Përplasjet mes studentëve të Universitetit Bogazici dhe policisë vazhdojnë. Presidenti turk i damkos protestuesit si terroristë. Pse i hyn Erdogani kursit të konfrontimit me këtë grup të rëndësishëm votuesish?
"A janë këta studentë apo terroristë që përpiqen të mësyjnë zyrën e rektorit dhe ta uzurpojnë atë?” Kështu u shpreh presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan së fundmi për studentët e universitetit të njohur Bogazici në Stamboll. Që nga fillimi i janarit studentët protestojnë kundër emërimit të ish-politikanit të AKP-së, Melih Bulu si rektor, një vendim me dekret presidencial. Policia përpiqet të ndalë protestat me dorë të hekurt. Ndalimet policore pa arsye apo bastisje shtëpish natën ishin javën e kaluar në rend të ditës. Erdogan pretendoi, se mes studentëve ishin përzier elementë opozitarë, të cilët në të shkuarën në „mitingjet e tyre kishin kërkuar skenarë të ndyrë si puçin."
Erdogan shikon paralelizëm me protestat Gezi
Presidenti turk i krahasoi protestat studentore me demonstratat e parkut Gezi në vitin 2013. „Atëherë kemi përjetuar si prona e tregtarëve u shkatërrua. Se si ata me kanaçe birre në dorë uzurpuan xhaminë e sulltan Bezmiâlem-Vâlide. Fajësimet e presidentit nuk u provuan. Imami dhe muezini që punonin në atë xhami nuk i vërtetuan akuzat, ata nuk kishin parë askënd të pinte alkool në shtëpinë e zotit. Të dy u zëvendësuan pas pohimeve të bëra.
Paralelizmat që bën Erdogani me protestat e të rinjve aktualisht i kanë habitur shumë vëzhguesit zgjedhorë. Për shkak se elektorati i partisë konservatore islame, AKP, sipas sondazheve, ka rënë nën 40%, mund të mendohej se çdo votë ia vlen, edhe ajo e të rinjve. "Në vitin 2011 partia qeverisëse, AKP ia doli të merret 42-43% të votave tek kjo grupmoshë, nga 18-24 vjeç”, shprehet studiuesi i opinionit, İbrahim Uslu. Marrëdhënia mes AKP dhe rinisë pas protestave të Gezit u prish, më pas miratimi për AKP ra nën 30% në këtë grupmoshë. "Ishte gjuha e ashpër, që bëri që rinia të distancohet nga AKP”, thotë Uslu.
Megjithate Erdogan e vazhdon këtë kurs edhe shtatë vite më vonë në protestat e studentëve në Stamboll. Llogaria pas kësaj: „AKP dëshiron të krijojë një marrëdhënie me të rinjtë, por besnikë të saj”, thotë demoskopi Uslu. "Këtë qëllim ajo e arrin me nxitjen e polarizmit dhe tensioneve në popullsi. Kështu krijohet një lidhje më e fortë me partinë.” Kjo "politikë polarizimi” është në fuqi edhe me grupe të tjera votuesish.
Strategjia e Erdoganit sjell rezultate
Një strategji, që sipas Uslu ka sjellë rezultate deri tani, thotë studiuesi i opinionit. „Mund të shohësh, se si rënia e votave për AKP, megjithë krizën e rëndë ekonomike ecën me ritme të ngadalta." Politika e tensionit dhe polarizimit i ka forcuar lidhjet emocionale të votuesve të saj.
Edhe mënyra e ashpër e veprimit me studentët është pjesë e kësaj strategjie. Erdogani do „të krijojë armiq", konkludon İbrahim Uslu. „Nganjëherë ky armik është jashtë, nganjëherë brenda në vend. Por ka heronj dhe njerëz të mirë që luftojnë me këtë armik”, ky është narrativi i zakonshëm.
Sipas Can Selcuki, Drejtor i Instituti të Studimeve Zgjedhore, İstanbul Ekonomi Araştırma, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare e presidenciale në vitin 2023 mund të llogaritet me 5 milionë votues të rinj që votojnë për herë të parë.
"Këta njerëz duan të dëgjohen"
"Ky është një potencial i jashtëzakonshëm, si për qeverinë edhe për partitë opozitare”, thotë Selcuki. Të gjitha partitë duhet të jenë të ineteresua të gjejnë një strategji për të fituar votues të rinj. "Nëse e shikon si vepron qevria me Universitetin Bogazici, nuk duket, se qeveria e quan të nevojshme t'i dëgjojë këta të rinj.”
Studiuesit e opinionit të institutit kanë pyetur 236 studentë demonstrues në Stamboll. "Këta njerëz duan thjesht të dëgjohen dhe të merren seriozisht. Ata duan një ndryshim të ligjit, që në të ardhmen rregullon qartë emërimin autonom të drejtorit.” Por askush nga përgjegjësit nuk i dëgjon apo interesohet për atë që duan studentët, thotë politologu Can Selcuki. "Dhe ky është problemi.”/ DW