Erdogan takohet me Kurtin: Turqia e gatshme të ofrojë mbështetje për paqen dhe stabilitetin në Ballkan

Erdogan takohet me Kurtin: Turqia e gatshme të ofrojë mbështetje për paqen dhe stabilitetin në Ballkan

Albin Kurti dhe Recep Rayyp Erdogan

Presidentin turk Recep Rayyp Erdogan tha se Turqia është e gatshme të ofrojë çdo mbështetje të mundshme për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të japë kontributin e nevojshëm, nëse diçka e tillë kërkohet nga Kosova dhe Serbia. Ai këto komente i bëri në Stamboll, më 3 shkurt, me rastin e vizitës së parë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Turqi.

“Ne i kushtojmë rëndësi madhore zhvillimit të marrëdhënieve paqësore të Kosovës dhe të gjithë fqinjëve të saj. Në këtë suazë ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe presim që palët të dëshmojnë një qasje paqësore e konstruktive. Shpresojmë që procesi i dialgout me Serbinë të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, u shpreh Erdogan.

Në konferencën e përbashkët për media, pas takimti të 3 shkurtit, Kurti falënderoi Turqinë për “mbështetjen e zëshme” për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshill të Evropës.

“Në NATO na bashkon orientimi. Në Këshill të Evropës vlerat. Në të dyjat, na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon kontinenti i Evropës”, tha kryeministri.

Ai tha se bashkë me Erdogan biseduan për raportet mes Kosovës dhe Turqisë, me theks të veçantë për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes.

“Një nga synimet tona kryesore si Qeveri e Republikës së Kosovës, është krijimi i një mjedisi të favorshëm për të tërhequr investitorë të huaj, në mënyrë që të krijojmë ekonomi të qëndrueshme”, tha Kurti duke shtuar se duhet të shfrytëzohet “bashkëpunimi për ta arritur potencialitetin e madh të tij”.

Presidenti turk tha se Turqia po vazhdon përpjekjet për t’u siguruar që Kosova të “arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare”, dhe u shpreh mbështetës për rrugëtimin dhe ambicien e Kosovës për integim në organizatat ndërkombëtare.

Paralelisht, Erdogan tha se diskutoi me Kurtin se çfarë mund të bëhet më shumë në investime ekonomike, si dhe në luftën kundër terrorizmit. Erdogan vuri theks të veçantë te lëvizja Hizmet, e klerikut Fetullah Gulen, të cilës Turqia i referohet me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste.

“Trajtuam hapat që duhet të marrim për të rritur bashkëpunimin dhe solidaritetin tonë kundër aktiviteteve të organizatës FETO në Kosovë”, u shpreh Erdogan.

Presidenti turk në anën tjetër tha se Turqia është bërë vendi që eksporton më së shumti në Kosovë në dy vitet e fundit, “me një vëllim tregtar prej 610 milionë eurosh”.

“Këtë vëllim duhet ta rrisim në një miliard euro. Kurse, investimet e kompanive turke në Kosovë i janë afruar nivelit të 400 milionë eurove”, tha ai, duke shtuar se Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) “ka vënë në shërbim të Kosovës një burim prej gati 100 milionë eurosh, përmes afro 700 projekteve të ndryshme”.

Turqia është një prej shteteve me prezencën më të madhe të investimeve direkte në Kosovë. Njëherësh, është një ndër shtetet e para që ka njohur shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen