ERSEKE - Vijon situata problematike e zjarrit në Mal të Kuq të rrethit të Ersekës. Sipas informacioneve zyrtare nga vendi i ngjarjes, situata është acaruar rreth orës 14:02 për shkak të temperaturave të larta dhe si dhe erës, të cilat kanë favorizuar më tej flakët.

Rreth 80 punëtorë të Drejtorisë të Shërbimit Pyjor, Komunave Mollaj dhe Mollas si dhe punonjës të zjarrfikëseve, ndodhen në vendngjarje, por pa arritur të lokalizojnë flakët. Po të njëjtat burime bëjnë të ditur se edhe gjatë ditës së sotme ka pasur plasje fishekësh, çka bën të pa mundur afrimin e punëtorëve pranë vatrave të zjarrit.

Për minimizimin e përhapjes së flakëve vazhdon ende puna me krahë, nëpërmjet hapjes së kanaleve ndaluese si dhe ngritjes së masivëve me dhe, ndërkohë që ka qenë e pamundur mbërritja e zjarrfikëseve.

Prioritet mbetet mbrojtja nga flakët e Parkut Kombëtar të Dardhës, ku është vendosur dhe policia pyjore. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga prefekti njëkohësisht dhe kryetari i Shtabit të Emergjencave në Korçë, Andrea Mano, i cili ndodhet në vendngjarje.

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës pranë institucionit të prefektit është mbledhur dhe Shtabi i Emergjencave Civile, ku është kërkuar dhe shtimi i forcave në terren.

Një ditë më parë Ministria e Brendshme ka kërkuar ndihmë për ndërhyrje nga ajri nga shteti grek, por deri më tani sikurse ka pohuar për A1 Report sekretari i prefekturës Bujar Vila, kjo ndihmë nuk është konfirmuar. Mali i Kuq është përfshirë nga flakët prej orës 16:00 të ditës së hënë, ndërsa konfirmohet se deri më tani është djegur një sipërfaqe prej 160 ha pyje dhe bimësi e ulët.

(da.is/gm/Shqiptarja.com)