Dëshmia: Enverin e kisha shok dhome në Liceun e Korçës, ku ai përzihej me lloj-lloj horash, vagabondësh dhe femra imorale

Dëshmia: Enverin e kisha shok dhome në Liceun e Korçës, ku ai përzihej me lloj-lloj horash, vagabondësh dhe femra imorale

Enver Hoxha

Për profesor Foto Balën, kisha dëgjuar përpara se ta njihja personalisht nga shokët e mi, që kishin vazhduar gjimnazin e Gjirokastrës në vitet 1945-‘46, ku ai u jepte gjuhën frënge. E dija se ishte nga Vunoi i Himarës dhe babai i tij, Dhimitër Bala, kishte qenë një fanolist i zjarrtë dhe prefekt i Gjirokastrës, gjatë viteve 1920-‘24. Me ardhjen e Zogut në fuqi, në dhjetor të vitit 1924, Dhimitri emigron jashtë shtetit dhe kthehet më 1939-ën, si shumë shokë të tij.

Më 1945, Dhimitër Bala, në moshën 65 vjeç, dënohet me vdekje dhe ekzekutohet nga diktatura komuniste. Foton e njoha më 1962, në burgun e Burrelit, ku ai vuante dënimin qysh prej vitit 1947. U miqësuam shpejt me njërit-tjetrin, se na lidhte profesioni dhe ideali antikomunist.

Ndodheshim në një kaush së bashku dhe shtretërit i kishim ngjitur. Ishte njeri i kulturuar, zotëronte tri gjuhë të huaja: frëngjisht, italisht, greqisht dhe ishte njohës i thelle i filozofisë e i historisë botërore. Ishte diplomuar në filozofi në Universitetin e Monpeljesë dhe kishte punuar në Liceun francez të Korçës. Kishte qenë apolitik, para se ta dënonin.

Ne bisedat që bënim më fliste për të kaluarën e tij, që e gjykonte si fatalitet: “Në Gjirokastër, jam njohur me Enver Hoxhën qysh kur isha 12 vjeç. Ishim moshatarë dhe së bashku shkuam në Korçë për të vazhduar Liceun. Kishte një zgjuarsi diabolike dhe ishte pervers. Flija me të në një dhomë, por akoma s’e kisha njohur ashtu si duhej. Kur mbaruam Liceun, na u dha bursa e shtetit, për të vazhduar studimet e larta në Monpelje të Francës, megjithëse unë isha me baba të arratisur politik. Ja, ky ishte regjimi i Zogut, që disa kalemxhinj faqezinj, e quajnë diktaturë obskurantiste.

Edhe në Monpelje qëndrova në një dhomë me Enverin. U ndava me të, kur ai mbeti në klasë dhe u detyrua të largohej. Ishte i pabesë. Më punonte lloj-lloj poshtërsish, që unë i kuptoja me vonesë. Sa herë e kisha sharë dhe pështyrë në fytyrë, por ai zgërdhihej. Ishte i pacipë. Kur u largua nga Franca, thashë se shpëtova prej tij, po fati më bashkoi përsëri në Liceun e Korçës, gjatë viteve tridhjetë. Më kishte s’mirë, se unë isha i diplomuar, emëruar profesor, me rrogë bazë 220 franga ar në muaj, kurse ai paguhej me orë mësimi, 130 franga.

Në Korçë përzihej me lloj-lloj vagabondësh dhe me femra imorale. Katër herë kishte marrë sëmundje veneriane. Në një gjyq të zhvilluar në Bruksel, kundër një grupi agjentësh sovjetikë, me 1939, emri i Enver Hoxhës u përmend disa herë nga të pandehurit dhe nga prokurori belg. Në dhjetor të 1944-ës ndodhesha në Tiranë. Më erdhën në shtëpi Fejzi Dika dhe Nonda Bulka e më propozuan, për t’i bërë një vizitë Enver Hoxhës, që banonte në hotel “Dajti”. Në fillim refuzova. E njihja më mirë se ata se kush ishte Enveri, por, meqë këmbëngulën, pranova dhe u nisëm të tre për te selia e diktatorit. Në sallon na priti adjutanti i tij, një kapiten i ri, me fytyrë të egër. I thamë se ishim ish-shokët e Komandantit të Përgjithshëm dhe i dhamë emrat tanë.

Mbas disa minutash kapiteni u kthye më i vrenjtur se ç’ishte dhe na tha se; komandanti nuk do të na priste, mbasi ishte i zënë me punë. Më hipi gjaku në kokë. E! U thashë shokëve kur dolëm nga hotel “Dajti”; e morët vesh se kush është Enver Hoxha?! Mjerë ky popull në ç’duar ka rënë! Ata kishin mbetur si të shokuar dhe s’e hapën gojën. Fejziu dridhej nga inati dhe pështynte vazhdimisht në tokë.

Një herë tjetër, duke biseduar me Foton për shkaqet e fitores së komunizmit në Shqipëri, ai radhiste si faktor nr.1, zemërgjerësinë e autoriteteve kuislinge, ndaj komunistëve dhe numëronte me dhjetëra fakte, se si funksionarë të lartë, ndihmonin lëvizjen komuniste.

“Do të të tregoj një fakt, ku kam qenë dëshmitar okular”

– më tha, duke u vrenjtur në fytyrë:

“Ishte vera e vitit 1943. Babai im, Dhimitri, në atë kohë, kishte funksionin e kuestorit (shef policie) të prefekturës së Durrësit. Unë kisha shkuar atje, së bashku me familjen, për të kaluar pushimet. Një ditë, kur ndodhesha në zyrën e babait, hyri ordinanca e tij, dhe lajmëroi se Enver Sazani, Shefqet Beja dhe Sheh Karbunara, dëshironin ta takonin kuestorin. Babai dha urdhër që të futeshin brenda dhe kur ata u futën, më prezantoi me ta. Kamerieri solli kafetë dhe llokumet e mirëseardhjes. Nga mënyra e përshëndetjes, dukej se ishin të njohur prej kohësh. Pa pikën e druajtjes, filluan bisedat politike anti-Boshtit; Romë-Berlin-Tokio dhe pro Aleatëve.

Flitej me admirim për betejën e Kurskut, ku gjermanët kishin lënë me qindra tanke të shkatërruara dhe për fitoret e tjera të Ushtrisë së Kuqe. Flitej me entuziazëm për një emision të Radio Londrës, ku u thureshin lavde Myslym Pezës, Mestan Ujanikut dhe të tjerë udhëheqësve të çetave partizane. Në zyrën e kuestorit të policisë, flitej si në një bazë ilegale të Partisë Komuniste.

Nga fundi i bisedës, doktor Enver Sazani, anëtar i Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar për prefekturën e Durrësit, mori një qëndrim zyrtar dhe iu drejtua babait me këto falë: “Zoti Dhimitër! Duhet të shkoni pranë Komandës së Karabinierisë, për lirimin e një shoferi të arrestuar dje në Urën e Dajlanit, nga karabinieria italiane, nën ndenjësen e të cilit, u gjetën 10 pistoleta dhe 500 fishekë. Këto armatime, me urdhër nga lart, do t’i dërgoheshin Qarkorit të Gjirokastrës.

Kemi frikë se mos italianët përdorin tortura ndaj shoferit dhe ai dekonspiron shokët e Qarkorit, që kanë lidhje me të, ju lutem, të ndërhyni sa më parë, duke i dhënë çështjes karakter ordiner, se gjoja armët do shiteshin për fitime personale dhe ishin blerë nga persona të panjohur”. Më kot mundohej babai t’ua mbushte mendjen, se kompetencat e tij, nuk e lejonin të ndërhynte në Komandën e Karabinierisë dhe se komandanti i saj, për prefekturën e Durrësit, ishte një nënkolonel italian, shumë rigoroz dhe i pakorruptueshëm. Atëherë u ngrit Shefqet Beja dhe i tha babait:

“Këtë detyrë, zoti Dhimitër, do ta kryeni me çdo kusht. Kjo është gur prove për devotshmërinë tuaj ndaj popullit, ndaj atdheut!” Mbas shumë debatesh babai çedoi dhe pranoi të shkonte në Komandën e Karabinierisë, për ndërhyrje në favor të shoferit të arrestuar. Mbasi morën premtimin nga Dhimitri u larguan, duke më përshëndetur dhe mua. Gjatë gjithë bisedës, unë s’hapa asnjëherë gojë. Isha fryrë aq shumë kundër babait. Prisja me padurim largimin e tyre. Dhe, me të ikur, i them tim eti:

“Ç’po bën, mor baba, a je në vete?! Si pranon që në zyrën tënde të të bëjnë presion përfaqësuesit e Nacionalçlirimtares dhe të të flasin haptazi kundër Boshtit dhe pro Aleatëve?! Si pranon të ndërmjetësosh për lirimin nga burgu të një terroristi komunist? Nuk të kuptoj baba, pse sillesh kështu”?!

“Po çfarë të bëj, mor bir? Si mund t’i arrestoj shqiptarët dhe t’ua dorëzoj pushtuesve italianë?! Mos e dhëntë Zoti një gjë të tillë! I di të gjitha: kush janë komunistët, ku i kanë bazat, ku i bëjnë mbledhjet, por asnjëherë nuk do të vë dorë seriozisht mbi ta. Është okupatori në mes”.

“Po komunistët nuk do t’jua dinë për nder, këto që bëni për ta sot. Ata do t’ju dënojnë, po të marrin pushtetin”.

“S’ka gjë, mor bir, le të na dënojnë. Këto që bëjmë i di populli, i di Atdheu, i di Zoti. Ne, kështu na dikton zemra dhe edukata jonë, të mos e shesim asnjëherë shqiptarin tek i huaji, sado i lig që të jetë”. – më tha babai e uli sytë me një pikëllim, që s’e kishte parë asnjëherë gjatë jetës sime.

Megjithëse në gjyq i dolën mjaft dëshmitarë, të cilët vërtetuan me fakte bindëse për ndihmën që i kish dhënë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, atë e dënuan me vdekje dhe e pushkatuan, ashtu si shumë shokë të tij”.

“Më 1945, më caktuan profesor në gjimnazin e Gjirokastrës, duke më survejuar natë e ditë, derisa më arrestuan nga mesi i vitit 1946. U akuzova se kishim krijuar grupin e Neoballistëve, se ishim lidhur me misionet anglo-amerikane dhe plot marrëzira të këtij lloji, që jo vetëm si kishim bërë, por as në ëndërr s’i kishim parë. Më dërguan në Tiranë. Në fillim më trajtuan butë, por, kur unë nuk pranova të pohoja ato që më servirnin, hetuesit “xhentilë”, filluan torturat, nga Mihallaq Zeçishti, Stavri Xhara, Kadri Hazbiu, e të tjerë, që tmerrohem edhe sot, kur i kujtoj. U thashë se isha gati të pranoja çfarë të donin, vetëm të ndalonin torturat.

U ndritën sytë dhe filluan menjëherë të mbushnin proces-verbalet, duke shkruar se isha anëtar i Kryesisë së Komitetit Neoballist, se isha agjent anglo-amerikan-francez, se do të vritnim gra, pleq dhe fëmijë, madje dhe Krishtin e Muhamedin, po të ishin gjallë dhe plot marrëzira të neveritshme, që vetëm mendja e komunistëve, mund të shpikë. I ndjeri Enver Sazani, me të cilin qëndrova disa ditë në një qeli, më tregoi se hetuesi Mihallaq Ziçishti, i kishte djegur sytë me cigare, gjersa i kishte marrë pohimin, se ishte agjent anglo-amerikan-francez.

Doktor Sazani, më tregonte ato ditë të fundit të jetës së tij se, hiena Mihallaq, i kishte pas thënë se këto pohime, i donin shokët jugosllavë, për të demaskuar imperializmin, po nuk i tha se ky kishte qenë një nga planet e shumta sllavo-komuniste, për zhdukjen e inteligjencës tonë, zbatuar me servilizëm nga Enver Hoxha dhe xhelatët e tij. Shumë nga ata, që nuk pranuan të bëheshin “bilbila”, dhe shumë nga ata, që u bënë të tillë, u dënuan me burgim të përjetshëm, për të vuajtur si Sizifi i mitologjisë.

Kam bërë 17 vjet burg, gjer tani dhe një Zot e di sa do të vuaj ende. Para disa muajsh, i bëra një letër Enverit, për të më falur dënimin e mbetur, vetëm që të gjeja nënën gjallë. Doja ta varrosja me duart e mia, se babait as varrin nuk ia dija, po katili ma kundërshtoi kërkesën dhe dha urdhër për të më internuar familjen në Tërbuf. Ja pra, sa shpirtmizor është Enver Hoxha. Dhe Timur Lengu do ta kishte zili”.

Profesor Foto Bala u lira nga burgu i Burrelit mbas 19 vjet vuajtjesh, me një koleksion sëmundjesh, megjithatë mbijetoi. U gjallërua pa masë, kur vdiq diktatori. “Tashti le të vdes, – më tha, – jam i lumtur”. Jetoi gjer në fillim të vitit 1991, duke parë dhe agimin e demokracisë. Në librin e diktatorit; “Kur hidheshin themelet”, ai shkruan se Foto Bala, u bë bashkëpunëtor i fashistëve italianë dhe për këtë mori dënimin e merituar nga gjyqi i popullit”. O tempora! O mores!

