Ermonela Jaho është nderuar me urdhrin “Kalorëse e Artit dhe e Letrave” në Francë, i cili është një vlerësim i qeverisë për kontributorët e artit dhe letërsisë. Për sopranon shqiptare, është një konfirmim i gjurmës që ajo po lë në artin botëror.

Në një reagim në rrjetet sociale, ku ka reaguar plot përulësi e mirënjohje, Jaho falënderon këdo që i ka ndenjur pranë në rrugëtimin e saj. Fjalë të veçanta i kushton Francës, vend që e ka pranuar “me bujari” zërin dhe zemrën e saj.

“Marrja sot e titullit “Chevalier des Arts et des Lettres” është për mua një emocion i jashtëzakonshëm dhe një nder thellësisht i dashur për zemrën time, pasi Franca përfaqëson për mua dashurinë për artin, kulturën dhe të vërtetën njerëzore. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë njerëzit që kanë shoqëruar rrugëtimin tim, dhe veçanërisht për Dominique Riber, agjentin tim besnik prej kaq shumë vitesh, për besimin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme, si dhe për Jean-Philippe Thieally, pasioni i vërtetë i të cilit për operën dhe përkushtimi i tij bujar e bënë të mundur këtë moment kaq të çmuar. Nuk mund të imagjinoja një vend më të përshtatshëm për këtë ceremoni sesa e rrethuar nga miq të sinqertë, dashamirës të artit dhe një publik që i ka dhënë kuptim të gjitha sakrificave të jetës së një artisti. E pranoj këtë vlerësim me përulësi, mirënjohje dhe emocion të thellë. Faleminderit Francë që e ke pranuar zërin dhe zemrën time me kaq bujari. Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për Ambasadorin e Shqipërisë, z. Dritan Tola, për koktejin e organizuar me këtë rast”, shkruan Ermonela Jaho.

P.J/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 23 Maj, 22:10

    Si ju duket rizgjedhja e Berishës në krye të PD pa garë?