DIPLOMAT NE SIRTARIN E MINISTRISE
Janë 300 diploma të dy niveleve të shkollimit: bachelor e master të cilat janë lëshuar nga universitetet private shqiptare që presin në sirtarët e Ministrisë së Arsimit të Kosovës të legalizohen. E përditshmja kosovare “Koha ditore” raporton se shumica e këtyre diplomave janë lëshuar nga universiteti privat “Kristal”, me seli në Tiranë dhe me degëzimet e tij në Kukës, Përmet, Fier, Korçë dhe në Prishtinë, dhe publikimi i skandalit me diplomën e false të djalit të Umberto Bosit ka bërë që ministria e Arsimit të Kosovë të tërhiqet pak mbrapsht.
Gazeta citon zyrtarë të kësaj ministrie të kenë thënë se “një gjë e tillë ndodh si pasojë e mosbesimit te disa universitete private në Shqipëri. Shumica e këtyre diplomave janë lëshuar nga universiteti privat “Kristal”, me seli në Tiranë dhe me degëzimet e tij në Kukës, Përmet, Fier, Korçë dhe në Prishtinë.”
MASH: DYSHIME PËR UNIVERSITET PRIVATE
Këshilltari i ministrit të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Prishtinë, Ragip Gjoshi, citohet ti ketë thënë gazetës se këto diploma presin prej një viti për tu legalizuar dhe kërkesat e kandidatëve janë mjaft të shpeshta. Legalizimi duhet të kalojë nëpërmjet një Komisioni, i cili përbëhet me shumicë të profesorëve të Universitetit të Prishtinës dhe nga zyrtarë të MASHT-it.
“Ky komision i MASHT-it mban lidhje me universitetet evropiane e ndërkombëtare, ndërsa i verifikon ato nëse janë marrë sipas standardeve të përcaktuara të shkollimit të lartë”, ka theksuar Gjoshi dhe ka shtuar se procedura më të lehta, për shkak të besimit, kanë vetëm ata persona që janë shkolluar në universitetet publike të Shqipërisë.
MASH sipas tij nuk legalizon asnjë diplomë të universiteteve private pa e verifikuar nëse janë të regjistruara edhe në rrjetin ENKA (Universitetet Evropiane për Shkollim të Lartë). E verifikimi i tyre bëhet edhe nëpërmjet Rrjetit të Universiteteve Evropiane e Ndërkombëtare (NARIK), ku Komisioni merr informacion nëse janë pjesë të këtij rrjeti.
KUADROT KOSOVARE NGA UNIVERSITETI KRISTAL
Në Shqipëri janë 58 universitete private. Universiteti “Kristal” me seli në Tiranë dhe filialet në Kukës, Përmet, Fier, Korçë e Prishtinë, kanë nxjerrë shumë kuadro kosovare, të cilat janë duke e pritur nostrifikimin në MASHT. Në kuadër të tij janë fakultetet: Shkenca Mjekësore, Inxhinieria, Ekonomia, Drejtësia dhe Artet. Pos në Fakultetin e Arteve, ku mund të mbarohen vetëm studimet themelore, bachelor, në të gjitha të tjerat ndiqen edhe studimet master. Në secilin nga këto fakultete ekzistojnë së paku nga 5 deri në 7 degë profesionesh të ndryshme. Burimet tregojnë se studentët nga Kosova, kryesisht kanë mbaruar degë të mjekësisë. Këtë e ka pohuar edhe këshilltari i ministrit të MASHT-it, Ragip Gjoshi. “Koha Ditore” ka hulumtuar nëse ka kuadro të shkolluara në këtë universitet e që punojnë në institucionet e vendit por , sidomos në ato shëndetësore, mirëpo zyrtarët e QKUK-së kanë mohuar një gjë të tillë.
Shkrimi origjinal mund ta lexoni ketu http://www.koha.net/?page=1,13,99590
(sg/shqiptarja.com)