Nuk kisha veçse dy javë që ndodhesha në burgun e Burrelit, kur në mbrëmje, i shoqëruar nga gardiani për në WC, dallova në sfondin e korridorit, një njeri me raso të zezë, fytyrë dhe flokë të bardhë si dëbora, një Abat Farie gjallë, që ecte i kërrusur nga pesha e viteve dhe e vuajtjeve.

A vallë ishte një halucinacion, apo hija e Abatit Farie e ikur nga Kështjella e Ifës dhe ardhur në burgun-ferr të Burrelit, ku për çdo çast të vinin në mendje, vargjet e të madhit Dante: “Humbni çdo shpresë ju që hyni…”. Ishte rreptësisht e ndaluar, ta pyesje gardianin, por shiko dhe kalo!

Në adoleshencën time, kur kisha lexuar “Konti i Monte Kristos”, Abati Farie, më ishte ngulitur në tru dhe shpesh e shikoj në ëndërr, kurse tani, ajo që shikoja në korridoret e errëta të burgut, s’ishte më ëndërr. Ishte një realitet. Mbas një muaji, kur më nxorën nga qelia dhe gardiani më shoqëronte për në kaushin nr.9, te dera e kaushit nr.7, pashë Abatin të gjallë, që ngjasonte si dy pika uji me Farien, por më i pashëm, më burrëror dhe më fisnik se Abati francez.

Dhe ai më pa dhe diçka pëshpëriti, kur gardiani ktheu krahët, bëri një kryq në drejtimin tim. Pyeta për të bashkëvuajtësit dhe më thanë se ishte Visarion Xhuvani, ish-Kryepeshkopi i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, që për 16 vjet, vuante dënimin në këtë skëterre të diktaturës enveriste. Më lindi dëshira të njihesha me hirësinë e tij. Profesor Foto Bala, më dha fjalën, se do të ma plotësonte dëshirën.

Mbas disa ditësh, kur po dilnim në Oborr, u futëm fshehurazi në kuashin nr.7, së bashku me Foton. Visarioni kishte ditë që s’dilte në pajtos. Ishte i pamundur dhe qëndronte në kaush, duke u lutur në heshtje. Të gjithë bashkëvuajtësit e respektonin dhe e ndihmonin me sa mundnin, këtë apostull të krishtërimit, që regjimi i tiranit komunist, e kishte dënuar pa asnjë faj.

“Mos u mërzit, or bir! – më tha Visarioni, – ditë të mira do të vijnë patjetër. Zoti s’ka për të duruar gjatë. Ti je i ri dhe do t’i shohësh, kurse unë…”- dhe ngriti duart lart, drejt qiellit. Në pamjen e tij kishte diçka hyjnore, që të impononte heshtje dhe respekt. Ky qe takimi i parë dhe i fundit me Dhespotin e nderuar. Mbas një muaji, më 26 nëntor 1962, Visarioni u lira me dekret të posaçëm të Presidiumit. Përse vallë diktatori liroi para plotësimit të dënimit Kryepeshkopin?!

Për të lehtësuar ndërgjegjen e rënduar nga pesha e krimeve, apo? Enigmë! Kur doli nga burgu, la çdo gjë. Mori me vete vetëm rason e zezë, duke lënë një imazh të pashlyeshëm, midis bashkë vuajtësve. Nuk i harroi për asnjë çast shokët e burgut dhe u dërgonte letra nga Manastiri i Shën Gjonit në Elbasan, ku kaloi vitet e fundit të jetës së tij, si eremit i vërtetë.

Profesor Bala, me të cilin Kryepeshkopi kishte letërkëmbim, më tregoi se Visarioni, kishte lindur në Elbasan, në lagjen “Kala”, më 1890, në një familje patriotike, që s’kishte të bënte aspak me familjen e Aleksandër Xhuvanit. Në shkollën fillore kishte pasur fatin të kishte mësues patriotin, gjuhëtarin e madh, kushëririn e tij, Kristoforidhin. Shkollën e mesme dhe të lartën i kreu në Athinë, në Fakultetin e Teologjisë, me nota optimale.

Shërbeu si klerik në Sofie dhe në Cetinë. Më 1919, si Peshkop i Kishës Orthodokse dha meshën e parë në gjuhën shqipe në Elbasanin e tij të dashur. Ajo ditë u shndërrua në një manifestim të fuqishëm popullor dhe pati jehonë në mbarë Shqipërinë. Emri i Visarion Xhuvanit, u bë simbol për themelimin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, për Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, duke goditur rëndë synimet e mbrapshta të Patriarkanës së Stambollit.

Me përpjekjet e tij titanike i imponohet Patriarkanës, dhe kjo e fundit, mbas shumë hezitimesh, e njeh si Peshkop të Shqipërisë më 1923. U zgjodh deputet i Parlamentit Shqiptar në periudhën 1920-1924 dhe me fjalën e tij, u bë një mbrojtës i flaktë i demokracisë. Më 1929, u zgjodh Kryepeshkop i Shqipërisë dhe luftoi me mish e me shpirt, për kombëtarizimin e Kishës Orthodokse Shqiptare.

Diktatura komuniste, e gjeti Visarionin Peshkop të Vlorës. Atë e vunë nën një survejim të rreptë, gjersa e arrestuan më 1946. Xhelatët e kuq, nuk u ndalën aspak para këtij atdhetari dhe kleriku të shquar. E torturuan fizikisht dhe shpirtërisht në mënyrën më barbare. Ata u munduan më kot që ai të pohonte “krimet” e tij dhe, kur panë se çdo lloj torture e përdorur kundër tij, nuk e përkuli këtë stoik të krishtërimit, e dënuan me burgim të përjetshëm, pa asnjë argument, atë atdhetar, demokrat dhe klerik të shquar.

Gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit ai u bë “At” shpirtëror i bashkëvuajtësve, duke u ngjallur besim se diktatura do të përmbysej, lira do të vinte dhe demokracia do të fitonte. Vdiq në Manastirin e Shën Gjonit, afër Elbasanit, në moshën 76-vjeçare, i vetmuar dhe në mjerim të plotë./Memorie.al

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Redi: 22/08/2024 09:51

    Sa heret është kujtuar për një histori të tillë ky zotëria. Me kohën që ka ardhur po e kërkojmë edhe njëherë atë kohë. Nëse ai merrej me disa koka që i dilnin kundër këta të tanishmit po na shkatërrojnë si komb. Nese Enveri i tha gjith botës larg duart nga Shqipëria, dhe i bëritëdridheshin kur dëgjonin fjalën Shqipëri, këta po ja shesin dhe po pasurohen me Shqipërinë tonë te dashur. Po na shkatërrojnë origjinën e po na shuajne si komb. Zgjohuni dhe merruni me të tanishmen e te ardhmen e brezave femijeve tanë sa nuk është akoma teper vonë. Enveri ishte ai qe beri te qante nje popull i tërë femije e burra e gra në cdo sistem dikush do jete i prekur dihet. Ngruhuni dhe rrozoni kete Enverin e dyte që üo na çnderon si komb.

    Përgjigju
  • Lushnjari: 22/08/2024 08:39

    Enveri le te ishte i 99 tave ne djaleri Por kur mori pushtetin e ktheu shqiperin nga vend skllavo pronaresh ne vend te zhvilluar per aq sa arriti 1 zbduku anafalbetizmin 2 zhduku kenetat dhe bashk me te dhe malarien 3 ngriti industrin prodhuese e perpunuese Por mbi te gjitha e la shqiperin te pavarur Nuk e dha shqiperin me koncesion Tani na thoni kush nga keta shtetar te sotem dhe te zogut ka bere me shume per shqiperin

    Përgjigju
  • Iris: 22/08/2024 01:11

    F.Bala-//C'po ben mor baba,a je ne vete?!Si pranon qe ne zyren tende te te bejne presion perfaqesuesit e Nacionalclirimtares dhe te te flasin haptazi kunder Boshtit dhe pro Aleateve?! Si pranon te ndermjetesosh per lirimin te nje terroristi komunist? Nuk te kuptoj baba pse sillesh keshtu?!// Dhimiter Bala u denua si kuestor i fashizmit,por duket qe dhe Foto Bala ne ato kohe nuk po dallonte dot kush ishin ata qe po luftonin ne anen e drejte te luftes e historise dhe nuk besoj se preferencat e tij politike kishin ardhur si rrjedhim i pasojave te raporteve qe kishte patur me Enverin.

    Përgjigju
  • Jon: 21/08/2024 21:48

    Ju "Plot e Milot" deshtet nje "Hoxhe" dhe e gjetet ????

    Përgjigju
  • Valbona: 21/08/2024 20:10

    Pse nuk e botoni komentin,kjo është liria e fjales?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë