ERRU kërkon kohë për 
tarifat e ujit në Tiranë

Kërkesa për rritjen e tarifave të ujit në Tiranë do të nisë të shqyrtohet në muajin shtator, ndërkohë që ky proces mund të kërkojë deri në 3 muaj kohë. Lajmi bëhet me dije nga anëtari i Komisionit Kombëtar Rregullator, pranë Entit Rregullator të Ujit, Riza Ajdini, i cili shton se, para marrjes së vendimit, do të bëhet një analizë e hollësishme për performancën e Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime Tiranë.

“Shqyrtimi i kërkesës për rritjen e tarifave të ujit do të fillojë në muajin shtator. Ne do të bëjmë 3-4 mbledhje për të kryer një analizë të hollësishme për performancën. Sa i takon dokumentacionit, edhe në rast se nuk janë dorëzuar të gjitha, ne e kemi dettyrim me ligj që të kërkojmë dokumente shtesë. Pas mbledhjes së parë dhe të dytë, ne bëjmë edhe pyetje shtesë, në këtë rast për Ujësjellës Kanalizime Tiranë, që të na pajisë me të dhëna të ndryshme që mungojnë apo që plotësojnë të dhënat e mëparshme. Është një proces i gjatë, që mund të shkojë nga dy deri në tre muaj”, tha Ajdini.

Sa i takon diferencimit të çmimit për kategori të ndryshme, Ajdini shton se Enti Rregullator i Ujit nuk mund të përcaktojë tarifa të ndryshme, në bazë familjesh, por kjo mund të bëhet vetëm përmes kompensimeve nga bashkia apo qeveria. “Ne kemi vetëm një çmim uji për të gjitha kategoritë e njerëzve. Çmimi i ujit është një për të gjithë zonën, ose mund të ndryshojë sipas komunave të ndryshme”.
 
Procesi
Në datën 26 korrik, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi propozimin për rritjen e tarifave të ujit, ndërkohë që është ERRU, që do të marrë vendimin përfundimtar. Sipas propozimit të bashkisë, tarifa e ujit të pijshëm për abonetët familjarë pritet të rritet me 20 lekë, duke shkuar në 65 lekë/m3 nga 45 lekë/m3 që është aktualisht. Ndërkohë që, për entet private kjo tarifë pritet të rritet në 190 lekë/m3 nga 135 lekë/m3 që është deri më tani.

Sipas Entit Rregullator, shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka depozituar kërkesën më datë 30 qershor 2017 për miratimin e tarifave të reja të shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve për konsumatorët në territorin administrativ të Bashkisë Tiranë. Nëse kjo kërkesë nuk do të ishte dorëzuar para datës 30 qershor, siç e parashikon ligji, atëherë vendimi i Këshillit Bashkiak dhe e gjithë procedura do të ishte nul.

Por duket se, larg vëmendjes së opinionit publik, Bashkia e Tiranës ka dorëzuar kërkesën, duke e futur procesin në shinat e ligjit, 26 ditë para aprovimit nga Këshilli Bashkiak.

Më tej, ERRU sqaroi se dosja është në fazën e verifikimit të dokumentacionit, ku theksoi dhe se dosjes i është bashkangjitur edhe dokumentacioni i mbledhjes së Këshillit Bashkiak dhe dëgjesës publike.

Po, realisht sipas ligjit, mbledhja e Këshillit Bashkiak dhe dëgjesa publike duhet të ishin bërë para kërkesës dorëzuar tek ERRU dhe jo 27 ditë me vonë. 

Procedurat e përmendura më sipër, pra Mbledhja e Këshillit Bashkiak dhe dëgjesa publike duhet të ishin bërë para datës 30 qershor, datë në të cilën është bërë edhe aplikimi. 

Por në fakt dëgjesa publike mbi rritje e çmimi jane zhvilluar nga UKT dhe bashkia në korrik.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen