Teksa kryeministri i Izrealit e fton kreun e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurtin në inaugurimin e ambasadës në Izrael, Presidenti i Turqisë duket se mban një qëndrim kundër.

Sipas mediave kosovare, Reccep Tayyip Erdogan i ka dërguar letër Kurtit ku e uron për fitoren në zgjedhje por ndër të tjera ai i kërkon që ta shmangë një vendim për të shkuar në Izrael.

Erdogan, ka thënë se mirëpret qëndrimet e partisë që drejton Albin Kurti, se do të shqyrtohet vendimi i Kosovës për vendosjen e Ambasadës në Jerusalem.

Erdogani i ka thënë Kurtit se po të shmangej një hap i tillë do të bëhej gjëja e dobishme.

“Për më tepër, jam i kënaqur, kur mësova për qëndrimin e partisë suaj që, nëse vjen në pushtet, do ta rishikojë angazhimin e Kosovës për hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Besoj  se do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, ka shkruar Erdogani në letrën e tij.

Vetëm pak më herët, mediat kosovare kanë bërë publike letrën e dërguar nga kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu për Albin Kurtin ku i uron fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në letrën e tij ai ka përmendur dhe marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Izrealit dhe gjithashtu vendimin e Prishtinës zyrtare për vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.