Për Lëvizjen Socialiste për Integrim prioritet i programit dhe politikës së saj janë të rinjtë dhe gratë duke kërkuar fuqizimin e tyre dhe rritjen e rolit të vendimmarrje dhe politikë.  Nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho në një intervistë për Report Tv tha se LSI kërkon fuqizimin e grave, ndërsa tha se 25 prilli do të bëjë ndarjen nga kjo qeveri që shkeli shtetin e së drejtës dhe qeveria e re që do të vijë më një program realist si ajo që ka prezantuar LSI.

"Sot numri i grave të papuna është më i lartë. 1/4 e bizneseve drejtohet nga gratë janë ato që u prekën më shumë nga bizneset. Ne kemi një politikë që padyshim kërkon fuqizimin e grave dhe vajzave të reja. Qasja jonë është edhe që të kemi tregues të matshëm me afate kohore. Ne kemi një program realist që i vjen në ndihmë disa shtresave të shoqërisë që kërkojnë ndërhyrje emergjente që të dalim nga kjo krizë ekonomike. Në 2017-n ne jemi e vetmja parti që jemi gjobitur se kemi vendosur tre vajza në krye të listës. Pra, qasja jonë ka qenë gjithmonë për t'i dhënë përparësi të rinjve dhe grave e vajzave. LSI i ka dhënë shansin për tu promovuar dhe për të ecur në politikë. Padyshim që kjo do të jetë edhe në listat për 25 prillin. Për mua sfidë është programi që LSI e ka shumë realist por padyshim edhe kandidaturat. Zgjedhjet e 25 prillit janë shumë të rëndësishme dhe jetike. Më 25 prill do të ndëshkohet një qeveri që rrënoi shtetin e së drejtës dhe nuk mbajti premtimet. Do vijë një qeveri e re me një program realist", tha Xhixho.

Pak ditë më parë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi renditi disa prej prioriteteve të përfshira në programin politik ku vendosi theksin në rritjen ekonomike si dhe investimet tek të rinjtë duke filluar që nga arsimi dhe punësimin. Ajo u shpreh se ky program ka në thelb punësimin e mirëpaguar duke e cilësuar ekonominë si një pikë të panegociueshme për ta. Ndër të tjera ishte edhe taksa e sheshtë 9% ku duket se është një pikë bashkimi në kampin opozitar ku Kryemadhi u shpreh se ka rënë dakord me PD-në.