Çfarë ndodhi brenda apartamentit ku humbi jetën Lumturie Patushi është rrëfyer nga personi që pa gjithçka me sytë e tij. Nipi 14-vjeçar, i cili ndodhej në banesë bashkë me vëllain e tij 8-vjeçar, ka treguar para hetuesve momentet e fundit para se gjyshja të goditej për vdekje me thikë nga bashkëshorti i saj, Hysni Patushi.

Sipas dëshmisë së tij, paraditen e së shtunës 68-vjeçari shkoi në banesën e vajzës, ku bashkëshortja kujdesej për dy nipërit. Sapo hyri në apartament, mes çiftit nisi një debat. Dy fëmijët ndodheshin aty dhe panë gjithçka.

"Në shtëpi erdhi gjyshi. Ai filloi të grindej me gjyshen dhe më pas e goditi me thikë", ka deklaruar 14-vjeçari para hetuesve, duke përshkruar me pak fjalë skenën e krimit.

Pasi goditi bashkëshorten, Hysni Patushi u largua menjëherë nga banesa. Brenda mbetën vetëm dy fëmijët dhe gjyshja e tyre. Ishte 14-vjeçari ai që telefonoi policinë dhe kërkoi ndihmë. Kur policia mbërriti në apartament, 58-vjeçarja kishte ndërruar jetë, ndërsa dy nipërit ishin ende në banesë, të tronditur nga ajo që kishin parë.

'Gjyshja ka vdekur', u tha 14 vjeçari. 

Ndërkohë, 68-vjeçari ishte larguar në këmbë nga vendi i krimit. Gjatë arratisjes ai hodhi edhe thikën e përdorur në vrasje rreth 200 metra larg pallatit. Arma u gjet dhe u sekuestrua nga policia, ndërsa vetë Patushi u arrestua pak orë më vonë në banesën e një kushëriri në Kamzë.

Në dëshminë e tij para hetuesve, Hysni Patushi është përpjekur të shpjegojë konfliktin me bashkëshorten. Ai ka thënë se prej kohësh debatonte me të, pasi, sipas tij, ajo rrinte më shumë në shtëpinë e vajzës sesa në banesën e tyre në Don Bosko. Ditën e ngjarjes, pretendon se e telefonoi dhe ajo i tha se ndodhej te TEG-u. Kur shkoi në banesën e vajzës dhe e gjeti aty, mes tyre nisi debati.

"Në debat e sipër e kam goditur me thikë në zemër", citohet të ketë deklaruar ai para hetuesve.

Çifti jetonte në zonën e Don Boskos, por shkonte shpesh në banesën e vajzës për t'u kujdesur për dy nipërit. Pikërisht aty ndodhi edhe krimi që u mori jetën 58-vjeçares. Hysni Patushi pritet të dalë para gjykatës për masën e sigurisë për akuzën e "vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare". Ai nuk ishte i panjohur për policinë, pasi në vitin 2017 ishte arrestuar për dhunë në familje, po ndaj bashkëshortes së tij.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë