Kështu shkruan Enver Hoxha në një letër për Nako Spirun në fillim të vitit 1944, kur ai së bashku me një pjesë të Shtabit të UNÇ, sapo kishte dalë nga rrethimi tremujor në zonën e Çermenikës, dhe njoftonte, se më në fund kishte mbërritur në Korçë, dhe e informonte për sulmet dhe organizimet e forcave partizane... Thelbi i letrës në fakt janë pikërisht porositë e mësipërme, që jepen në faqen e dytë të këtij dokumenti, përzgjedhur për lexuesin tonë.
Letra është shkëputur nga dosja Nr.76 e vitit 1944, nga fondi i Partisë Komuniste Shqiptare, Nr.14, në Arkivin Qëndror të Shtetit. Faqja e dytë e dokumentit është e mbushur me porosi dhe tërheqje vëmendje për të pasur nën vëzhgim ata persona, rreth të cilëve duket se Hoxha ka mësuar gjëra që e kanë shqetësuar. Mes tyre emri i Kristo Frashërit, për lexuesin e gjerë ngacmon mjaft. Por çfarë pozicioni kishte në kohën e luftës Prof. Kristo Frashëri dhe pse Enver Hoxha trembej prej tij? Po Nasi Mariani, Isuf Keçi, Agron Çorati etj?
Për të kuptuar pak më shumë se çfarë përcillet mes rreshtave të kësaj letre, nevojitet të analizojmë sfondin historik ku zhvillohen ngjarjet, gjë që hedh më tepër dritë, mbi atë çka fshihet pas “porosive” të letrës së Hoxhës për Nako Spirun.
Më 8 nëntor 1941 u krijua Partia Komuniste Shqiptare, një parti e re, si dhe Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare, ku merrnin pjesë anëtarë që vinin nga grupet komuniste. Anëtarët e KQ PKSH, gjithsej 7, nuk përfaqësonin figura të njohura në lëvizjen ekzistuese komuniste, pra nuk kishin përvojë; ata ishin relativisht të rinj, si nga mosha ashtu edhe nga veprimtaria e tyre politike, përjashtuar Vasil Shanton ose Qemal Stafën. Por si ndodhi kjo, kur deri atëherë në Lëvizjen komuniste të Shqipërisë ishin angazhuar komunistë me një profil të spikatur politik e kulturor?
Dy emisarët jugosllavë që erdhën në Shqipëri, Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, luajtën rolin e arbitrit në krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Ata përzgjodhën të rinj komunistë, me të cilët e kishin më të lehtë të vepronin e t’i formatonin sipas parametrave të tyre, pra, me fjalë të tjera sipas modelit të komunistit jugosllav.
Kurse kryetarët e disa anëtarë me autoritet të grupeve komuniste që ekzistonin në atë kohë, siç ishte grupi komunist i Shkodrës me në krye Zef Malën, grupi komunist i Zjarrit, grupi komunist i Korçës, i të rinjve, ishin në përgjithësi personalitete, që njihnin literaturën, njihnin historinë e lëvizjes komuniste, si Koço Tashko, Anastas Lulo, Sadik Premte etj.
Prandaj në mbledhjen e krijimit të Partisë u vendos që të shkriheshin grupet komuniste ekzistuese dhe të krijohej partia e re komuniste me një Komitet Qëndror të ri të përkohshëm. Kjo do të thoshte që të gjithë anëtarët e Partisë Komuniste Shqiptare do të shkëpusnin lidhjet me grupet e vjetra, pra nuk do ta konsideronin veten anëtarë të grupit të Shkodrës, të Korçës, etj., por do ta konsideronin veten vetëm anëtarë të Partisë së re Komuniste Shqiptare. Dhe për këtë do të krijoheshin celulat e reja të Partisë Komuniste Shqiptare dhe ata do të militonin si nga ana organizative dhe politike në radhët e këtyre celulave.
Për sa u takonte kryetarëve të grupeve komuniste, të cilët ishin të pranishëm në mbledhjen e formimit të Partisë, u mor vendim që asnjëri prej tyre të mos merrte pjesë në Komitetin Qëndror që u krijua. Arsyeja, ata u ngarkuan me përgjegjësinë se kishin stimuluar mosmarrveshje midis grupeve komuniste dhe nuk kishin arritur të krijonin një Parti Komuniste në Shqipëri. Njëkohësisht meqë ishin figura me nivel të lartë kulturor u vendos që këta të merreshin me përkthime të literaturës së huaj komuniste që do të hynte në Shqipëri dhe u shpallën “anëtarë nderi” të Partisë.
