“Epoka e Pluhurit”, për herë të parë në Muzeun Arkeologjik në Tiranë

“Epoka e Pluhurit”, për herë të parë në Muzeun Arkeologjik në Tiranë

Muzeu Arkeologjik i Tiranës

Ka shumë arsye pse njeriu mund të mbetet pa fjalë për një kohë, duke rënë në një gjendje trishtimi pa ngushëllim. Këtë dhimbje emocionale, të lidhur me ndjenjat e humbjes, dëshpërimit, pikëllimit, pafuqisë, zhgënjimit dhe pikëllimit i provova sot pas një vizite në Muzeun Arkeologjik në Tiranë.

Muzeu Arkeologjik i Tiranës i ngjan një magazine të harruar, ku gjithë objektet janë të mbuluara nga një pluhur, që në gjuhën popullore do ta cilësonin ‘një gisht të trashë’. Po që të më kuptojnë gjithë ata ‘Prof.Dr.’ që punojnë  në zyrat e Institutin të Arkeologjisë dhe Akademisë së Shkencave të Tiranës, do të them se objektet ishin të mbuluar nga një pluhur prehistorik.

Ja si cilësohet muzeu arkeologjik në faqen web të Bashkisë së Tiranës:

  Muzeu Arkeologjik i Tiranës ndodhet në Sheshin Nënë Tereza në Tiranë. Është i pari muze i krijuar pas Luftës së II Botërore,. U hap më 01.11.1948 si Muze Arkeologjik-Etnografik dhe vazhdoi i tillë deri në vitin 1976, kur u veçua pavioni etnografik dhe ai u organizua si muze i profilizuar arkeologjik. Muzeu Arkeologjik prezanton kërkimet e zbulimet arkeologjike në të gjithë territorin e Shqipërisë. I vendosur në të njëjtën godinë me Institutin e Arekologjisë dhe Akademisë së Shkencave të Tiranës, muzeu shfaq vlera arekologjike të hershme deri në Mesjetë. Konsiderohet muzeu mëmë për gjithë muzeumet e tjera të këtij lloji në vend përfshi dhe Muzeun e Durresit. Biblioteka e tij ka 7200 vëllime.

 Dhe ja çfarë thuhet për të në Wikipedia:

Muzeu Arkeologjik Kombëtar në Tiranë e ka zanafillën në vitin 1948 me emërtimin Muzeu Etnografik-Arkeologjik. Me zgjerimin e kërkimeve dhe studimeve në vitin 1976 u kthye plotësisht në muze arkeologjik. 

Aktualisht, është qendra ku pasqyrohet pjesa më e madhe e pasurisë arkeologjike në vend. Muzeu numëron rreth 18 mijë objekte të cilat i takojnë periudhave të ndryshme historike, ndërkohë që në tri pavijonet e tij janë ekspozuar mbi 2000 objekte ku përfshihen skulptura dhe deri tek objekte të imta, të cilat i takojnë epokës së gurit deri në pushtimin turk. Një pjesë e objekteve nuk ekspozohen për shkak të mungesës së ambienteve, ndërsa pjesa tjetër ka vlera të vogla ekspozimi. “

Kurse në faqen http://www.studentofstory.com/  thuhet, ndër të tjera:

Kërkimet intensive arkeologjike në fushën e prehistorisë, antikitetit dhe mesjetës gjatë viteve në vazhdim bënë të mundur nje varg riorganizimesh e rikonstruksionesh të këtij muzeu (1957, 1976, 1982, 1985, 1998) për përmirësimin e mëtejshëm të përmbajtjes dhe ekspozimit. Ky muze jep një informacion të plotë për vendbanimet më të hershme në Shqipëri e veçanërisht për periudhat ku zhvillohen proçeset e formimit të fiseve dhe etnosit ilir. Muzeu Arkeologjik i Tiranës është i pari muze i krijuar pas Luftës së II Botërore, pasi gjatë kësaj lufte u shkatërruan edhe institucionet e fundit muzeale. U hap më 01.11. 1948 si Muze Arkeologjik-Etnografik dhe vazhdoi  i tillë deri në vitin 1976, kur u veçua pavioni etnografik dhe ai u organizua si muze i profilizuar arkeologjik. Ky muze prezanton kërkimet e zbulimet arkeologjike në të gjithë territorin e Shqipërisë. Materiali i ekspozuar përfshin një periudhë kohore nga epokat e gurit, tek ato të metaleve (bronzit e hekurit) kur lindi e u zhvillua qytetërimi ilir, periudhën e antikitetit ilir (dhe jo vetëm), dhe periudhën e antikitetit të vonë e mesjetën deri në pushtimin osman.

