I bllokur në Çermenikë, diku mes Elbasanit dhe Librazhdit, Enver Hoxha i kërkon Nako Spiros mes të tjerave të gjej një rrugë zgjidhje që ai me shokë të lëvizin nga ai vend ku ndodhen prej shumë kohësh e ku sipas tij mërzia e madhe dhe pamundësia për të ndihmuar lëvizjen komuniste e ka paralizuar dhe zhytur në një gjendje monotonie.
Por edhe pse kështu, Hoxha nuk nguron të shkruajë një letër të gjatë plot detaje surprizë. Ai pret letra e dërgon letra nga të gjithë anët e tek të gjithë të besuarit e tij, duke mbledhur lajme e duke krijuar një skemë të qartë të gjendjes së ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe lëvizjeve që duhet të bëjnë komunistët për të mbërritur synimet e tyre.
Ai kritikon për të gjithë mangësitë, largimet nga rradhët e ushtrisë, disiplinën e shkelur, mungesën e frymës organizative mes eksponentëve të ngarkuar për tu marrë me propagandën dhe imazhin e kritikueshëm sipas tij që përcillet përmes gazetave e trakteve. Në këtë logjikë ai urdhëron që të mos shkruhet vetëm për Qemal Stafën, Perlat Rexhepin, Margarita Tutulanin e Vojo Kushin, pasi nuk janë vetëm ata dëshmorë, ka edhe mjaft të tjerë që janë vrarë maleve. Edhe pse në pamje të parë duket se kjo është një kërkesë e argumentuar, duket se Hoxha ishte me shumë se i kujdesshëm për të mos lejuar glorifikimin e një varg personazheve. Kujtojmë këtu edhe letrën e botuar disa kohë më parë ku ai i shkruante Nako Spiros “gjej një zv.komisar të rrëmbejë simpatinë e partizaneve pasi e gjitha po shkon për Mehmetin (Shehun)”.
Nxjerrë nga dosja 76 e fondit 14 në AQSH, kjo letër e janarit 1944 botohet ekskluzivisht në Shqiptarja.com, e plotë dhe e zbardhur me besnikëri sipas origjinalit.
Dokumenti i plotë
I dashuri Deti
Ditët po kalojnë me mërzitjen më të madhe pse në pa mundësi të bëjmë diçka për të dalë këndej ose për të ndihmuar lëvizjen, vazhdon jeta monotone, dhe pritja e ndonjë vije kalimi, por më kot. Lajme katundarësh që na vinë, s’tregojnë tjetër për veç se kudo përpjekje, tërheqie, organizim i reaksionit. Nuk i marrim këto lajme, si “argent comptant” por prap se prap situata na duket mjaft e vështirë.
Letrën tënde e morëm si edhe dy kopiet e letrave që ke çuar, sa për letrën nga Trashi që na theshnje se po na i mbyllje në letrë, s’gjemë gjë në zarf; do ta kesh haruar ta vesh.
Nga pak radhët e tua kuptuam situatën e krijuar aty dhe veshtirësit e punimit; dhe si po e gjykoj unë me ato pak informata që kemi, e sidomos nga të kënduarit e “Bashkimit të kombit” të cilin na i sjedh Sami, duhet një punë e madhe, dhe e qepur mirë për të lëftuar gjith atë kampanjë demagogjike që ka shpërthyer armiku, kampanjë demagogjike në shkallë të gjerë, të perfeksionuar, dhe të shumë anëshme.
Demaskimin e kësaj pune s’mund ta kryej një njeri ose dy, por duhet një grup shokësh të pjekur, që i kanë trutë në kokë, dhe të udhëzuar prej teje ti përvishen punës me shkrime konkrete, të lidhura, dhe jo konkurs proze dhe fantazira. Vetë propaganda që bën armiku, duhet tu japë mëndjeve “shterpa” dhe që “s’qëndrojnë mbi tokë” të shokëve tonë, mjaft lëndë për të demaskuar lojën e armikut. Si më duket nga disa fletë që janë hedhur në Tiranë dhe që na dërgoj Hyseni, duhet të ketë shokë që mund të jenë në naltësin e duhur (përjashtoj nga ana e eme, traktin që ka hudh K. qarkor i Tiranës me rastin e vitit të ri, si edhe një thirje të Gruas antifashiste, të cilat s’më pëlqyen hiç).
Pra, armën e propagandës duhet pa tjetër ti japësh një impuls të veçantë, me këtë s’dua të them se duhet ti keç ti vetë, bile s’ta rekomandoj, pse e para s’mund të ruhëç dot, dhe e dyta duhet të mësohen dhe të tjerët. Kam konstatue një gjë në shokët e Tiranës, të cilëve si po shof s’ju mungon as vullneti, as teknika, që gazetat si Zërin dhe Bashkimin as që i nxjerin. Ata o duan ta nxjerin në katër faqe, o e lënë fare, dhe se nxjerin. Harojnë që jeni ilegalë, dhe që Zëri i Popullit edhe në gjysmë fletë të dalij është një fitim i madh. Kur shof se kanë mundësi të nxjerin disa fletë që kemi kënduar, mund të nxjerin dhe gazetat me dy faqe. Prandaj këjo të bëhet pa humbur kohë. Mjaft artikuj të mirë kanë nxjerë në fletë që fare kollaj mund të dilnin në gazeta.
Propaganda që bëhet për Rininë nga ana e jonë, më bën përshtypjen që s’ësht asgjë. “Kushtrimi” i fundit që këndova më la shumë të trishtuar. Atje, është mendimi i em s’kish gjë kafshë fare, dhe ato që ishin të shkruara keq, përsëritje, “lieu commun” e sa të duaç dhe pa pikë entuziazmi. Pa tjetër duhet ndrishuar. Armiku po ndjell rininë me ç’do mënyrë, ne që kemi gjithë ata me vethe, s’dimë ti përdorim, pështetemi në aktet t’ona që janë një gjë e madhe dhe kryesore, por që duhet me i vu në dukje. Rininë duhet ta interesojmë se ndryshe do ta humbasim. S’mjafton të themi se rinin e kemi me vethe, por duhet me e pas me gjithë mënd. “Fletët e Kushtrimit” dhe ajo fleta “përgjigjemi” na pëlqeu shumë, vetëm një vërejtje t’ju bëç shokëve të teknikës që lufta e jonë s’ka vetëm 4 dëshmorë: Qemalë, Vojon, Perlatë e Margaritë Tutulan. Në gjitha fletët t’ona vetëm këto emra duken. Këto janë me të vërtet symbolë, por kemi dhe të tjerë me qindra, heroikë në përpjekjet e tyre, dhe në vdekjen e tyre.
Në mënyrën e parë, biem në gabimin pse i japim të kuptojë popullit se lëvizja e jenë është shterpë në heronj dhe e dyta të ruhemi nga lokalizma. Përmenden vetëm luftëtarët e qyteteve dhe jo të maleve. Lufta e jonë ësht e gjerë, heroit tanë janë të shumtë, duhet ti njohij populli, ti dijë; të vleftësojnë luftën t’onë. Shumë sende të tilla të vogëla, por me rëndësi duhet t’ja u përmëndim shokëve. Edhe mbi të gjitha, ti e di dhe vetë duhet të japim tonin në gjithë qarqet e tjera, duhet që propaganda e jonë, dhe fletët e Tiranës të shkojnë në qytetet e tjera. Por që të shkojnë, duhet të bëjmë lidhjet. Nuk zgjatem mbi këtë pikë pse e di që është pika kryesore që duhet të të preokupojë, të bëç lidhjet me Jugën, Vlorë, Gjirokastrë, Berat, me ty dhe në për mjet teje me shokët e Korçës edhe me ne.
Duhet të mësoç shokët e atjeshme, të punojnë, por edhe të lëftojnë policinë, dhe të ruajn kuadrot.
Reaksionit të madh dhe të organizuar mos ti futemi si qora. Duhet të dish ti këshilloç shokët të punojnë, pa reshtur, metodikisht (mundet dhe në “relanti”) por jo me i fut në zjar kur situata është shumë e rëndë. Ki parasysh që puna të kryhet dhe njëkohësisht kuadrot e shëndosha na duhen për nesër. Nuk mund të gjejmë dhe të piellim në ç’do rast, Deti-Hysen, Dyl e të tjerë, këta duhet të dinë të punojnë (këto vërejtje i bëj pse na thua që po i kapin shokët në rrugë si peshqit).
Për sa u përket ilegalëve, shokë dhe partizanë, duhet me u gjet ilaçin, për me i nxjer nga qyteti ku jeta e tyre është në rrezik. Studioni mundësitë, s’mund të them gjë se s’di, por sugjeroj vetëm, që kur rreziku ësht iminent, mos ruani format, mos prisni që ç’do partizan të vejë në repartin e vet. I çoni në Pezë, do të jetë një ndihmë për Myslimë, dhe një enkurajim, i çoni në Korçë me letra njoftimi fallto (po të keni mundësit).
Për Myslimin, mos lini asgjë për ta ndihmuar. Si na shkruan ti, atje po luftohet dita ditës. Duhet që Myslimi dhe shokët të shofin se jemi kurdoherë afër tyre, në ç’do moment. Duhet, pas mendimit tem, që Myslimi të ndihmohet më parë se të famëshmet Brigada.
S’dimë ç’do na ngatrojnë me Bazin e Canit në Mat ata të Brigadës III.
Bazin kam përshtypjen (nuk flas me siguri se s’di) shokët e kanë lënë në heshtje. Hyseni na thotë në letrë se ay ka hedhur një trakt si përgjigje rezolucionit t’onë, por s’dinë brëndinë. Kam parë një gjë, vetëm në ato fletët tona që kam kënduar, se Bazi i Canit s’po përmendet fare. Këjo është një gabim. Bazin e Canit, s’duhet ta lëmë të fshihet i qetë si më parë, gjoja si “një luftëtar i ç’do okupatori” dhe nga ana tjetër në lidhje të ngushtë me tradhëtarët.
Rezolucioni duhet të ndiqet me fletë e artikuj të tjerë kundër qëndrimit ekuivok të Bazit. Bazin duhet ta nxjerrim nga strofka ku është futur, dhe të bëjmë që populli të shofij fytyrën e tij të ndytë. Atë e kemi armik, duhet ti biem, do të kemi një armik më shumë, por nesër një më të paktë dhe duhet të mos harojmë se ay, për sa mendoj unë, me ato lajme që kemi ay është shtylla e reaksionit në veri, reth tij do të gravitohen qelbësirat.
Bazin s’duhet ta lemë të hiqet në popull si patriot, kurse ay s’është përveç se një tradhëtor. (Për Bazin, po pregatit dhe unë një artikull, por që të vijë duhet që ty të më dërgoç pa tjetër informata për Bazin, punën e tij, dhe propagandën që ka bërë, gjatë kohës që kemi çkëputur nga dynjaja. Këtë gjë e pres).
Lëfto në shokët shkarjen që ata në propagandën si me shkrim dhe me gojë, të mos godasin vetëm reaksionin dhe të harojnë okupatorin. Të dy ti lidhin ngushtë me në krye gjermanët. Aksionet kundra gjermanëve, qofshin dhe të vogla, në qoftë se bëhen, të vihen në dukje të madhe. për këtë pikë kanë rëndësi lidhjet me krahinat.
Në teren ku jemi, puna po shkon shumë shumë ngadalë. Mjerisht për ne, kur kemi të bëjmë me të tillë udhëheqës. Me gjithë pësimet, me gjithë vërejtjet, këta po që këta. Kam nja 7 dit që bëra një mbledhie me to (L. M. Sam. Qamil f) të shof se i kanë bënë, si qëndron situata e terenit dhe e punës tonë.
Miqtë, në vënd që të grumbullonin shokët e shpërndarë, të riformonin Batalionet në një o dy njësite, ata kishin proceduar dyke likuiduar ç’do gjë, si do që situata përmirësohej dhe sqarohej disi. Ata partizanë që u grumbulluan, ata që ishin, në vënd që ti grumbullonin, ti organizonin, ata i dbuan, ata i internuan në Brigadën e tretë, ne slinim që të venin atje dhe të bëhej grumbullimi dhe pasi të grumbulloheshin, të ktheheshin me bori në Çermenikë.
Dhe me bukura është se likuidojn ushtërinë dhe partizanët, kur ju kemi bërë gjith ato vërejtje Brigadave, dhe atyre, për këto gabime kaq të mbëdha, që venë deri nëtradhti. Ç’të bësh tjetër me ta, or Deti. Peshku ësht qelbur nga koka. Duhet koh e re. I godita rëndë, u fola hapët, dhe ashpër, i vura përpara përgjegjësive. As një prej tyre, s’bëri një fjalë, ose fije autokritike. Kështu që puna qëndron kështu, asnjë partizan në teren përveç Li Mi, Sam. dhe Qa. Këto janë udhëheqësit, organiz. propagatorët dhe likuidatorët.
Ballistat bëjnë mbledhie ç’do javë, Llushi vete vjen si në teren të tijnë. Ballistët lëvizin si në çifliqet e tyre. Dhe ne jemi në mëshirën e mikut që di ty. (Këtë letrë ta fillova në shtëpinë ku u ndamë tok, dhe tash po ta vazhdoj te shtëpia e parë “Abaz, mo ba kot”. Ikëm nga ajo se u bëmë bozë). Pra shokët e këtushmë i ndava në terene të ndryshme të Çermenikës, dy e dy, dyke shtuar të parëve dhe Gogon e Sejfullanë i cili ka ardhur në Tiranë si më lajmërojnë. Tereni do krahë, do punë, do kohë që të vijë në vethe. S’di ç’të them më.
Nga Diko (Esat Nreu) mora një letrë, ku më kërkon informata për Haxhinë dhe kërkon të kthehet, pse shokët janë hallakat, s’po i gjen dot ku janë, reaksioni në kulm thotë (në Dibër 60 gjermanë, dhe në Peshkopi 15 vetëm. Mere me mend panikun e shokëve).
Përveç asaj ay kërkon se mos dimë gjë ne se ku ndodhet Tempo dhe shtabi maqedonas, pse me Esatë është dhe ajo plaçka që dimë ne, që ishte për Maqedoni, dhe për ne. Këjo plaçkë i ka zënë këmbët Esatit, dhe e detyron të mos lëvizë.
Ay na pyet se ç’të bëjë? Unë ju përgjigja se duhet të presij deri sa ta lajmërojmë ne. Prandaj lajmo Korçën për këtë gjë. Pyet për Haxhinë dhe Tempon. Thuaj ç’na thotë Esati, dhe ia lajmëro përgjegjen si ne ashtu dhe Esatit po të keni lidhje të sigurt.
Në lidhje me këtë a mendon ndo pak për ne Fukarejt të mbydhur në vrimë, e që mërzija e ka kapërcyer kufinë. A ke menduar ndonjë solucion daljeje për ne? Automobil, Dumre, Pezë a gjetkë. Duhet të shkruaç na të katër anët, por pa zënë në gojë që jemi ne që do dalim. Ja u le të kuptojnë shokëve që jemi ne (Pse mund që letra të bjerë në duar të armikut).
Mendojmë të dalim, andej nga dolli Aliu me Trashin. Ky është një pllan që na tenton. Po të keç mundsit e shpejto i ço një letrë Trashit dhe i trego pllanin tonë. Aty të të përgjegjet me hollësi situatën e atij rethi dhe a kanë mundësi të dërgojnë ndo një njësit na Hatova dhe më brënda të na presin. Këtë gjë në qoftë se e bën ta bëjnë shpejt. D.m.th. ty brënda 4 ditë të keç përgjegjen e tyre dhe ne në fund të javës do me thënë nga 12 të kemi një lajm prej teje. Si do qoftë ti bëne këtë punë në kët mënyrë dhe i thuaj atyre që ne mund të nisemi, prandaj të çojnë njësite. Natyrisht ne nuk do të nisemi si qorrat, por prapë me siguria të mëdha nuk nisemi. Do të lozij ca edhe fati.
Për çështjen e kursit, këto janë pllanet e zakonshme. Uroj që ta bëjnë. Diçka mund të përfitohet. Për mbledhien që thua ti, ajo është e domosdoshme, por puna është, se a ka mundësi.
Na dërgo lajme mos përto o Deti, kujto vuajtjet, kujto ç’ke hequr, dhe ç’po heqim ne.
Shokëve të fala, veçanërisht Hysenit, Delegates dhe tj.
Taras
Shokët shumë të falen.
Këtë letrë mos e humbit.
Këtë pako çoja Ali Gostivarit, janë ato broshurat që ke parë, edhe një letrë brënda.
Majori kërkon prej teje që ti çoç një letrë nga kalamaqët e tij. Me një fjalë kërkon një përgjegje nga fëmija e tij.
(që ta kuptoç më mirë për pllanin që kemi për të kaluar. Ne do të kalojmë, nga ajo krahinë emëri i të cilit ësht ashtu si firmoj unë (Ti je i mënçur e kupton). Prandaj njësiti nga Korça po të hyjë pak thellë në këtë krahinë, do të jetë një ndihmë për ne).
AQSH/ Fondi 14/ Dosja 76/ Viti 1944
Shkrimi u publikua sot (11.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)