Sa i takon këtij dokumenti, Grupi i Zjarrit, ku bënte pjesë edhe Kristo Frashëri i ruajti lidhjet e vjetra, dhe kjo nuk i pëlqeu udhëheqjes së Partisë Komuniste Shqiptare. Për më tepër këta emra që përmenden aty janë anëtarë të grupit komunist të Zjarrit ose të të Rinjve, të cilët deri në njëfarë shkalle i mbanin fshehurazi lidhjet e vjetra me anëtarët e ish-grupeve komuniste.
Në prill ‘42 u bë mbledhja e parë e Partisë Komuniste dhe ata u përjashtuan nga Partia, kryesisht për këto lidhje.
Më pas, edhe në mars të vitit 1943 në Labinot, ku u rithemelua Komiteti Qendror i përhershëm i PKSH dhe Enver Hoxha u zgjodh sekretar i përgjithshëm,(deri atëherë ai ishte një anëtar i thjeshtë i K.Q, njëri midis të shtatëve)në këtë mbledhje pra, iu mëshua sërish faktit që lidhjet e vjetra po vazhdojnë të mbahen. Dhe në fakt grupi i të Rinjve dhe grupi i Zjarrit u ndoqën këmba-këmbës, madje edhe pas çlirimit. Njëri pas tjetrit u përjashtuan të gjithë nga PKSH, madje pati edhe nga ata që u burgosën apo u internuan. Kjo pasi Enver Hoxha gjithmonë kishte frikë nga organizimi dhe veprimtaria e atyre, të cilët nuk aspironin për një komunizëm ekstrem por për një komunizëm me ngjyra social-demokrate.
Dokumenti i plotë
I dashuri shok Deti,
Pas kaq vuajtjeve aritëm në Korçë dhe muarëm kontakt me shokët. Erdhëm nga ana e Shpatit, dhe vumë gadi 20 e ca dit për të kaluar mik në mik gjithë zonën Shpat Vërçë. Situatën në Çermenikë e lamë të pa ndryshuar, kishte mjaft reaksion, kurse në Shpat e Vërçë si do që kishte disa çeta Balliste, populli e urrente Ballin dhe kishte shumë simpathi për ne. Kudo që vamë në miq e në shokë na kanë pritur si jo më mirë. Kur ndodheshim në Kishtë një batalion i yni i Korçës i komanduar prej Riza Kodhelit vetëm me daljen e tij në Shënepremte dhe pa hedhur as një pushkë vuri në ikje gjithë forcat Balliste që ishin grumbulluar në Vërçë, që prej Riza Kishtës e deri te Maliq Dushari e Musa be i Moglicës të gjithë në Elbasan e mbajtin vrapin nga frika.
Vetëm ardhja e këtij batalioni bëri që të zbrazesh tereni prej ballistëve. Këtë e pamë vetë me sy, bile dhe tërheqien e tyre të pa rregullt. Këtu situata nuk është ashtu e vështirë si nga ajo anë. Brigada e I-rë e cila ka luftuar mirë ku do që ka qenë, ishte thirur me urgjencë prej shokëve nga Berati dhe Mehmet Shehun me tre batalione e çuan në Çermenikë të na merte ne. Mehmeti kaloj Shkumbinin dhe tash është në Çermenikë, por ne kishim ik nga Shpati. Pjesa tjetër e Brigadës nënë komandën e Tukut po vepron në Mokër dhe sa po marim lajmin nga Tuku se në një përpjekje që kanë patur me Gjermano Ballistat, kanë dalë fitues. Ja ç’shkruan Tuku dhe këto i shtypni në komunikat. “Pasi spastruam zonën e Tomoricës dhe shpartalluan fuqitë e Xhaf Balit u hodhëm në Mokër.
Në Shkozë dhe Këmbëthekër një pjesë kompanije e batalionit të IV të Brigadës I-rë u ndesh me ca ballista dhe i shpartalloj. Ballistat shkuan në Sevjan dhe muarën Gjermanët dhe goditën shokët në befasi. Me një herë forca të tjera të batalionit të IV u vanë në ndihmë dhe i shpartalluan përsëri. Në përpjekje na u vranë 2 shokë, nga ata u vra një ballist. Me 4 Mars një fuqi e madhe Gjermane avanconte në drejtim të Mokrës dyke ardh nga Quksi dhe nga Pogradeci. Mas një luftimi të shkurtën forcat tona ishin tërhjek nga Mokra. Në kët përpjekje ishin vrarë dy Gjermanë dhe një ballist, nga ana e jonë 2 të plagosur lehtë.
Në mëngjesin e datës 7 forcat tona kompletuan rethimin e -00 ballistëve. Rethimi u bë i plotë, dhe mbas dy orë luftimi u kapën rob të -00 ballistat e ma tepër se 70 u vranë në luftim. U kapën armë e municion i pa numë e municion i pa numërt dhe komandantët e tyre të cilët passi u gjykuan i egzekutuan para ballistave dhe popullit të Mokrës. Komandantët që u zunë rob, që u gjykuan dhe u egzekutuan ishin: Haki Blloshmi, Xhevdet Blloshmi, Bame Trebinja, Sadik be Trebi, Xheladin ago Selca, Adem Ago Velçani, Adem Kapri, dhe i biri i Hasan Be Velçanit”. Si e shef Brigada e I-rë po lëfton për mrekulli, shpirti i sakrificës, guximi i partizanëve është i madh.
Brigada e katërt vepron në gore, Opar e fushë. Ka bërë spastrime dhe s’gjen as një rezistencë. Në një përpjekje që është bërë në Lozhan afëro 400 ballista janë shpartalluar, nja 10 janë vrarë.
Hala s’jemi ambientuar me situatën dhe me punën, nuk dimë mjaft gjëra pse kemi vetëm dy dit që kemi ardhur. Kemi kënduar vetëm dy letrat e tua, por si do qoftë me të marë letrën duhet të na nisësh një raport të gjerë për gjithë punën që zhvillohet aty, me hollësira. Të na raportosh aktivitetin e shokëve e sidomos të shokëve udhëheqës, qëndrimin e tyre. Të na raportosh çështjen e Rinis dhe të na çosh ç’do raport që vjen nga terenet për Komitetin Qëndror. Shokët qahen për lidhje që si keni mbajt as pak në rregull. Unë nuk di për këtë punë po pa tjetër këjo gjë duhet të ndreqet dhe të stabilizohen lidhjet e rregullta me Korçën me ç’do kusht. Të interesoheni sa marë te Shulia për Radion transmetuese që kanë ata dhe mereni e përpiquni ta rregulloni dhe kështu të bëjmë kontaktin me ju me anë radio. Po ta bëjmë këtë, kemi bërë një gjë të madhe. Prandaj mos e leni mas dore.
Sejfullahu ç’gatuan aty? Për çështjen e Partis Social Demokrate që më shkruaje në Çermenikë, mua Sejfullahu smë ka fjalosur as pak, dhe unë s’jam i mendimit që ne të vëmë forcat për ta krijuar dhe të largojmë elementa nga fronti gjoja për ti afruar. Nuk di se deri ku keni vajtur, por do të fjalos me shokët dhe do tu shkruajm. Si do qoftë mos bëni gjë pa marë lajme këndej. Dr. Nishani dhe Boshnjaku nevojiten të vinë këndej, prandaj studioni nga ana e Pezës mundësit e daljes së tyre dhe kërkonani këtu ndihmën e tju çojmë forca për me i marë në ndo një vënd ku ta caktoni juve më përshtatshëm.
Shokët që vinë nga Italia o gjetkë nga vënde të huaja të na raportohen emërat e tyre dhe ç’do informatë që munt të keni mbi ta. Të mos futen në Parti pa marë aprovimin e jonë. As një që thotë se kam qënë në celulë në Itali ose në Parti Italiane të mos futet në Parti pa urdhënin e K.Q.
Një kujdes të veçantë të keni për çështjen organizative të Partis. Shokët ti hapin sytë dhe ti bëjnë katër, kundër armiqve të Partis, kundër grupazheve të cilët pa tjetër po punojnë nënë rogoz. Kujdes në Kristo Frashëri, Nasi Mariani, Shureti, Ilo Panduku, Peçe, Isuf Keç, Agron Çorat, vëllaj i tij, kujdes në lidhjet e tyre të vjetra, kujdes i madh se një mëngjes do të na bjerë ndo një tullë në kokë. Për këtë çështje që më preokupon shumë pse kam disa gjëra që kam mësue, do të të shkruaj më gjatë dhe më me hollësi passi të çlodhem disa dit.
Na dërgoni shtypin, na dërgoni hollësira të punës së këshilltarëve, do tu çojmë artikuj, vetëm duhet të rregulloni me urgjencë lidhjet. Këtë letrë ja jep Delegates (Nexhmije Hoxha, shënim i redaksisë).
Shumë të fala të bëjnë gjithë shokët dhe unë të përqafoj me madh o ish shoku im i mizeries. Si vete me sëmundje?
Me urgjencë më të madhe letrën që të çojmë për Dibrë Sllovë të çohet me ç’do kusht me anë Peshkopis. Të mos vonohet as një ditë në Tiranë dhe as në Peshkopi. Këjo ka karakter urgjent, shumë urgjent se ka lidhje me shokët që kanë ardhur nga Titua.
Përgjegju letrës që të ka çuar Ali Gostivari.
A keni marë vesh për Vasilin.
Arkivi Qendror i PPSH
Fondi 14, dosja 76, viti 1944
Shkrimi u publikua sot (23.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)