13 vjet pas shpërthimit të luftës civile në Siri, duket se diktatorit Bashar al-Asad po i vjen fundi. Kryengritësit, shumica islamistë, janë duke iu afruar Damaskut.
Kthesa e fundit dramatike në konfliktin e përgjakshëm e shumëvjeçar në Siri filloi më 27 nëntor. Brenda pak ditësh kryengritësit kundër regjimit të diktatorit Bashar al-Asad arritën disa fitore të rëndësishme.
Pushtuan qytetin e Halepit, i cili është metropoli i dytë më i madh i vendit pas Damaskut. Pastaj morën qytete të tjera dhe nisën marshimin drejt Damaskut. Për shumë njerëz, ofensiva ishte befasuese, por në të vërtetë ajo ishte planifikuar me muaj të tërë, siçraportuan për revistën gjermane DER SPIEGEL luftëtarët dhe vëzhguesit në Siri.
Për ata që kanë harruar: lufta në Siri nisi më 2011, para 13 viteve, kur presidenti Bashar al-Asad iu përgjigj me dhunë protestave në shumë pjesë të vendit. Si pasojë e fushatës brutale të al-Asadit kundër popullit të vet, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, janë vrarë tashmë mbi 300 mijë njerëz. Pasi i shpëtoi rrëzimit në fillim të luftës,
Asadi arriti të konsolidojë pushtetin. Në vitin 2020 grupet e ndryshme të armatosura dhe regjimi i al-Asadit arritën një armëpushim. Nga atëherë diktatori kontrollonte dy të tretat e Sirisë. Rivalët e tij mbanin nën kontroll territore të rëndësishme në veri të vendit.
Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump shkroi të shtunën në rrjetet sociale mbi gjendjen në Siri: “Shtetet e Bashkuara nuk duhet të kenë asnjë lidhje me këtë. kjo nuk është lufta jonë, lëreni të zhvillohet. mos u përzieni!”. (Në rastet kur mendon se po shprehet për ngjarje të rëndësishme, Trump shkruan me shkronja të mëdha).
Trump gjithashtu argumentoi se, nëse rebelët sirianë arrijnë ta largojnë nga pushteti presidentin Bashar al-Asad, kjo “mund të jetë në fakt gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë” Rusisë, duke argumentuar se ajo është shumë e zënë me luftën në Ukrainë dhe nuk ka kohë të stopojë luftëtarët rebelë sirianë.
Kush janë rebelët sirianë që po luftojnë Bashar al-Asadin? Në vijim një prezantim i këtyre grupeve, sipas CNN: koalicioni i kryengritësve të Sirisë përbëhet nga fraksione islamiste dhe të moderuara të cilat, pavarësisht dallimeve mes tyre, janë të bashkuara në luftën kundër regjimit të al-Asadit, ISIS-it dhe milicive të mbështetura nga Irani.
Disa nga grupet që formojnë këtë koalicion janë këto:
Hayat Tahrir Al Sham (HTS): Grupi më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm është HTS, i njohur gjithashtu si Organizata për Çlirimin e Levantit. HTS u themelua nga Abu Mohamad al-Jolani, një komandant ushtarak që fitoi përvojë si luftëtar i ri për al-Kaidën kundër Shteteve të Bashkuara në Irak. Ai themeloi Jabhat al-Nusra, dega siriane e al-Kaidës, dhe e drejtoi grupin deri në ndarjen publike më 2016 për shkak të mosmarrëveshjeve ideologjike dhe kundërshtimit ndaj ISIS-it. Jolani formoi HTS në vitin 2017. Pavarësisht përpjekjeve të Jolanit për ta distancuar HTS nga al-Kaida dhe ISIS, SHBA dhe vendet e tjera perëndimore e shpallën atë organizatë terroriste në vitin 2018 dhe vendosën një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kapjen e tij.
Ushtria Kombëtare Siriane (SNA): ky grup përfshin dhjetëra fraksione me ideologji të ndryshme që marrin fonde dhe armë nga Turqia. Pjesë e grupit është Fronti për Çlirim Kombëtar dhe fraksioni Ahrar al-Sham, që po ashtu synon përmbysjen e regjimit të Asadit dhe krijimin e një “shteti islamik të qeverisur nga ligji i Sheriatit.” Situatën e ndërlikon fakti që disa anëtarë të koalicionit kryengritës po luftojnë gjithashtu kundër forcave kurde. Javën e kaluar, Ushtria e Lirë Siriane, e mbështetur nga Turqia, deklaroi se kishte marrë kontrollin e qytetit Tal Rifat dhe qyteteve e fshatrave të tjera në pjesën veriore të krahinës të Halepit. Ato territore nuk ishin të kontrolluara nga qeveria e Asadit, por nga një tjetër fraksion i përfshirë në luftën civile shumëpalëshe, i cili quhet Forcat Demokratike Siriane.
Forcat Demokratike Siriane përbëhen kryesisht nga luftëtarë kurdë nga një grup i njohur si Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), të cilat konsiderohen organizatë terroriste nga Turqia.
Në jug të Sirisë, luftëtarët nga pakica fetare druze janë gjithashtu të përfshirë në luftë. Druzët po luftojnë në qytetin jugor të as-Suvajda, i cili ndodhet pranë provincës Dara, ku forcat e opozitës pretendojnë se kanë marrë kontrollin e qytetit Dara.
Duket se në mesin e ushtrisë së al-Asadit mbretëron panik. Më shumë se 1000 ushtarë kanë mbërritur në Irak përmes një pikëkalimi kufitar në pjesën lindore të Sirisë. Agjencia shtetërore e lajmeve të Irakut, duke cituar një burim ushtarak, njoftoi se “Iraku ka pranuar sot më shumë se një mijë ushtarë të ushtrisë siriane përmes pikëkalimit kufitar al-Kaim në provincën Anbar”. Zyra e presidentit bëri të ditur se Bashar al-Asadi nuk është larguar nga Damasku, pavarësisht faktit që kryengritësit po përparojnë drejt kryeqytetit.
“Disa media të huaja po përhapin thashetheme dhe lajme të rreme për largimin e presidentit Bashar al-Asad nga Damasku, ose për vizita të ngutshme në një shtet tjetër,” njoftoi presidenca në një deklaratë të shtunën. “Presidenti po ndjek punën dhe detyrat e tij kombëtare dhe kushtetuese nga kryeqyteti, Damasku”. Pyetja është – edhe sa? Dhe a është kjo nata e fundit e al-Asadit në Damask?
Rusia po përpiqet të bëjë “gjithçka” që të “mos lejojë terroristët të mbizotërojnë” në Siri, tha të shtunën ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov. Që nga viti 2015, avionët rusë kanë ndihmuar forcat e Bashar al-Asadit në sulmet kundër luftëtarëve kryengritës. Lavrov pranoi se Rusia është duke e përkrahur ushtrinë siriane me forca ajrore. “Cili është parashikimi? Nuk mund ta hamendësoj. Nuk merremi me parashikime.”
Përveç nga Rusia, al-Asadi mbështetet kryesisht nga Irani dhe nga Hizbollahu, një milici shiite me ndikim në Liban. Pas sulmeve të ashpra të Izraelit, Hizbollahu është dobësuar ndjeshëm dhe nuk është në gjendje si deri më tani t’ia mbajë anën ushtrisë siriane. Për shkak të luftës në Ukrainë, Rusia ka zhvendosur fokusin atje dhe e ka lënë anash Sirinë. Kundërshtarët e al-Asadit duket se po e shfrytëzojnë këtë vakuum. Një rol të rëndësishëm në këtë konflikt luan edhe Turqia: ajo është që prej fillimit të luftës një nga mbështetëset kryesore të luftëtarëve islamikë në Siri që luftojnë kundër al-Asadit.
Gazeta në gjuhën arabe “Sharq al-Aësat” me seli në Londër kështu e komenton gjendjen në Siri: “Që në vitin 2015, dukej se rrëzimi i al- Asadit ishte i pashmangshëm. Por ai arriti të shpëtojë politikisht edhe një herë. Sot, megjithatë, rrethanat janë të ndryshme. Lufta e fundit mes Izraelit dhe Iranit, si dhe aleatëve të tij, ka paralizuar Teheranin.
Nëse trupat iraniane kalojnë tani kufirin me Sirinë, Izraeli mund të ndërhyjë. Al-Asadi shpreson kryesisht për ndihmë ushtarake nga Rusia. Por koha është e shkurtër, pasi fraksionet e armatosura po i afrohen Damaskut dhe Rusia është e angazhuar në një luftë më të madhe në Ukrainë. Al-Asadi mund të shpresojë vetëm në një mrekulli, dhe kjo mrekulli mund të vijë në formën e bisedimeve me Turqinë”./Koha
Kjo eshte nje organizate terroriste e sponsorizuar nga usa dhe izraeli dhe nuk eshte si thone kryengritje e popullit Sirian . Nuk kane per ta rrezuar dot Asadin edhe sado qe te bejne propagande
Përgjigju