“Ka kaluar pak më shumë se një vit nga fillimi i një cikli krejtësisht të ri në TKOB Albania dhe erdhi momenti të flasim për vazhdimësi”, pohojnë drejtuesit e TKOB. Pas kontributit dhënë në tetor të vitit 2016, Ermonela Jaho, artiste shqiptare e skenave botërore e nominuar së fundmi nga International Opera Awards në Readers'Award, do të rikthehet sërish pranë familjes për të vijuar më tej me masterklas-in.
Ermonela Jaho është ideatore e masterklasit “Kurs Specializimi për Këngëtarë Lirikë” dhe është mbështetur plotësisht nga Teatri i Operës për realizimin e këtij projekti. Në këtë institucion pohojnë se “Ermonela Jaho është e para artiste që ju përgjigj thirrjes e filozofisë “TKOBAP shtëpia e të gjithë artistëve shqiptarë të kudondodhur” duke kontribuar në kalendarin artistik të teatrit, dukuri që vijoi me pas edhe me pjesën më të madhe të artistëve të tjerë shqiptarë që e zhvillojnë karrierën e tyre jashtë vendit.
Ashtu sikurse edhe në fazën e parë, qëllimi i këtij projekti tepër të vlefshëm është të frymëzojë artistët e rinj e të ndihmojë në përgatitjen e përditshme të tyre për të arritur majat e shprehjes artistike.
Ky kurs specializimi është një mundësi e jashtëzakonshme për rritje artistike për artistë të rinj dhe studentë të artit lirikë, të cilët shumë shpejt mund të jenë potencial i gjeneratës së re pranë Teatrit.
Në kuadër të vazhdimësisë së projektit të parë, pjesëmarrësit në kurs, të cilët do të kenë mundësinë të punojnë me pianisten e institucionit Ardita Bufaj, do të jenë si më poshtë:
Zana Abazi
Ulpjana Aliaj
Denis Skura
Marina Kurti
Antonio Zefi
Ivana Hoxha
Enkelejda Kamani
Kursi i Specializimit do të finalizohet me një koncert në Hollin e TKOBAP, në datën 12 mars 2016, ora 19:00.
“S’na mbetet vetëm të falënderojmë Ermonelën për ndihmën e madhe qe po i ofron brezit të ri të artistëve dhe teatrit. Prezenca e saj mes tyre, është fat për këta të rinj”, pohojnë drejtuesit e TKOB.
Redaksia online
Shqiptarja.com