ENVER HOXHA, Diktatori, gjeni i së
keqes, objekt i tragjikes dhe komikes

ENVER HOXHA, Diktatori, gjeni i së<br />keqes, objekt i tragjikes dhe komikes
Dramaturgët, kineastët, shkrimtarët dhe artistët e socrealizmit që akoma nuk janë divorcuar me të, nuk mund ta realizojnë figurën e tij me realizëm e vërtetësi historike dhe jetësore dhe të japin thelbin e përmbajtjes së këtij gjeniu të së keqes, i cili është diktatorial, tiranik dhe specifik...

“Atë që historianët s’e kanë bërë, e ka bërë me fantazinë gjeniale SHEKSPIRI. Mënyra si e ka konceptuar dhe trajtuar historinë e Romës, duke dalluar dhe shprehur me art magjik shkaqet që e shpunë atë në dekadencë, është hyjnore”.
Francisco De Sanctis
 
Duke e sjellë argumentin e Francisco De Sanctis në kohën e sotme, sipas meje historianët tanë nuk mund ta rishkruajnë historinë e diktatorit dhe diktaturës komunisto-enversite pa bërë katarsin, pa dënuar bëmat e gjëmat kriminale, pa rivlerësuar dhe korrektuar librat e tyre historiko-plolitik. Po edhe dramaturgët, kineastët, shkrimtarët dhe artistët e socrealizmit që akoma nuk janë divorcuar me të, nuk mund ta realizojnë figurën e tij me realizëm e vërtetësi historike dhe jetësore dhe të japin thelbin e përmbajtjes së këtij gjeniu të së keqes, i cili është diktatorial, tiranik dhe specifik.

2
Vizionet, këndvështrimet, format dhe mjetet artistike për të formësuar artistikisht profilin e tij janë të shumta, të ndryshme e të larmishme. Në vështrimin tim tragjedia do të ishte forma dramatike më efikase e cila nëpërmjet tragjikes, komikes, realistes dhe modernes, do të rrëfente historinë e tij dhe bëmat e zeza e kriminale në raport me lirinë e dhunën, drejtësinë e djallëzinë ddhe të moralshmen e të pamoralshmen, që nga koha e Luftë, gjatë periudhës pa liri të socializmit enverist dhe gjer te momenti i tërheqjes zvarrë të monumentit të tij pas vdekjes.

Shopenhaueri duke vlerësuar maksimalisht rolin e tragjedisë do të thoshte:
“Tragjedia, kjo formë superiore e gjinisë poetike, ka për objekt të na tregojë anët e tmerrshme të jetës, dhëmbjet pafund, ankthet e njerëzimit, triumfin e të liqve, pushtetin e rastësisë, dështimin e të drejtëve e të pafajshëmve. Unë gjej aty simbolin kuptimplotë të natyrës dhe ekzistencës”.

3
Midis shumë mënyrave e varianteve për të formësuar figurën artistiko-hitorike do të veçoja dy prej tyre që i konsideroj si qasje e duhur, në kohën e duhur, kur po tentohet rehabilitimi i tij për të paraqitur tiranin hero. Në variantin e parë, personazhi historik në vepër mban emrin real të diktatorit ku gërshetohet elementi dokumentar me atë artistik duke i dhënë përparësi subjektit, ngjarjes dhe faktit real historik çka i shkon më shumë filmit; ndërsa mënyra apo varianti i dytë e pagëzon personazhin hitorik me një emër letrar dhe vihet në lëvizje fantazia e jashtëzakonshme, e arsyeshme, që buron nga bëmat reale të figurës historike, e cila krijon realitetin artistik më të fuqishëm, shumë dimensional dhe më të përsosur se ai i jetës reale kur autori vetëorientohet kah tragjedia si “artileri e rëndë” në rrafshin e gjinive letrare.

4
Dramaturgu i klasit të parë dhe me integritet duke u mbështetur në fakte e ngjarje reale, në situata dhe rrethana historike reale e, në të vërteta historike e paraqet dikatatorin siç ishte: protagonist, me autoritet dhe pushtet absolut. Këtë realitet e rrëfen bukur, me art magjik, i pavarur nga faktorët jashtëletrarë dhe jashtëartistikë dhe çdo llojë kufizimi e barriere, çka natyrshëm krijon modelin e tiranit specifik që publiku ta urrejë me shpirt, zemër e mendje, urrejtje që të ndez të gjitha energjitë për dënimin dhe refuzimin e tij, që modele të tilla të mos përsëriten as në të sotmen as në të ardhmen.

Ky do të ishte mesazhi më i fuqishëm dhe efikas që u drejtohet tërthorazi dhe drejtpërdrejtë enveristëve, dogmatikëve, të sklerozuarve dhe kokëboshëve; pasardhësve dhe pinjollëve të ashtuquajtur vezët e gjarpërit dhe neodiktatorëve në majën e fronit të lartë piramidal, në realitetin e sotëm me demokraci të brishtë.

5
Figura tiranike e Enver Hoxhës - QOFTËLARGU, siç e ka pagëzuar filozofi Isuf Luzaj i plotëson të gjitha parametrat që kërkon tragjedia. Është figura më diabolike, delirante, alibiste, mafioze, me natyrë kriminale pushtuar nga etja e përbindshme për pushtet, për t’u ngjitur në majën më të lartë të fronit gjatë kohës së Luftës ku hëngri kokat e atyre që i shihte si rivalë të fronit: ballistë, zogistë, shokë e bashkëluftëtarë të tij; ndërsa gjatë periudhës së socializmit nga tmerri se mos i merrnin pushtetin, e shtriu luftën e klasave gjer te brezi i tretë dhe i katër ku internimi, burgu, vrasja me gjyq e pa gjyq ishte tabloja e Ferrit me të gjallët, më i tmershëm se Ferri i Dantes me të vdekurit, siç e ka artikuluar për herë të parë këtë togfjalësh, poeti i burgut Visar Zhiti, në një kontekst tjetër.

6
Ky profil i diktatori komunist shqiptar, është unikal dhe specifik si kriminel i popullit të vet, më i egër e lig në gjithë Perandorinë Komuniste të Lindjes. Figura e tij, bëmat dhe gjëmat, janë lëndë e preferuar edhe për dramaturgët më të mëdhenj të botës që të realizonin kryevepra. Këtë shans e kanë edhe dramaturgët tanë paçka se nuk janë të dimensionit botëror.

Është një figurë objekt i psikologjikes, tragjikes dhe komikes me të cilat autori të depëtojë në botën e personazhit, në ankthet, makthet, dyshimet, mëdyshjet, trazimet shpirtërore, lajthitjet, zizkzaket, hamendësimet, perversitetet, hakmarrjet kriminale (edhe me vajzat që e refuzonin); të hyjë tek egërsia barbare, kriminale dhe mafioze brenda tij, kur u sulej kundërshtarëve politikë i droguar dhe tërbuar, sidomos ndaj intelektualëve të shquar (edhe për shkak të kompleksit të inferioritetit). Depëtimi vertikalisht dhe horizontalisht në botën e pistë dhe të ndyrë të tij, do ta pasuront efantazinë e autorit për ta skalitur figurën si gjeni i së keqes, me art të magjishëm.

 E megjithatë prapë figura historiko-artistike e tij nuk do të ishte e plotë, pa figurën e gruas së tij me shpirt të zi nga brenda, veshur me të bardha nga jashtë, e cila e ka futur nëpër labirinthe e gjyryze të pista duke nxitur ambicjen dhe natyrën kriminale të tij që kur u njohën dhe çiftosën në kohën e Luftës, por sidomos gjatë kohës kur sëmundjes së pushtetit absolut iu bashkangjit diabeti me halucinacionet e llahtarëshme, sa natën e ditën shihte armiq që kacavirshin drejt majës së fronit të pushtetit të tij absolut. Ndërsa shtriga “e bardhë” nga jashtë, katran nga brenda, në bashkëpunim me Pakurrizorin, (personazh kyç për tragjedinë) thurnin prapa perdes së natës së errët e të ftohtë, rrjeta merimangash helmuese për të zhdukur gjithë ATA, që mendonin se do ta çmitizonin pas vdekjes.

6
Figura të dimensioneve të tilla mundësojnë aplikimin e llojëve të ndryshmme e të larmishme të gjinive dhe formave të pafundme të artit që nga klasikja e realistja dhe gjer të modermnja e postmodernja; që nga farsa e gjer tragjedia. Integrimi i gjinive dhe formave në njera-tjetrën, do të ishte i domosdoshëm për të trajtuar figurën e tij në disa plane e dimensione. Skalitja me art të klasit të parë e këtij personazhi, ashtu siç ai ka qenë, gjeni i së keqes, kërkon art që synojë nivelin e epërm artistik dhe esteti. Kjo do të bënte që publiku ta urrejë me gjithë qenien e tij, e, nëse arrihet kjo, ai merr kënaqësi estetike dhe guxim të refuzojë, dënojë dhe të tërheq zvarrë cilindo që ndjek modelin e gjeniut të së keqes.

Ky do të ishte mesazh universal për çdo diktator dhe tiran në përgjithësi dhe mesazh tronditës për donkishotët, delirantët, njeri-ucët dhe neodiktaorët në realitetin e sotëm që tentojnë të kthejnë prapa rrotën e historisë: për pushtet e për para!....
Veprat e mëdha, përcellin mesazhe të mëdha në emër të lirisë, drejtësisë, humanizmit dhe progresit. Këtë e bën tragjedia, objek i së cilës është gjeniu i së keqes Enver Hoxha.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike