Enver dhe Tito, mesazhet 
në fshehtësi nëpërmjet Romës 

Enver dhe Tito, mesazhet <br />në fshehtësi nëpërmjet Romës 
...Vijon nga dje

Përherë Shqipëria kishte përbërë tokën që e rrezikonte apo e mbronte Jugosllavinë prej ndonjë kafshimi nga jugu. Ndërkohë Kosova e mbronte federatën nga çdo kanosje prej drejtimit juglindor.

Po ashtu shteti i vetëm i njohur ndërkombëtarisht i shqiptarëve e kishte territorin e shtetit fqinj të sllavëve të jugut sa rrezik ashtu edhe mur pengimi të çdo agresori që, para se të zbriste poshtë në jug, do të gllabëronte në kalim e sipër vetë Jugosllavinë.  

Për këtë shkak, si pasojë e një rregulli fare të thjeshtë, Tiranës në këto hapësira i duhej një terren që e pengonte depërtimin e agresorit, amerikan të ishte ai apo sovjetik.
Prej kësaj rrethane buronte përcaktimi i strategjisë: t’i gëzohej paqendrueshmërisë së Jugosllavisë apo të lakmonte prishjen nga brenda apo nga jashtë të saj?
Ca më e vështirë bëhej kjo zgjedhje kur dihej që shumica dërmuese e shqiptarëve të Kosovës, me dëshirë të paepur që të shkëputeshin njëherë e mirë nga serbët, për të realizuar ndarjen përfundimtare me ta, qenë të gatshëm që edhe federatës t’i jepej fund.

Madje me çdo mjet.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore përmasa të dukshme të popullatës kosovare, për hir të kësaj mendësie, u patën dhënë mbështetje dy palë pushtuesve dhe fashistëve njëkohësisht: italianëve dhe gjermanëve.   

Në pasvitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar, në analizën e vet Enver Hoxha kishte përcaktuar si rrezik të parë ushtarak Bashkimin Sovjetik dhe aleancën luftarake të shteteve socialiste të eurolindjes përreth tij.

Dalja nga Traktati i Varshavës me heqjen e bazës detare të saj të Vlorë në 1961 e kishte bërë të pacënueshëm prej krahut ushtarak të Perëndimit. Ca më tepër kjo prirje u shtua kur në 16 shtator 1968 Shqipëria doli edhe juridikisht prej kësaj aleance.

NATO këto çaste ndodhej më afër me sjelljen gjeostrategjike të Enver Hoxhës, kurse sovjetikët në momentin më të papërshtatshëm pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Tiranën zyrtare.
A do ta sulmonin vërtet shtetin e vogël tepër rebel dhe sidomos vendosmërisht përjashtues për rolin e tyre në Ballkan dhe në Mesdhe?

Në rrethana të tilla, ndërsa Shqipëria e kishte të domosdoshme një Kosovë me qëndrueshmëri e brendshme, po ashtu edhe Jugosllavia federative, për ruso-sovjetikët nuk qe patjetër kështu.

Avionët e divizionit apo të divizioneve desantuese në Bullgari mbi Kosovë do të fluturonin më lehtë në rast se banorët e këtij trualli qenë të ngritur në këmbë kundër Beogradit.

Duke qenë se as Enver Hoxha dhe as Josip Broz nuk e dëshironin, madje as mund ta lejonin një destabilizim në këtë territor, pushtimi i Çekosllovakisë nga Traktati i Varshavës dhe sidomos gjendja e krijuar më pas, këta dy të ndarë të mëdhenj, i bashkoi.

Shkruan Nexhmije Hoxha tek “Jeta ime me Enverin”: “Dihet se viti 1968 qe një vit i turbullt në gjithë Evropën, me demonstratat e studentëve në Francë, Gjermani e gjetkë, me agresionin e turpshëm të trupave sovjetike dhe të vendeve të Traktatit të Varshavës në Çekosllovaki, me shtypjen e egër nga ana e serbit Rankoviç të lëvizjeve popullore e studentore në Kosovë e Maqedoni”.

Më pas: “Lidhur me lëvizjen që mori hov veçanërisht në Tetovë, shtypi dhe ndonjë nga udhëheqësit e këtyre anëve akuzonin Shqipërinë për ndërhyrje. Situatat ishin tepër delikate. Për këtë Enveri thirri në shtëpi ambasadorin tonë në Romë Ksenofon Nushi, që ato ditë ndodhej në Tiranë dhe e porositi që t’i transmentonte ambasadorit jugosllav në Romë që “ne nuk kemi gisht në Lëvizjen e Tetovës”.

Më tej Nexhmije Hoxha vazhdon dhe e plotëson rrëfimin e saj me gjysmën tjetër të kësaj tabloje shumë intriguese: “Në prill të vitit 1969, pas largimit të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, ambasadori jugosllav në Itali i tha ambasadorit tonë, Nushi: “Kam porosi nga Titoja që t’i transmentoj Enver Hoxhës: “Rusët kanë kërkuar të kalojnë nëpër territorin jugosllav për të sulmuar Shqipërinë. Titoja u është përgjigjur: “Nuk lejojmë asnjë këmbë ushtari sovjetik të futet në territorin jugosllav”.
 
Kur do të ndodhte agresioni?
Nuk jemi shumë të sigurt që ishte saktësisht prill 1969 kur Josip Broz e ngarkoi diplomatin e tij të parë në Itali që ta vinte në dijeni shemrin e vet, Enver Hoxhën, se sovjetikët për të sulmuar Shqipërinë ia patën kërkuar lejen e kalimit mbi territorin e Jugosllavisë.

Në rast se kujtesa e Nexhmije Hoxhës në këtë të dhënë nuk i është dorëzuar defektit njerëzor për të gabuar në pak ditë apo edhe muaj, ka të ngjarë që Traktati i Varshavës dhe Moska t’ia kenë kërkuar favorin Titos në një kohë të mëparshme.

Ky, në rrethanat e përgjigjes me të njëjtën transparencë dhe shenjë afrimi, kryer më parë nga Enver Hoxha, nëpërmjet ambasadorit Nushi, t’i jetë referuar një date të kaluar.
Ka mjaft elementë besueshmërie që kërkesa e sovjetikëve tek Josip Broz për të sulmuar dhe pushtuar Shqipërinë të ketë ndodhur në fund të muajit shtator 1968, por pse jo edhe para mesit të tij, çast i denoncimit publik nga Tirana i Traktatit të Varshavës.

Këtë të fshehtë arkivat e Moskës dhe të Beogradit do ta ruajnë edhe për dekada të tjera, në mos nuk do tja ngrejnë perden ndonjëherë.
Fadil Hoxha, historikisht kreu komunist i shqiptarëve të Kosovës dhe ato çaste kryetar i Kuvendit Krahinor të Kosovës, emër i pëlqyer në Beograd, në një intervistë të tij dhënë në vitin 1994 thotë: “Me një rast kur e kishim një mbledhje të rëndësishme të kryesisë jugosllave në temën e çështjes së sigurisë kombëtare dhe ruajtjes së kufijve, ku kishte marrë pjesë edhe Tito, referatin kryesor e paraqiti gjenerali kroat, Ratko Bubanj, i cili elaboroi temën se nga mund të na kërcënohet rreziku përmes fqinjëve, ose në rast lufte. Kur gjenerali kroat e mbaroi ligjëratën, ekspozeun e tij për rreziqet e luftës që mund t’i kanosen ish-Jugosllavisë, Tito i tha: “Bubanj, ti e ke harruar edhe një aleat tonë në rast lufte”!?

Ne të gjithë shikuam me habi, se çka po mendonte Tito i cili sërish duke e marrë fjalën. Ai tha: “Aleati ynë tjetër është Shqipëria, e cila në rast lufte do të mbështetet në ne dhe edhe ne në të”.
Bubanj kërkoi falje, duke thënë se në këtë kuptim vërtet nuk e kishte konsideruar Shqipërinë si aleat”.
 
“Pesë Yjet” ose lufta e spiunëve sllavë në Tiranë
Kur Enver Hoxha thirri në shtëpi ambasadorin tonë në Romë Ksenofon Nushi, i cili ato ditë ndodhej në Tiranë, dhe i dha orientimin që t’i përcillte ambasadorit jugosllav në kryeqytetin italian një mesazh të tij urgjent, ky në thelb ishte: “Ne nuk kemi gisht në Lëvizjen e Tetovës”.

Për këtë ngjarje, “Lëvizjen e Tetovës”, në historiografinë gjithëshqiptare nuk është folur me ndonjë vëmendje të veçantë, çfarë ka shkaktuar një “vrimë” në kujtesën tonë kombëtare.
A mund ta provojmë ta mbushim sadopak, ca më tepër që plotësimi i saj do të na duhet në realizimin e synimit kryesor të këtij cikli shkrimesh: marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave në vitin 1981 dhe pasojat e tyre në luftën për pushtet në Tiranë.

Apo rrjedhojat në luftën e “Pesë Yjeve”?
Kjo, “Pesë Yjet”, është një thënie e koduar, e cila është përdorur në një rreth tepër të ngushtë në përcaktimin e një beteje të zhvilluar në kryeqytetin shqiptar, për disa dekada, mes spiunësh sllavë. 
E quajtura “Lëvizja e Tetovës”, duhej të ketë qenë jo thjesht një rast për t’i dhënë shenjë afrimi Titos (sepse Enver Hoxha dhe çdo politikan tjetër, edhe kur këto mundësi nuk ndodhin, i krijojnë vetë mjaft shkathtësisht),  por ishte një ngjarje tepër problematike në çështjen e autorësisë së saj, pra kush e kishte nxitur.

Hoxha, për shëmbull, nuk përmend si të dyshimtë në forcën shtytëse të “Lëvizjes së Tetovës”, një ngjarje tjetër edhe më të njohur dhe që krijoi shqetësim të dukshëm tek autoritetet e Beogradit: demonstratat studentore të Kosovës.

Logjika e mesazhit dërguar Titos lë të kuptojë se Enver Hoxha e kishte fjalën, por pa e thënë drejtpërsëdrejti, për të paktën një dorë nxitëse: asaj të sovjetikëve.
Pse jo edhe për dy duar njëherësh: sovjetikët dhe bullgarët.

Tërthorazi këtë nëntekst, mesazh i kuptuar lehtë nën reshta, e bën më të qartë edhe logjika e tekstit në çfarë i erdhi prej Josip Broz Titos. Ky i pohon se qenë pikërisht rusët, të cilët për ta sulmuar dhe pushtuar Shqipërinë, i patën kërkuar të kalojnë nëpër territorin jugosllav.
Ndërkaq ai, Tito, i pati refuzuar prerë.

Që ta perceptojmë më nga afër këtë kod mirëkuptimi të fshehtë mes Hoxhës dhe Titos se ato çaste të dy vendet e tyre kanë të njëjtin armik potencial, Bashkimin Sovjetik dhe vendet socialiste satelite rreth tij, do të na duhet të përqendrohemi mbi tre ngjarje: protestat studentore në Prishtinë e qytetete të tjera të Kosovës, “Lëvizja e Tetovës” në Maqedoni dhe çfarë po bënte ndërkohë bashkëkombësi Hysni Tërpeza, ballisti që në fillim të vitit 1977, në Vjenë, hyri në marrëveshje topsekrete me Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun.
Do të fillojmë nga ky i fundit.
 
Në SHBA
Në Çikago dita e 28 nëntorit 1968 qe me shi dhe Hysen Tërpeza, i cili ishte edhe nëndrejtues i Lidhjes së Prizrenit (të Tretës), doli në aeroport për të pritur kryetarin e saj, Xhafer Devën.
Ky do të vinte nga Kalifornia.

Qe vendosur dhe ishin marrë masa që atë ditë në një sallë të mbyllur, nëpërmjet një konference, të festohej Dita e Flamurit. Kjo dëshirë qe shtuar edhe më shumë prej lajmeve të porsa mbërritura nëpërmjet radios, sipas të cilave në Kosovë ishte ngritur i madh dhe i vogël për të kërkuar liri.

Po ashtu se qe vrarë një nxënës.
Për shkak të shiut të dendur nga aeroporti u njoftua se avioni nga Kalifornia do të vonohej dy orë dhe kjo mund ta detyronte konferencën e nderimit të Ditës së Pavarësisë të shtyhej pak.
Ndërkohë Hysen Tërpeza qe bërë gati edhe për një rrethanë tjetër: ta mbronte fizikisht Xhafer Devën.

Në Çikago kishte marrë një të dhënë se një grup personash, ndoshta njerës të vënë nga UDB, po përgatitnin një atentat kundër kryetarit të Lidhjes (së Tretë) të Prizrenit dhe mund të ishte ky rast, ardhja e tij në 28 nëntor në Çikago, për ta kryer atë.

Kjo gjëmë mund të ndodhte deri edhe në sallën e mbledhjes festive dhe ku fjalën e çeljes do ta mbante, si nënkryetar që ishte, Hyseni.
I vrarë në mes shqiptarësh dhe bash në Ditën e Flamurit, do të ishte një sfidë e madhe dhe barrë e rëndë kombëtare.

Kështu një pistoletë të tij si edhe revolen e një kushëriri të ardhur nga Gjermania, Tërpeza ua dha dy djemve kosovarë që ishin trima gjakftohtë si edhe mjeshtra në përdorimin e armëve.
Atyre u dha edhe direktivën e prerë: “Ja alltijat! Po u vra Xhaferi, kryetari i Lidhjes, ju mos këqyrni kë do ta qëlloni. Sa më shumë që vrisni, më e madhe bëhet puna!”
 
Tiranë, më 22 dhjetor 2015
enveri

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë