Ditën e sotme është zhvilluar një mbledhje e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, ku është diskutuar edhe për çështje të zgjerimit të BE-së, përfshirë Shqipërinë.

I pranishëm në mbledhje ka qenë edhe nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Malaj, i cili ka zhvilluar edhe një takim me David McAllister, Kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian.

Sipas Malajt, McAllister i përcolli vlerësimet e tij për progresin dhe arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Po ashtu, Malaj njoftoi se McAllister i përcolli gjithashtu besimin se vendi ynë po ecën me vendosmëri drejt përmbylljes së negociatave dhe anëtarësimit në familjen e madhe europiane.

“Sot, në mbledhjen e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), një nga forumet më të rëndësishme ku trajtohen edhe çështjet që lidhen me procesin e zgjerimit dhe integrimin europian të vendeve kandidate, përfshirë Shqipërinë.

Me David McAllister, Kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, i cili përcolli vlerësimet e tij për progresin dhe arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, si dhe besimin se vendi ynë po ecën me vendosmëri drejt përmbylljes së negociatave dhe anëtarësimit në familjen e madhe europiane”, ka shkruar Malaj në rrjetet sociale.