Ky “muze meme”, sipas  faqes së Bashkisë të Tiranës, ky muze që ‘jep një informacion të plotë për vendbanimet më të hershme në Shqipëri e veçanërisht për periudhat ku zhvillohen proçeset e formimit të fiseve dhe etnosit ilir’, të bën për të qarë.  

Se nëse profesorët tanë e lënë ashtu edhe “mëmën” e tyre dhe i japin publikut në atë formë ‘informacionin’ e pluhurosur për qytetërimin tonë, do të thotë se ata burra me tituj nuk kanë aspak respekt për  materialet, që u kanë dhënë titujt, që i ekspozojnë me krenari nëpër dyert e zyrave, ndërkohë që etiketat shpjeguese të objekteve muzeale janë të pluhurosura e të zverdhura nga vjetërsia. 

Nga një vizitë në atë muze kupton se gjithë ata “Prof.Dr.”, që i kanë të ngjitur në etiket të pastra e të bukura emrat e tyre në radhën e gjatë të dyerve të atyre zyrave në katin e dytë të Muzeut Arkeologjik, nuk zbresin fare në sallat ku janë ekspozuar objektet e vyera të historisë e kulturës sonë, jo për të organizuar ndonjë bisedë për pubikun, (kjo do ishte tepër), po as për të hedhur një sy mbi ato objekte të vyera, të lëna në një mjerim ngjethës e në mëshirë të pluhurit.

Sepse stendat e atij muzeu, janë aq të pluhurosura sa mezi i dallon linjat e skulpturave dhe me vështirësi lexon atë pak shpjegim që të japin etiketat, kurse shtatoret kryevepra ngrihen të renditura në dyshemenë e shtruar me një linoleum të një epoke të papërcaktuar, apo të shohin me sytë e zbrazët nga ca mbajtëse të montuara në muret e lyer me një ngjyrë të shëmtuar rozë.

Dhe të mendosh se kanë shembuj të hershëm se si mbahet e si funksionon një muze arkeologjik që në vitet 1920, kur qeveria shqiptare i propozoi balkanologu austriak Carl Patsch, të drejtonte  muzeun e pare arkeologjik në Shqipëri. Ndryshe nga  këta profesorët e Akademisë sonë, të cilët  nuk ua hedhin sytë pasurive një kat psohtë zyrave të tyre, që u japin titujt, 100 vjet më parë austriaku Patsch, si profesionist që respekton degën e profesionit të tij, ndërtoi një program të qartë dhe serioz për muzeun e arkeologjisë shqiptare.

Muzeu Arkeologjik i Tiranës është “pamje sa një mijë fjalë”, që të bind se gjithë këta ‘Prof.Dr’, të cilët kanë zyra me etiketa të bukura në katin e dytë të atij muzeu, janë veç një formë e re e ‘spahijve timarli’, me të vetmin ndryshim se ‘timari’ i tyre sot, ai që u siguron të ardhura të mira e tituj, është vetëm studimi i ndonjë dege të shkencës së arkeologjisë apo albanologjisë.

Për këtë arsye këtyre ‘spahijve timarij’ të sotëm, ashtu si ata të shekujve të shkuar,  as që u bëhet vonë për pluhurin që mbulon vitrinat e veprat e artit të Muzeut Arkeologjik. Si spahijtë timarlij të dikurshëm, atyre nuk u intereson promovimi i kulturës e i përparimit të kombit tonë në shekuj, pasi janë të interesuar vetëm për të ardhurat që u sjell ‘timari’ i tyre, në karierën e tyre akademike, në titujt dhe të ardhurat, që ajo u siguron.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • eleni laperi: 28/08/2018 18:29

    Me kenaqet sidomos me kete shenimin ne fund te shkrimit. sipas jush ndalohet rreptesisht ripublikimi i ketij shkrimi, sipas nenit 80, ligji 35/2016. Po nuk thoni se shkrimin e keni marre nga blogu im, elenilaperi.blogspot.al dhe e keni ripublikuar pa lejen time, duke e bere pronen tuaj.Sipas ligjit qe ju vete keni cituar, si do me pergjigjeni?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat