TIRANE - Deputeti socialist, Erjon Braçe akuzon Bankën e Shqipërisë si përgjegjëse bashkë me qeverinë në shthurjen e financave publike. “Banka e Shqipërisë ka qenë e hapur pa hesap, për të mos thënë e shqyer, përballë agresionit politik ndaj financave të shtetit për zgjedhjet. Defiçiti është tejkaluar me 180 milionë dollarë. Krahasuar me një vit më parë, që konsiderohet një vit normal nga aspekti politik, tejkalimi është me 270 milionë dollarë”, ka deklaruar Braçe.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, thuajse të gjithë treguesit më të rëndësishëm fiskalë të buxhetit dolën jashtë kufijve të vendosura me ligj nga Parlamenti. Braçe thotë se shkelja më flagrante është ajo e huamarrjes së brendshme, treguesi kryesor ku ndërthuren politikat e qeverisë me ato të bankës qëndrore.

“Banka e Shqipërisë ka mbyllur sytë dhe e ka lënë qeverinë që të tejkalojë çdo parametër ligjor të planifikuar në ligjin për buxhetin e shtetit përsa i përket huamarrjes së brendshme, sa që në fund të gjashtëmujorit është ezauruar 91 për qind e nivelit të huamarrjes të parashikuar në ligj”, ka thënë deputeti i PS.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)