Ergys Mërtiri: Pse e shqetëson Berishën thyerja e 'kodit të heshtjes' nga Veliaj?

Ergys Mërtiri: Pse e shqetëson Berishën thyerja e 'kodit të heshtjes' nga Veliaj?

Berisha dhe Veliaj

Në vend që të japë shpjegime për përfshirjen e tij në aferën e kullës në qendër të Tiranës, Berisha dhe e gjithë infrastruktura e tij e propagandës i ka hyrë misionit mediatik për të zbuluar se kush e prishi heshtjen dhe nxorri në shesh sekretin mbi kullën e tij. I kapur me presh në duar në pazare me Edi Ramën, ai kërkon ta spostojë vëmendjen, jo tek fakti që qendron mullar 64 kate në zemër të Tiranës, por tek qëllimet e atyre që denoncuan aferën.

Dhe pa u sforcuar shumë e gjeti “tradhëtarin”. Është Erion Veliaj, i cili, sipas tij, e ka përhapur lajmin në mediat që ka nën kontroll për të dëmtuar Edi Ramën për shkak se ai nuk po e mbron dot nga kërcënimi i Spak-ut. Madje, për të shtuar dhe një zog në objektivin qytës së propagandës, i vendos në krah edhe Bashën, si bashkëpunëtor të marrë “borxh nga Balla dhe Rama”, që në fakt, logjikisht do të duhet të ishin në krahun e kundër të dialektikës së konfliktit të brendshëm në kampin e pushtetit.

Kjo ishte alibia e dytë. E para, e krijuar në emergjencë e sipër në momentin që plasi skandali, ishte se gjithçka bëhet për të larguar vëmendjen nga inceneratorët. Me këtë alibi, synohej njëkohësisht edhe mbajtja e zërave opozitarë për të mosdenoncuar rastin, por, kur kjo nuk funksionoi, gjithçka u zhvendos në tezën e konfliktit të brendshëm në PS, si një variant më intrigues për të spostuar debatin.

E gjithë kjo është thjesht dhe vetëm çoroditje mendore në kushtet e tronditjes nga kapja në flagrancë. Përpjekja për të prodhuar mistere konspirative si gomone për të dalë nga situata është e kotë dhe vetëm e shton kompromentimin. Berisha nuk ka përse të merret me të tjerët kur ka mbi krye një akuzë të rëndë për të cilën duhet të japë së pari sqarime. Ai ka për detyrë ti shpjegojë publikut të vërtetën, përpara se të rreket të gjejë kopukun të cilit i intereson publikimi i saj. Publiku kërkon prej tij të dijë fillimisht se cilat janë lidhjet me përfituesin e kullës, si dhe përse heshti dhe nuk bëri asnjë denoncim mbi aferën e saj. Ai gjithashtu duhet të na shpjegojë se, si ka mundësi që familjarët dhe njerëzit e tij bëjnë biznes kaq lirshëm në këtë vend ku, siç ai ka denoncuar vazhdimisht, nuk ka liri ekonomike, e ku pushteti ka kapur gjithçka dhe askush nuk pasurohet dot pa lejen apo përkrahjen e qeverisë.

Përpjekja për tu fshehur pas Erion Velisë, duke hapur tashmë një luftë pa kuptim kundër tij, është vetëm kompleks i fajtorit. Nëse Veliaj ka shfrytëzuar një të vërtetë duke publikuar një aferë me qëllim që të godasë Edi Ramën, kjo është diçka e mirë për publikun, pavarësisht nëse ai e bën nga halli i frikës së SPAK-ut. Shyqyr që pushtetit po i hyn e keqja nga brenda që të nxjerrë në shesh horrllëqet e veta. Fakti që këto horrllëqe publikohen nga halli, nuk zhvleftëson vlerën e të vërtetës së publikuar. Për këtë arsye, qëllimet e Veliajt, nuk shfajsojnë aspak ndarjen e llokmave të betonizimit midis Ramës dhe Berishës.

Shqetësimi i opozitës se kush e theu kodin e heshtjes dhe indiferenca për të vërtetën ulëritëse që doli në dritë mjafton për të kuptuar kompromentimin e saj. Pyetja më shqetësuese këtu për publikun nuk është se si ka mundësi që e vërteta doli në shesh, por si ka mundësi që ajo është mbajtur fshehtë deri tani. Si ka mundësi që media ka heshtur deri tani për një mori përfitimesh që njerëzit e Berishës kanë marrë tashmë prej kohësh nga qeveria? Kush ia ruan sekretet opozitës?

E ndërsa mediat e kontrolluara nga pushteti heshtin për aferat e përfituara nga Berisha, vetë Berisha hesht për aferat e qeverisë. Prej kohësh tashmë, por sidomos gjatë fushatës së zgjedhjeve të 14 majit, ai nuk ka thënë asnjë fjalë për oligarkët dhe mafian e betonit që po ndërtojnë kullat e pastrimit të parave të krimit në qendër të Tiranës. Megjithëse është pyetur me ngulm nga gazetarë të ndryshëm, as ai e as kandidati i tij për Bashkinë e Tiranës, nuk nxorrën një emër për të treguar se kush po i ndërton këto kulla.

Pyetja është, si ka mundësi që Berisha, që nuk ka lënë njeri pa marrë nëpër gojë e nuk ka lënë fakt e trillim pa thënë e pa shpifur për njeri, befas ndjehet kaq skrupuloz për të përmendur emrat e bashkëpunëtorëve të qeverisë për masakrën urbane që i ka bërë kryeqytetit? Natyrisht, kjo nuk vjen nga ndonjë kod etik për të mos folur pa fakte, por pa dyshim nga të qenit i kapur në “kodin e heshtjes” mbi zullumet e përbashkëta me qeverinë. Zbulimi i përfshirje së tij në aferat e betonit, duke përfituar llokmën më të majme, qartëson gjithçka mbi arsyet e heshtjes.

E ndërsa shohim që ndërkohë foltorja nuk ofron asnjë transparencë mbi pasuritë e njerëzve të saj dhe milionat e shpenzuara në fushatat e saj luksoze, nuk gjen dot shpjegim më bindës sesa ai i ortakërisë midis Berishës dhe Ramës, për ti dhënë kuptim gjithë panoramës. Është pikërisht kjo ortakëri që mban në këmbë infrastrukturën e shtetit paralel që iu mundëson të dyve jetëgjatësinë në politikë: Njërit si kryeministër i dalë boje nga skandale që po ia dërgojnë të gjithë bashkëpunëtorët në burgje dhe tjetrit si shef opozite, i kërcënuar me vdekje politike nga ndërkombëtarët. Të dy e mbajnë njëri-tjetrin sepse vetëm kështu mbajnë veten.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • polici: 15/08/2023 17:28

    he mo gyso edhe ti e paske ngrene lugen e corbes se lalit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë