Ertjan Kofsha ngre lart flamurin kuqezi në Europianin e Peshëngritjes në Durrës, duke u shpallur kampion Europe në shkëputje dhe duke fituar medaljen e argjendtë në dygarësh, pas një paraqitjeje mbresëlënëse në pedanë.
Peshëngritësi shqiptar siguroi medaljen e artë në shkëputje me një provë të tretë fantastike, ku ngriti 167 kilogramë, duke konfirmuar forcën dhe nivelin e tij mes më të mirëve të kontinentit.
Spektakli vijoi edhe në shtytje! Kofsha e nisi garën me 193 kilogramë, duke ndezur entuziazmin e të pranishmëve. Më pas, ai realizoi me sukses edhe provën me 196 kilogramë, përpara se të sfidonte veten me 200 kilogramë në tentativën e tretë.
Me një ngritje impresionuese, Ertjan Kofsha triumfoi edhe një herë mbi pedanë, duke e kurorëzuar suksesin me festën karakteristike të shqiponjës dykrenare, në një moment krenarie për sportin shqiptar.
Paraqitja e shkëlqyer në të dyja disiplinat e ngjiti sportistin kuqezi mes më të mirëve të Europës edhe në dygarësh, ku siguroi medaljen e argjendtë, duke shtuar një tjetër sukses të rëndësishëm në bilancin e Shqipërisë në këtë kampionat.
Ari në shkëputje, argjendi në dygarësh dhe shqiponja në pedanë! Një tjetër dëshmi e forcës së peshëngritjes shqiptare në Europianin që po dhuron emocione dhe spektakël nga dita në ditë në Durrës.












Komente
Komento