropian të Shqipërisë”, tha Bregu. 

ORA 13:50 AHMETAJ: EKONOMIA PO NGJALLET, NESËR PREZANTOJMË PAKETËN E FASONËVE
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha se, “faktet për çka ndodh në ekonomi janë fakte”. “Viti 2013 ka qenë vit i vështirë ekonomik, dhe është e vertetë e madhe që në më shume se 3 vite kredia për sektorin privat ka qenë në rënie, investimet totale në 8 vite zbritën nga 34 % e GDP në 22 % a pak më pak e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ky është fakt pavarësisht debatit politik. Kjo tregon që në më shumë se 4-5 rënia ekonomike ka qenë e pashmangshme. Ritmet e rritjes ekonomike kanë përfunduar afër zero” tha ai.
 
“Arsyet kanë të bëjnë me keqmenazhim filozofik të ekonomisë, dhe me atë piramidë të ngritur nëpërmjet pagave të vonuara të ktheyra në borxh ndaj biznesit. 726 mln dollar ju shtuan borxhit publik dhe kjo qeveri ka filluar ti paguajë. Ne kemi paguar mbrapsh 200 mln dollar të cilat janë rimbursime tvsh të refuzuara, pagesa të vonuara ndaj biznesit”, deklaroi Ahmetaj.
 
Sipas tij, Statistikat janë aty, janë edhe për rritjen ekonomike. “Nëse janë mbledhur 150 mln dollarë, vetëm në tre muaj nga tatimet 47 mln dollarë më shumë nga të cilat 13 mln dollarë janë rimbursime, atë herë i bie që 34 + 47 gati 80 e kusur milionë dollarë. Rritja e taksave? Akoma nuk ka filluar mbledhja e tatim fitimit. Rritja ka ardhur nga rritja ekonomike, ekonomia ka filluar të rritet, kërkesa në treg ka filluar të reagojë”, tha Ahmetaj.
 
“2.2 % është inflacioni, shumë i shëndetshëm. Ka filluar të mbijë fara e mirë, fara e zhvillimit ekonomik. Vetëm 4 biznese fason hapën 2 mijë vende të reja pune. Ju zutë në gojë paketën e fasonit, por të premten ne prezantojmë dhe në 15 prill e gjithë paketa vjen përpara publikur dhe fasonëve. Më 121 prill prezantohet përpara gjithë komunitetit të fasonëve”, ka deklaruar në Kuvend, ministri Ahmetaj.
 
Për ministrin e Ekonomisë, “marrëveshja me FMN-bë është besim i drejtëpërdrejtë ndaj qeverisë shqiptare. Ne transmetojmë tek qytetarët rritjen ekonomike. Vetëm në janar të ardhurat nga sigurimet shoqërore janë rritur me mbi 8 %”.
 
“Me ekonominë nuk bëhet kumar siç ndodhi me borxhet në kurriz të biznesit që janë bërë shkas e zinxhirit të rënies së kredisë, sepse është ulur besimi. Me këto cështje ne do të merremi. Në mes të vitit të kaluar ndaloi dhe makina shtetërore se u shpenzuan të gjitha paratë. Tani jemi vite larg skenarit të Papandereut”, përfundoi fjalën e tij në Kuvend, ministri Arben Ahmetaj.

ORA 13:40 MIMI KODHELI: QEVERIA BERISHA KEQPËRDORI INSTITUCIONIN E PRESIDENCËS
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli akuzoi opozitën për shkelje të Kushtetues, dhe keqpërdorim të institucionit të Presidencës, duke u shprehur se qeveria Rama-Meta nuk e ka bërë këtë. Ndërkaq, ministrja Kodheli tha se institucioni që ajo drejton po harton një strategji të re të mbrojtjes.
 
“Kur erdha në detyrë si ministre, Shqipëria kishte 4 vjet në NATO, për në dokumentin strategjik lexova “Synimi ynë është të bëhemi anëtarë të NATO-s. Mendoj se ka ardhur koha të nderuar politikanë të reflektoni. Ne po hartojmë një strategji të re të mbrojtjes që duhet të ishte hartuar nga ju sapo vendi i anëtarësua në NATO.
Ju në jo pak raste keni shkelur Kushtetutën, dhe keni keqpërdorur institucionin e presidencës. Ju keni prekur përgjegjësitë e presidentit dhe sot na thoni ne. Nuk preket e drejta kushtetuese e presidentit”, tha ministrja Kodheli.

ORA 13:30 TOPALLI: KALENDARI JUAJ NUK KA ASNJË REFORMË, ËSHTË RRITUR PAPUNËSIA
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se qeveria “Rama” ka dështuar në të gjithë fushat dhe i bëri thirrje për të disatën herë të mos merret me shifra pasi “bëhesh qesharak, bëj më mirë ndonjë pikturë se do të jesh i suksesshëm”, tha Topalli. Kalendari i qeverisë, vijoi Topalli nuk ka asnjë projekt për reforma, për punësim,për sigurisë e bizneseve por vetëm për rritjen e taksave". 

Sot shtoi Topalli, “shqiptarët janë më të varfër dhe dalin në mediat e huaja vetëm për drogë”. “Arrogancë jo vetëm me ligjet por edhe me partnerët dhe të huajt", vijoi ish-kryetarja e Kuvendit.

ORA 13:10 RAMA: VENDI KA NEVOJË PËR REFORMA RRËNJËSORE, OPOZITA MOS BËHET QESHARAKE
Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për ulje të të ardhurave, duke theksuar se në 6 muajt e qeverisjes PS-LSI janë ulur taksat për 97% të shqiptarëve dhe është rritur konsumi. Kreu i qeverisë theksoi se vendi ka nevojë për reforma rrënjësore. Duke u ndalur tek situata me borxhin, Rama tha se shifrat janë reale.
 
“Opozita të mos bëhet qesharake, pro të kthehet në realitet. Jemi këtu për të prodhuar më shumë ligjshmëri. Vendi ka nevojë për reforma rrënjësore. Të ardhurat janë rritur vërtet në 6-mujorin e fundit. Taksat janë ulur, nuk janë rritur siç thoni ju. Shqiptarët e dinë se taksat janë ulur. Konsumi i shtresës së mesme dhe të ulët është rritur. Dhe kjo vjen në sajë të rritjes së fuqisë blerëse. Nga ana tjetër kreditë e këqija i latë në gjendje alarmante. Kreditë e këqija erdhën si rezultat i bllokimit që i bëtë ju ekonomisë. Mirë ne, po si mundet FMN dhe BB të njohin një shifër që nuk qenka reale, siç thoni ju. Jo, ato nuk gabojnë në këtë pikë. Nga ana tjetër flisni për energjinë, e diskutoni, duke pretenduar se keni bërë sukses në këtë sektor. Edhe pse e keni lënë vendin në situatë katastrofike”, tha kryeministri Rama.

ORA 12:45 BERISHA: RRITËT 21 TAKSA, PO VARFËRONI QYTETARËT
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë Rama se ka rritur 21 taksa, duke rritur nivelin e varfërisë në vend.
 
“Rritet 21 taksa dhe tarifa të cilat po i shtyjnë të varfrit çdo ditë e më tepër në mjerim. Energjinë drejton një njeri qe thotë se në 8 vite nuk është investuar një qindarkë në shpërndarje. Por gabohet. Kjo do të thotë se ai nuk di se është shpërndarja, prodhimi, transmetimi, por di vetëm të vjedhë”, u shpreh Berisha.

ORA 12:35 GJIKNURI-BERISHËS: KRIJOVE NJË KUFOME ENERGJETIKE, JO SUPERFUQI
Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se me “politikat për superfuqi energjetike, ka shkaktuar një kufomë energjetike”.
 
“Për shkak të politikave të tua për një superfuqi energjetike, krijove një kufomë energjetike, krijove dëme në energjetikë që duhet t’i paguajnë shqiptarët. Ndoqët politika të gabuara në energjie. Do të liberalizojmë tregun. Duhet edhe t’i kërkoni ndjesë publikut për situatën e krijuar”, tha Gjiknuri.

