TIRANE- Përmasat e aksionit të policisë dhe interesi publik për ngjarjen e ndodhur në periferi të Elbasanit, u rrit së tepërmi që në momentin që u mësua se i përfshirë në rrjetin e trafikantëve ishte edhe nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha. Arrestimi i Ermal Hoxhës ngjalli reagime të forta në opinionin publik, pasi nuk pritej që një pinjoll i familjes Hoxha të katandisej në trafikant droge. Mënyrën e njohjes me lajmin e ardhjes në jetë të Ermalit dhe pritshmëritë që gjyshi i tij, Enver Hoxha ka pasur për të, i ka zbuluar në librin e tij pak kohë më parë djali i ish-diktatorit, Iliri në librin “Babai im, Enver Hoxha”. Enver Hoxha në bisedat dhe letërkëmbimet me djalin e tij, parashikon se nipi do të rritet dhe do të bëhet si një dragua.

Libri
Së bashku me Teutën menduam që për ditëlindjen e tij (të Enver Hoxhës), në vend të dhuratës, t’i jepnim një lajm shumë të gëzuar dhe po kaq të veçantë, që do t’i binte në dorë nëntë muaj më pas.‘I dashur baba. Unë dhe Teuta të urojmë ditëlindjen. U bëfsh dhe 100 vjeç. Kur ishim të vegjël, në ditëlindjen tënde bënim ndonjë vizatim ose merrnim angazhime që të dilnim mirë me mësime. Tani këtyre gjërave u ka ikur koha dhe ne të kemi bërë një dhuratë që besoj se do të të pëlqejë. Vetëm se na vjen keq që do ta marrësh pas nëntë muajsh. Rroftë gjyshi se na jep lodra (ishin fjalët e vendosura në gojën e një bebeje që kisha vizatuar).

16 tetor 1974
U gëzua shumë. Kur u takuam na përqafoi gjithë qejf për sihariqin që i dhamë. Por, siç e thashë, peshqeshi do të vinte pas disa muajsh dhe koha herë dukej sikur ecte shpejt e herë avash.Kur dita e mezipritur po afrohej, unë e pyesja babanë:‘Çfarë do të bëjë Teuta’? Ai më përgjigjej:‘Nuk mund ta përcaktoj unë se ç’është, djalë a vajzë. Ti mund të thuash se ç’dua unë. Unë dua qoftë djalë’, dhe pasi u mendua pak shtoi, ‘qoftë çupë’ dhe qeshi. ‘Që të dy i mirëpres me padurim. Po preferoj më mirë djalë, meqenëse të kam ty djalë më të madh, tjetri më bëri një çupë të mirë e të bukur dhe unë kërkoj që ti, domethënë Teuta’ dhe qesh, ‘se ti s’bën gjë, të bëjë një djalë që të bëhet trim, të bëhet dhe i vendosur për atdheun, të jetë i zgjuar e të mësojë mirë’.Ditën e ‘peshqeshit’ babai i çoi këtë letër Teutës në maternitet.

Lindja
‘Shumë e dashura Teuta.E merr me mend sa i papërshkruar ishte gëzimi im dhe i gjithë familjes, tani kur morëm lajmin gazmor që ti u çlirove dhe linde çunin e dashur që kishim paravendosur dhe na e linde të shëndetshëm e të bukur. Ma gëzove zemrën pa masë, vajza ime e dashur. Të na rrojë Ermali: siç ia kishim zgjedhur dhe vendosur emrin së toku, sa malet, të rrosh ti, Iliri, dhe ta rrisni të lumtur dhe të gëzuar, se dhe ai do na e bëjë dhe ne pleqve, gjyshes dhe gjyshit, jetën të lumtur edhe të gëzuar. Pres me padurim e e mall që ti dhe Ermali të më ktheheni sa më parë në shtëpi, do t’i shtyj me zor këto dite, por mendjen e kam tek ju, të dashurit e mi, që ju puth e ju puth me mall.Zërin e Ermalit e dëgjova të incizuar në magnetofon.

Pritshmëritë
Me të vërtetë ishte zë i fortë, si i partizanëve në male, si era që fryn e vrullshme nga malet dhe i hodhi në det armiqtë e atdheut. I tillë, dragua, duket se do të na bëhet vëllaçkua i Valbonës: Lumi dhe Mali. Kur të rriten ca, do ta bëjnë të gëzuar, do të buçasë nga zërat dhe lodrat e tyre dhe unë do të bëhem i ri, do të gëzoj tok me ta. Teuta e dashur, si kur lindi Valbona, ashtu dhe kur lindi Ermali, isha i fundit që e mësova lajmin. E dashura Teutë, të puth e të përqafoj me mall. Mos u mërzit, se pak ditë do të rrish në maternitet. Tpresim ne padurim në gjirin e familjes tënde që të do shumë, të presim me padurim: gjyshi dhe gjyshja që ju duan shumë ty dhe Ermalin. Babai tënd, Enver…

9 qershor 1975
Dita e mirëpritur erdhi. Unë vajta në mëngjes dhe e pyeta babain ç’ndiente dhe ai m’u përgjigj: ‘Sot është 14 qershor. Natyra qesh, shiko se ç’blerim është, mirëpo qesh dhe zemra e gjyshit se më hyn në shtëpi për herë të parë i vogli im i dashur, Ermali, djali i Ilirit dhe i Teutës. E pres me padurim, o Lilo. U çova në mëngjes, i hodha një vështrim fotografisë të tij që kam te koka e krevatit dhe i thashë: Buçko, sot do të më vish dhe do të të marr në duar dhe do të të çoj në krevatin tënd, që ka qenë krevati ku ka fjetur dhe babai tënd kur ka qene i vogël si ti.

Dëshira ime është të arrij të rroj, të shoh në po të njëjtin krevat, dhe djalin tënd, o Ermal. Kjo nuk është e pamundur, se gjyshi është kockë e fortë. Po shko, shiko se ç’bën gjyshja’. Pasi bëmë fotografi, regjistruam filma, incizuam në magnetofon, me djalin në duar, shkuam te dhoma, ku do ta vinim në krevat.‘Dale-dale, se do ta vejë gjyshi në krevatin e tij. Hë, të na rritesh. Ky është i bukur, mo! Ju ndaloj ta puthni, veçse Teutës i lejohet. Shiko, unë them se i ngjan Teutës nga fytyra, ndërsa kokën e ka të bukur si të Lilos.

Qesh pak, o trimi i gjyshit ti! Prit t’i flas njëherë dibrançe (‘Jo, jo, thotë mamaja, qe është nga Dibra). E po mirë do t’ i flas gjirokastritçe: Si i ke sitë, jeshile apo si thëngjill. Ja, shiko si i merr erë gjyshi në faqe prandaj ia vuri Ermal. Të mori gjyshi në fotografi, film, kur të rritesh do t’i shohësh’.Nga muhabetet djali fillon të zgjohet dhe ai i thotë: ‘Qaj një çikë të të dëgjojë gjyshi, shih si i dridhet buza’…”.

Dëshirat
Dëshira ime është të arrij të rroj, të shoh në po të njëjtin krevat, dhe djalin tënd, o Ermal. Kjo nuk është e pamundur, se gjyshi është kockë e fortë.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)