Erisa Xhixho dhe Ralf Gjoni përfaqësojnë LSI në Konferencën e PES në Beograd

/ATSH/Arbi Fortuzi/-.Shqipëria është totalisht e angazhuar në përmbushjen e pesë kritereve me qëllim hapjen sa më shpejt të negociatave për anëtarësim në BE.
Këtë deklaroi sot, Zv/ Ministrja e Integrimit Erisa Xhixho njëkohësisht Kryetare e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI, në Konferencën mbi Sfidat e Social-Demokracisë në Ballkanin Perëndimor që u organizua sot në Beograd nga Partia e Evropianëve Socialistë (PES) në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert dhe Partinë Demokratike të Serbisë. Në konferencë ishte dhe Ralf Gjoni Sekretar Ndërkombëtar i LSI.
Gjatë konferencës morën pjesë personalitete evropiane dhe rajonale si ish- Kryeministri italian Massimo D'Alema, Eurodeputeti Knut Fleckenstein, Presidenti i PES Sergey Stanishev, Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Ranko Krivokapic, Zv. Presidentja e PES Baronesha britanike Jane Royall, pjesëmarresit diskutuan mbi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes partive socialdemokrate të rajonit dhe partive partnere në Bashkimin Evropian dhe ndanë bindjen se partitë socialdemokrate mbeten gjithnjë në avangardë të integrimit evropian të Ballkanit.
Fokusi i diskutimeve u vendos mbi përshpejtimin e ritmit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbi zhvillimet aktuale si kriza e refugjatëve në rajon dhe mbi të ardhmen e angazhimit socialdemokrat për t'u përballur më mirë me sfidat ekonomike e sociale në Evropën Juglindore.
Duke komentuar punimet e kësaj konference, Erisa Xhixho vuri në dukje se Shqipëria si vend kandidat, është e angazhuar maksimalisht për përmbushjen e 5 prioriteteve me qëllim hapjen sa më shpejt të negociatave për anëtarësim në BE.
Në këtë drejtim, Xhixho theksoi se reforma në drejtësi dhe qeverisja ekonomike mbetet prioritete dhe sfida madhore të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera të Ballkanit, duke shtuar se LSI është një forcë politike me ndjeshmëri të lartë për çështjet ekonomike, sociale dhe integrimit të vendit.
Sekretari Ndërkombëtar i LSI Ralf Gjoni falenderoi kryesinë e PES për mbështetjen që socialdemokratët evropianë i japin koalicionit qeverisës në Shqipëri dhe nënvizoi se LSI mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të angazhimit të të gjithë forcave politike në funksion të axhendës evropiane të Shqipërisë përmes gjithëpërfshirjes dhe konstruktivitetit.
Përfaqësuesit e LSI Xhixho dhe Gjoni u takuan me disa homologë të partive simotra në Ballkan si dhe me përfaqësues të lartë të Parlamentit Evropian dhe të Partisë së Evropianëve Socialiste, ku diskutuan për forcimin e bashkëpunimit ndërpartiak dhe mbi zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në Tiranë në të ardhmen e afërt. 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Australi, program kundër izolimit social