12:25 BERISHA: MASHTRONI NË MËNYRË MONSTRUOZE PËR BORXHIN E PAREGJISTRUAR
Në replikë, ish-kryeministri Berisha tha se mazhoranca PS-LSI mashtron me shifrat e publikuara sa i takon borxhit të paregjistruar, apo të ardhurave.
 
“Nëse ka shqiptar që beson se numri i turistëve dhe vizitorëve në muajt korrik, gusht, shtator ka qenë më i ulët se në muajt prill, maj, qershor, statistikat tuaja janë më të besueshmet në botë. Por një njeri me minimumin e intelektit nuk do t’i besojë diçkaje të tillë. Ju po falsifikoni, neve si kundërshtarë vetëm lehtësira na krijoni. Keni mashtruar në mënyrë monstruoze për borxhin e paregjistruar 720 milionë, dhe mbi të ndërtuar piramidën, e quajtët të përligjur nga FMN. Ky është një mashtrim total. Deklaroni se keni të ardhura më shumë. Por nuk është e vërtetë”, tha Berisha.

12:20 BRAÇE: QEVERIA BERISHA, PËRGJEGJËSE PËR NGADALËSIMIN E RRITJES EKONOMIKE
Deputeti i PS-së Erjon Braçe akuzoi qeverinë Berisha për ngadalësimin e rritjes ekonomike të vendit, duke u ndalur edhe tek borxhi i paregjistruar.
 
“Përgjegjësi për ngadalësimin e rritjes ekonomike të këtij vendi, dalin këtu dhe kërkojnë llogari për dëmin që i kanë shkaktuar ekonomisë së këtij vendi. Është e vërtetë që raporti FMN vëren ngadalësim të ritmit të rritjes ekonomike për 2013, por për këtë kanë folur edhe në vitet e kaluara. Është fare e qartë se çfarë ka ndodhur në të katër tremujorët e 2013. si mund të flasësh për borxh të paregjistruar, kur ti je përgjegjësi, i zhyte kompanitë në vështirësi, dhe nuk u paguan. E ke lënë Shqipërinë kantier ndërtimi nga viti 2008”, tha Braçe.

ORA 12:15, BERISHA: AMNISTI PËR FATURAT E ENERGJISË PËR FAMILJET ME NDIHMË SOCIALE DHE PESNIONISTËT
 Ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi në parlament që qeveria t’i jap amnisti për energjinë gjithë familjeve që mbahen me ndihmën sociale dhe shtresën e pensionistëve pasi ata “as tani dhe as pas 5 vitesh nuk do të mund të pagujnë faturat e energjisë.”
 
Ndërsa hodhi poshtë akuzat e ministrit të Energjetikës dhe të Industrisë, Damian Gjiknuri se në 8 vite nuk ishte investuar në sektorin e energjisë, Berisha u shpreh se qeveria e majtë se është kundër ndërtimit të hidrocentraleve.
 
"Gjinkuri tha se në 8 vite nuk është investuar në energji. Kjo është e pavërtetë. Ju çdo gjë e bazoni në një model të sajuar nga ju vetë, që nuk ekziston. Vetëm në transmetim janë investuar në 8 vite 800 mln euro", tha Berisha.

“Tani duhet të ndërtohen hidrocentralet jo të përzihen investitorët që ata të vjedhin nëpërmjet importit të energjisë një shtet që shkel kontrata është një shtet zuzar”, vijoi ai.

 ORA 11:50 POLLO: QEVERIA SULMON INSTITUCIONET E PAVARURA
Deputeti Genc Polli është ndalur tek rasti i shkarkimit të titullares së ILDKP, duke e quajtur të paligjshëm këtë veprim. Ndërsa ka akuzuar qeverinë se po sulmon institucionet e pavarura
 
“Qeveria ka sulmuar institucionet e pavarura, për të kapur domenin, për të sulmuar opozitën. Që nga 20 shkurti, shumica në mënyrë të paligjshme ka shkarkuar titullarin e ILDKP. Ne kemi dorëzuar padi në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk është një situatë normale në parlament”, tha Pollo.

Redaksia online
(jk/arsh/es/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta