Roland Qafoku: Enkelejd Alibeaj, 1 vit duel me Sali Berishën

Roland Qafoku: Enkelejd Alibeaj, 1 vit duel me Sali Berishën

Sali Berisha dhe Enkelekd Alibeaj

Kaloi 1 vit nga 4 shkurti i vitit 2022 kur Enkelejd Alibeaj u caktua kryetar i komanduar i Partisë Demokratike. Që nga ajo ditë ai ka zhvilluar betejën më të fortë në këtë parti që nga themelimi i saj me synimin se kush do ta zotërojë, ai si i komanduar dhe me vulën zyrtare, apo Berisha i zgjedhur dhe me mbështetje në bazë? Beteja që e ktheu Alibeajn në një digë ndaj Berishës, por që e ka ndarë PD-në në dy pjesë.

Më 4 shkurt u mbush fiks një vit nga dita kur Enkeled Alibeaj u emërua kryetar i komanduar i Partisë Demokratike. Sapo kishte dhënë dorëheqjen nga detyra Lulzim Basha dhe sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi njoftoi se pas tërheqjes së nënkryetares Jorida Tabaku, në krye të PD, për një periudhë të shkurtër derisa të zgjidhej kryetari i ri, Enkelejd Alibeaj do ishte në këtë detyrë si i komanduar. Në fakt, kjo periudhë jo vetëm që nuk rezultoi e shkurtër, por Alibeaj zhgënjeu të gjithë ata që menduan se do dorëzohej. Madje shumë shpejt. 

Tashmë ai ka krijuar një profil jo pak interesant. Jo pak luftarak. Një profil që nuk i ngjan as Lulzim Bashës që nëse do ishte ende në detyrë jo vetëm do kontrastonte shumë por kushedi sa herë do na kishte bërë për të qeshur. Dhe ajo më e rëndësishmja, Enkelejd Alibeaj në këto 365 ditë të vitit të tij ka qenë në një duel të vazhdueshëm me liderin historik të PD ose me kryetarin e pjesës tjetër të saj, Sali Berisha, duke u kthyer në pengesën kryesore për marrjen e plotë të PD-së prej tij. Pothuajse askush nuk e kishte parashikuar që pikërisht Enkelejd Alibeaj, do kthehej në personazhin politik më të vështirë në karrierës së vetë për Sali Berishën brenda PD. 

Ai që kishte mundur dhe kishte larguar edhe nga skena politike një aradhë të gjatë figurash të formatit të lartë si Gramoz Pashko, Aleksandër Meksi, Ylli Vejsiu, Petrit Kalakula, Neritan Ceka, Preç Zogaj, etj., befas i ngeci sharra në gozhdë me një personazh që kur e afroi në 2005 të ishte pjesë e PD dhe më pas ministër i Drejtësisë, as që imagjinoi se do kthehej në “problematikun” numër një për të. Dhe që nga dita kur u caktua në krye, PD qendron e ndarë në dy pjesë: Në PD-në zyrtare të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj si i komanduar dhe PD-në e “Foltores” të drejtuar nga kryetari i zgjedhur Berisha por që nuk njihet ende nga gjykata. 

Një PD e ndarë më dysh teksa përballë njëri-tjetrit qendrojnë: Enkelejd Alibeaj, 50-vjeçari me karrierë prej afër dy dekadash në politikë dhe Sali Berisha, një politikani 79-vjeçar me një karrierë dominuese prej 33 vjetësh në Shqipëri; Alibeaj që qendron stoik dhe që asetin më të madh ka mbështetjen e SHBA-së dhe Berisha që ka bërë përpjekje titanike për ta larguar nga drejtimi dhe për eleminuar edhe politikisht.  Kjo jo vetëm nuk ka ndodhur, por sot Berisha ka mundur të ketë vetëm 25 deputetë pro tij në grupin parlamentar prej 52 deputetësh. Të gjithë e mbajmë mend skenën kur më 25 mars 2022 Berisha i shkoi në zyrë Alibeajt dhe i kërkoi të largohej nga detyra dhe zyra, por kryetari i komanduar, me një cigare në buzë që nuk e hoqi edhe pas kërkesës së Berishës, jo vetëm nuk pranoi, por pikërisht nga ai moment nisi një betejë duke bërë atë që nuk e kishte bërë kush më parë: të mos njihte Berishën. Të gjithë i kemi ende në memorie atë incident në foltoren e Kuvendit më 21 prill 2022 kur Berisha i mori fjalën duke e larguar pothuajse me “forcë” Enkelejd Alibeaj nga foltorja, por që kjo nuk i shkaktoi ndonjë shqetësim atij. Ishin dy simbolika se beteja mes tyre do ishte e fortë dhe e gjatë. Kështu ndodhi.

Po çfarë ka bërë Enkeled Alibeaj në këtë 1 vit? Së pari, në mënyrë stoike ai nuk ka lejuar që Berisha të bëhet kryetar i PD edhe pse gëzon mbështetje shumë herë më të madhe në parti dhe u zgjodh nga kuvendi kryetar i saj. Kjo vërtetë ka sjellë një ndarje të PD në dy pjesë dhe ka pasoja tejet të rënda përballë një mazhorance në mandatin e tretë të saj, por Alibeaj e argumenton këtë si ndarje të dy botëve, atë pro dhe kundër SHBA duke qenë se është i shpallur non grata nga sekretari Antony Blinken.

Së dyti, Aliebaj ka krijuar një profil personal tw habitshëm qendrestar duke ngritur në maksimum kuotat e tij si politikan. Nuk është e lehtë të përballet me Sali Berishën, i cili në karrierën e tij ka lënë pas shumë viktima politike. Por Enkelejd Alibeaj ka bërë që në një vit ta mbajë Berishën “pending” duke mos i lënë mundësinë të realizojë synimin e tij zotërimin e PD nga grupimi i tij. Dhe të gjithë këtë e ka bërë vetë pa asnjë mbështetje të madhe. Madje as nga kryetari i dikurshëm hije Lulzim Basha, që publikisht ka dhënë dorëheqjen, por sipas stilit të tij në gjykatë rezulton të jetë ende kryetar.

E gjithë kjo betejë një vjeçare ka kaluar përmes disa deklaratave të fortave dhe një dueli deri personal mes Alibeajt dhe Berishës. Është një “hidh e prit” që ende nuk ka mbaruar dhe askush nuk e di si do shkojë edhe pas një vendimi pro, apo kundër i gjykatës. Stili ka qenë i njëjtë nga Berisha që kur të sulmon, nuk fal dhe lëshon batarenë e fortë të fjalorit të tij por edhe Alibeaj nuk ka mbetur pas. I marrim me radhë: Kishte vetëm 1 muaj e gjysmë si i komanduar dhe Alibeaj tregoi se do bënte betejë të gjatë me Sali Berishën. Tha Alibeaj për Berishën më 22 mars 2022:

“30 vite pas formimit të saj PD nuk mund të mbrojë interesat e saj duke pasur dikë non-grata. Nuk mundet sot pas 30 viteve PD të ketë ende pikë referimi të shkuarën. Koha politike është e tillë që të mos ketë referenca nga e shkuara, por të shohë nga e ardhmja”.

Vetëm tre ditë më pas sqaroi edhe mënyrën e përjashtimit të Berishës nga PD. Tha Alibeaj për Berishën më 25 mars 2022:

“Vendimi për përjashtimin e Berishës është një vendim i marrë nga zoti Basha, është një vendim që merret nga kryetari i partisë. Në aspektin juridik ka qenë në të gjitha opsionet i rregullt. Në vendimin politik duhen diskutuar marrëdhëniet që PD duhet të ketë me SHBA. Këto janë vlera të pandryshueshme në PD. Vota po është një rregull i demokracisë, por se përveç tyre një komponent i rëndësishëm janë disa vlera që nuk mund të diskutohen në raportet aritmetikore siç janë orientimi pro amerikan dhe orientimi pro evropian”.

Ky ishte momenti që Berisha nuk e priste dhe nisi ndaj Alibeajt betejën e vet pa e kursyer. Tha Berisha për Alibeajn më 22 prill 2022:

“Kontrastonte i vetëshpalluri kryetar i PD. Nisur nga një psikologji e tillë, duke besuar se është kryetar PD, u përpoq në mënyra vulgare të manipulojë edhe grupin, por dështoi në çdo përpjekje. Tani, propozime konstruktive prej të cilave që nesër do të fillojë bashkëpunimi dhe verifikimi.”
Pothuajse në çdo dalje të tij Berisha anatemoi Alibeajn duke e etiketuar si të orkestruar nga Edi Rama. Tha Berisha për Alibeajn më 6 maj 2022:

“Është e kotë të komentoj për Alibeajn, kur sillet si ministër i Edi Ramës. Nga zarfat sekrete, te paraqitja si kandidaturë nga Stanishiqi në emër të Ramës të bashkëshortes, te angazhimi dhe loja me kukulla e opozitë të emëruar, i tëri ky është një skenar i turpshëm, vetëm për kreun e organizatës kriminale të qeverisë”.

Por edhe Alibeja ia kthente me të njëjtën monedhë. Reagoi Alibeaj më 6 maj 2022:

“I kujtoj Berishës se edhe ish-kryeministrin Fatos Nano e kishe shpallur armik, por me të bëri marrëveshje. Me Berishën në krye, PD vijon të mbetet e përçarë, teksa shtoi se rruga për largimin e kryeministrit Edi Rama kalon nga bashkimi i opozitës. Berisha po shpërdoron besimin e demokratëve për interesin e tij personal”.

Po atë ditë Berisha përsëri nuk e kurseu. Tha Berisha për Alibeajn:

“Alibeaj dhe deputetët që e mbështesin atë janë bashkëpunëtorë të Edi Ramës.”
Beteja vijonte si në planin makro dhe mikro. Tha Alibeaj për Berishën 27 maj 2022
“Asnjë formë e vjetëruar komunikimi nuk e fsheh dot dështimin në përballjen me të vërtetën dhe vullnetin e lirë të demokratëve. Pazaret e politikës së vjetër janë të vështira të çrrënjosen nga mendësitë e atyre që për 30 vjet mbajnë peng interesin e shqiptarëve.

Po atë ditë Alibeaj u tregua shumë i ashpër dhe i drejtëpërdrejtë. Tha Alibeaj për Berishën më 27 maj 2022:

“PD dënon me forcë përdorimin e një ngjarje të rëndë për interesa të Sali Berishës.
Është e pafalshme të shohësh se si Sali Berisha mbron bandat e Elbasanit edhe pse ai tashmë është peng i tyre, sepse i përdori kundër demokratëve në tentativën e tij për të marrë peng PD. Për hallin e tij, Sali Berisha kërkon të shkatërrojë PD-në dhe ta izolojë atë nga çdo partner ndërkombëtar”.

Ditët kalonin dhe Berisha nuk po arrinte të bënte për vete grupin parlamentar. Duke mos arritur këtë synim, targeti i tij mbetej Alibeaj me mbështetësit e tij. Tha Berisha për Alibeaj më 8 korrik 2022:

“Çfarë e shtyn Enkelejd Alibeajn? Ju garantoj se pa ca kushte që i di vetëm ai, ai në këtë lojë depersonalizuese, por edhe të rrezikshme, se të bëhesh vegël e Edi Ramës në betejën kundër pluralizmit politik, merr mbi supe një gjë shumë të rëndë, një kolaboracionizëm kundër demokracisë që tejkalon çdo limit”.

U bë rregull që për çdo akuzë, Alibeaj të hidhej në kundërsulm. Duke iu përgjigjur për fjalën kusht, tha Alibeaj për Berishën më 8 korrik 2022:

“Sa për “kushte të tmerrshme”, po e kam një! Ajo që i rëndon si peshë atij e që do t’ua hedhë në kurriz mua dhe demokratëve: “non grata” e firmosur nga SHBA. Ky është kusht ‘sine qua non’” (Pa të).

Qendrimi stoik i Alibeajt po bëhej vërtët një pengesë e madhe. Këtu Berisha futi në punë artilerinë e rëndë duke mos e kursyer fare. Tha Berisha për Alibeajn:

“Zoti Alibeaj është mjerisht siç e shihni, një lolo në duart e Taulant Ballës, se Rama nuk ia var, ka ngarkuar Taulantin të merret me të. Dhe ai bën, në mënyrën më të shëmtuar, aktin më të shëmtuar në 30 vite, përfaqësuesin e asaj që nuk përfaqëson asgjë, përveç vetes së tij. Kjo është një lojë nga më të shpifurat e Edi Ramës, loja me Enkelejd Alibeajn”.

Por edhe Alibeaj vijoi ta kthejë në të njëjtën mënyrë. Tha Alibeaj për Berishën:

“Kush bën sikur nuk e kupton, thjesht përdor kauzën e opozitës, shpërdoron besimin e demokratëve veç për interes personal të vetin apo enturazhit të vjetërsuar politik”.

Dhe Alibeaj nuk ndalej në kundërsulmet e tij. Tha për Berishën më 23 nëntor 2022:

“Basha ka dhënë dorëheqjen, me një arsye politike fisnike besoj unë. Ai tha se po largohet për të hequr problemin në parti. Për të njëjtën arsye duhet të largohej edhe zoti Berisha, por nuk është larguar. Nuk ka ndodhur asgjë që të mund të ndryshonte qëndrimin tonë apo të zotit Basha. Nëse i kthehemi memories, shkaku i pretenduar nga Berisha në atë kohë ishte dualizmi. Basha u dorëhoq që të dorëhiqej edhe zoti Berisha”.

Nuk e kurseu Berishën as ditën e parafundit të vitit 2022. Tha Alibeaj për Berishën më 30 dhjetor 2022:

“Sot opozita mbahet peng nga Sali Berisha dhe Edi Rama. Duke i quajtur vjetërsira politike, Alibeaj shprehet se Berisha dhe Rama njëri-tjetrin në skenën gjysmë të rrëzuar të politikës, me shpresën se pa njërin, as tjetri nuk do e ketë më të gjatë”.

Kulmi i përplasjes arriti më 11 janar 2023 kur me urdhrin e tij Alibeaj përjashtoi nga grupi parlamentar deputetët Tritan Shehu, Agron Shehaj, Belind Këlliçi, Oerd Bylykbashi për arsye se nuk kishin reflektuar një vit pas sulmit të dhunshëm të selisë së PD më 8 janar 2022. Në fakt sipas të dhënave kjo ishte bërë në mënyrë që Ervin Salianji të mos arrinte të kishte firmat e nevojshme për të kërkuar shkarkimin e Alibeajt si kryetar i grupit parlamentar. Kjo bëri që Berisha të kalonte në ekstrem. Tha Berisha për Alibeajn:

“Alibejaj, zbatonjësi mjeran i urdhrave të Edi Ramës. I keqpërdorur në shkallën më ekstreme nga Edi Rama. Zbatoi një urdhër të Edi Ramës duke shkelmuar dhe më shumë mbi dinjitetin e tij. E ardhmja e grupit parlamentar, do jetë një grup kompakt, i cili do të mbrojë me gjithë potencialin e vet interesat e qytetarëve”.

Sulmi vijoi edhe ditët në vijim. Tha Berisha për Alibeajn më 17 janar 2023:

“Alibasha zbaton urdhrat e Edi Ramës. Ata janë të pavlerë, që keqpërdoren nga një njeri që nuk ka asnjë parim, nuk respekton asnjë parim, asnjë ligj, asnjë normë”.

Pas një viti mund të thuhet se Alibeaj e ka futur veten në histori duke u kthyer në një digë për Berishën. Askush nuk mund të japë parashikime se sa do vijojë dhe si do vijojë kjo betejë. Jo më shumë për vendimi e gjykatës së Apelit se sa e lidhur me rezultatet e zgjedhjeve lokale të 14 majit. Një moment kur besohet se do ndahet një herë e përgjithmonë se si do jetë e ardhmja e PD. Beteja mes Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës vazhdon.

F.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Dhimokrati: 06/02/2023 16:38

    Berisha ka shku per lesh arapi tash ka ne shku ne te Sheqeres.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Qeveria ngre Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike! I propozon kryeministrit shpalljen e krizës dhe masat emergjente

Qeveria ngre Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike! I propozon kryeministrit shpalljen e krizës dhe masat emergjente