Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi një takim me drejtuesit dhe efektivët e Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, të cilët i falënderoi për angazhimin gjatë sezonit të zjarreve dhe ndërhyrjet në situata të ndryshme emergjente.
Gjatë takimit, Demo tha se përgatitjet për sezonin e ardhshëm duhet të nisin që tani, duke theksuar se fokusi nuk duhet të jetë vetëm te ndërhyrja, por edhe te parandalimi i zjarreve përmes një bashkëpunimi më të ngushtë me bashkitë dhe strukturat e Emergjencave Civile.
“Ne duhet të bëjmë shumë më tepër që të minimizojmë rastet ku ndërhyrja e zjarrfikësve është e nevojshme. Kjo ka të bëjë me menaxhimin e pyjeve, kullotave dhe gjithë masave të tjera që duhet të ndërmarrim”, u shpreh ministri.
Demo vlerësoi gjithashtu rolin e zjarrfikësve në garantimin e sigurisë së qytetarëve, duke kujtuar se ata përballen çdo ditë jo vetëm me zjarret, por edhe me aksidente rrugore dhe emergjenca të tjera. Ai theksoi se shërbimi zjarrfikës në Tiranë është forcuar vit pas viti, jo vetëm me më shumë efektivë, por edhe me rritjen e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e logjistikës.
Një tjetër fokus i diskutimit ishte forcimi i trupave vullnetare, veçanërisht në zonat periferike të Tiranës. Sipas Demës, këto struktura mund të kenë një rol të rëndësishëm në përballimin e emergjencave, ndërsa vlerësoi edhe gatishmërinë e zjarrfikësve të kryeqytetit për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve edhe në bashki të tjera të vendit.
Demo gjithashtu shprehu mirënjohjen për zjarrfikësit dhe familjet e tyre, duke vlerësuar përkushtimin dhe sakrificën e tyre në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve.









Komente
Komento