Dje, Prokuroria e Hagës artikuloi një kërkesë që trondit jo vetëm Kosovën, por vetë idenë e drejtësisë ndërkombëtare: 180 vite burg në total për katër ish‑komandantë të UÇK‑së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Një akt i rëndë politikisht, simbolikisht dhe moralisht. Jo sepse drejtësia nuk duhet të hetojë, por sepse po gjykon të çliruarit me një standard që kurrë nuk e aplikoi ndaj pushtuesit. Siç do të thoshte Ukshin Hoti, “Kur drejtësia humb lidhjen me të vërtetën historike, ajo shndërrohet në mjet sundimi, jo në akt çlirimi.”
Pikërisht këtu nis problemi i madh i kësaj drejtësie selektive. Paradoksi është brutal: e njëjta drejtësi që nuk arriti, ose nuk deshi, të ndëshkojë krimet sistematike të regjimit të Milosheviçit, sot shfaqet e pamëshirshme ndaj UÇK‑së, forcës që lindi si reagim ndaj spastrimit etnik, dhunës shtetërore dhe terrorit mbi civilët shqiptarë në Kosovë.
Faik Konica paralajmëronte se “Historia bëhet e rrezikshme kur shkruhet nga ata që kanë frikë të thonë kush ishte fajtor.” Frika e Hagës për t’i thënë gjërat me emër po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
Le të flasim me fakte, për atë se çfarë ka ndodhur në Hagë me trupin politik dhe ushtarak që udhëhoqi gjenocidin dhe krimet në Kosovë.
Sreten Lukic, komandant i policisë serbe në Kosovë, i shpallur fajtor për krime kundër njerëzimit, u dënua me 22 vite – më pas 20 – dhe u lirua në vitin 2021.
Nikola Sainovic, zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, pjesë e kupolës politike që koordinonte operacionet në Kosovë, u dënua me 22 vite, të reduktuara në 18.
Vlastimir Dordevic njeriu i policisë që mbuloi zhdukjen e trupave të civilëve, u dënua me 27 vite, më pas 18 vite, dhe u lirua pa e vuajtur dënimin e plotë.
Nebojsa Pavkovic, komandant i Ushtrisë Jugosllave në Kosovë, u lirua pak para se të ndërronte jetë.
Dragoljub Ojdanic, shef i Shtabit të Përgjithshëm, u dënua me 15 vite dhe u lirua shumë herët.
Këta janë arkitektët të dhunës shtetërore, jo figura periferike. Dënime të kufizuara, ulje në apel, lirime të parakohshme dhe sot, shumica e tyre janë jashtë burgut.
Ndërsa Hagës i mbaroi durimi për UÇK-në, emra si Goran Radosavljevic, “Guri”, një nga komandantët më famëkeq të njësive speciale serbe, i dyshuar për përfshirje në disa nga masakrat më të rënda në Kosovë, nuk është përballur kurrë seriozisht me drejtësinë ndërkombëtare. Ai jeton i lirë, pa aktakuzë, pa gjyq, pa përgjegjësi. Ky është thelbi i problemit: jo hetimi i UÇK-së, por mungesa e proporcionalitetit dhe kontekstit.
UÇK-ja nuk ishte projekt shtetëror, por reagim historik. UÇK-ja nuk ishte ushtri pushtuese, nuk kishte shtet, nuk kishte makineri represive, nuk kishte kampe, polici sekrete dhe zinxhir komandimi institucional si Serbia e Milosheviçit. Ajo ishte produkt i rezistencës së një populli të shtypur, në një kohë kur çdo mekanizëm paqësor ishte shuar.
Drejtësia ndërkombëtare nuk është thjesht ligj. Është edhe kujtesë, kontekst dhe përgjegjësi morale. Kur ajo ndëshkon më rëndë çlirimtarin sesa pushtuesin, ajo rrezikon të shndërrohet në instrument politik, jo në arbitër të së vërtetës.
Kosova nuk po kërkon imunitet, po kërkon drejtësi. Po kërkon që historia të mos rishkruhet në sallat e gjyqit.
Ismail Kadare e ka thënë qartë: “Një popull që gjykohet për mbijetesën e vet, nuk është më objekt drejtësie, por objekt ndëshkimi.” Pikërisht këtë ndjesi po prodhon kjo qasje ndaj luftës çlirimtare të Kosovës.
Komente











Prokuroria dhe gjykata speciale nuk jane te Hages. Por te Kosoves. Ne Hage punojne sipas ligjit qe Kosova miratoi. Nese u jepet pretence, denohen apo falen, jo Haga, Kosova ne emer te se ciles zhvillohet eshte autori. Jo 45 for 200 vjet jane asgje per Kosoven. Dhe nuk eshte as UCK e as populli Kosoves ne akuze. Por disa te ashtuquajtur lidere qe nuk kuptuan e diten te ikin nga skena e politikes por deshen te behen karagjoze kurruptive si ata te Tiranes. Imagjino kur shkruesit nuk dine se e kujt eshte Prokuroria apo Gjykata!
Përgjigju