TIRANE- Mushkëria e gjelbërt e Tiranës, përfaqsuar nga kurora e vargmalit të Dajtit, është një prej perlave të natyrës shqiptare. Në një mëngjes dimri, gjysmë gri e gjysmë me diell, pasi përgatitëm kameran dhe materialet e tjera të xhirimit së bashku me operatorin Renis Kele, përtej studios së A1 Report dhe redaksisë së Shqiptarja.com  nisemi dhe ndalesën e parë e bëjmë në Drejtorinë Rajonale të Pyjeve të qarkut Tiranë.

Prej këtu, nën guidën e inxhinjerit Ervin Jaupaj, nisemi të zbulojmë bukuritë e Parkut. 5 km mbi kinostudio, pasi lemë pas dy fshatra të vegjël, Surrelin dhe Priskën, ende pa mbërritur në thellësi të Parkut dhe pyjeve të ndezura nga vjeshta, operatori ynë ndalon dhe fikson imazhet  mbi Tiranën e mbuluar nga retë dhe smoku i dendur.  Pamje të rralla, magjike. Jemi afër “traut”, mbi 1100 metra mbi nivelin e detit, aty ku çdo udhëtar, çdo turist, çdo autobus me turistë, apo çdo automjet, që lëviz drejt majës së Dajtit, ndalon për të shlyer taksën: një biletë fare e lirë, vetëm 100 lekë, për të vizituar Parkun Kombëtar të Dajtit.

Nëpunësi i Drejtorisë së Pyjeve Kasem Uzuni buzëqesh dhe nuk i besohet që shefi tij dhe një grup xhirimi duan të presin bileta të regullta dhe fillimisht heziton. Por më pas ok, pret biletat dhe ne jemi të lirë të “vozisim” drejt thellësisë së pyllit. Në fakt, destinacioni ynë është Qendra e Vizitorëve. Një objekt i ndërtuar të paktën 10 vjet më parë nga Ministria e Mjedisit, për t’i ardhur në ndihmë të gjithë turistëve, që duan të marrin një informacion mbi Parkun Kombëtar; mbi bimësinë, gjallesat, florën dhe faunën pra; kushtet atmosferike dhe çfarë ofron mali i Dajtit edhe për amatorët e sportive dimërore sidomos. Reth 15 minuta më vonë, pasi kemi lënë nga pas edhe stacionet e antenave televizive të të gjithë televizioneve dhe radiove shqiptare (fut këtu edhe repertitorin për antenën e sinjalit të tv France5 dhe RAIT) gjendemi tek…

Qendra e Vizitorëve
Ajo është një godinë e lartë tre katëshë, me papafingo druri dhe me çati të kuqe alpine. Krejt e veçantë dhe befasuese në pamje të parë. Sikundër dhe krejt e panjohur për pjesën dërrmuese të qytetarëve tiranas, që deri në vitet ’90 e njihnin me pëllëmbë Parkun e Dajtit, për shkak të ekskursioneve dimër-verë, qysh se ishin fëmijë dhe vinin në Dajt më këmbë, në formë pikniku. Inxhinjer Ervini shpjegon se Qendra është një stacion rekreativ informacioni për mijra turistë nga vendi dhe nga bota. Por, edhe një stacion pune për biologë dhe shkenctarë të shumtë në fushën e inxhinierisë së pyjeve.

Të mos harrojmë: sipërfaqja e brendëshme e parkut kombëtar Dajt, është 3300 hektarë dhe pyjet janë vlera më e madhe e Parkut, thotë inxhinjer Ervini. Tek shkallët e Qendrës shfaqet një burrë mbi të 50-tat. Është specialisti I pyjeve Shefqet Dajti. I cili, pas përshëndetjes për mirëseardhje, e drejton grupin tonë të xhirimit brenda mjediseve të Qendrës. Salloni në katin e parë është i madh, ndërtuar në formë rrethore dhe me disa mjedise shlodhëse: tre-katër kolltuqe, etazheri mbushur plot e përplot me lloje drurësh të prerë si në kabinetet e botanikës; standa që ekspozojnë aktivitetet e turistëve të shumtë dhe një grumbull revistash e fletëpalosjesh, me informacion të bollshëm mbi Parkun Kombëtar të Dajtit.

Por… mungojnë albumet dhe informacionet mbi kafshët, që rriten në Park. Asnjë informacion, por as edhe një kafshë e balsamosur, siç ndodh tashmë rëndon në disa mjedise private në very dhe në jug të vendit. Shefqeti dhe Ervini përpiqen të tregojnë edhe vlera të tjera të Qendrës, derisa “I zoti i shtëpisë”, Shefqeti, nuk rri pa na thënë: “Ejani lart, në katin e dytë, tek dhomat e vizitorëve. Ato shërbejnë si dhoma fjetjeje për turistët që ngelen pa u kthyer në Tiranë mbrëmjeve, por edhe si zyra tonat. Ka ndodhur diçka mbrëmë…

Një rrufe e fuqishme, ka djegur dhe ka mbuluar me pluhur të zi shtretërit, tavolinën e vogël, komodiat, karriket. Dyshemeja gjithashtu është nxirë nga tymi zi, që ka lëshuar rrufeja…” Në fakt, bëhemi kureshtarë dhe nxitojmë lart. Është ashtu siç na thotë Shefqeti. Gjithçka është nën pushtetin e pluhurit të zi, për shkak të rrufesë së pabesë, që ka rënë një natë më parë. “Dhe ti, ishe këtu?” – pyet i shqetësuar inxhinjer Ervini.

“Jo shef, për fat të mirë jo…” Ne xhirojmë në heshtje. Është një rast tepër i rrallë, edhe pse godina e Qendrës është e paisur me disa antena rrufepritëse. Pasi zbresim sërish poshtë, marrim nga një kafe dhe qetësohemi. Inxhinier Ervini është sërish në dispozicion për të na folur për vlerat e Parkut Kombëtar - Dajt. Zgjat tre orë guida në thellësi të pyllit dhe në afërsi të kalasë së Dajtit, një kala prehistorike e kohës ilire. Derisa na duhet të rikthehemi sërish…    

Surreli
Në kthim, pak poshtë Parkut, ose ndanë supeve të tij në të katër stinët të gjelbërta, për shkak të pishave dhe bredhave të shumtë dhjetravjeçarë, në krah të majtë, mbi disa kodrina të ulta, shfaqet si një guaskë e bardhë, fshati Surrel. Ndalemi edhe ne këtu, për të sjellë frymën e jetesës së banorëve të këtij fshati, jeta e të cilëve është e lidhur ngushtë edhe me Parkun. Trokas unë në portën e madhe të një shtëpie. Vjen e ma hap një zonjë afër të 50-tave. Quhet Xhevahire Troksi dhe mban në krah një fëmijë dy-tre vjeç, mbeskën e vogël nga djali.

Përshëndëtemi me gruan e mirë dhe hyjmë drejt e në temë: “Si jetoni zonjë? Duke parë që jëeni një fshat gjysmë malor, cila është baza juaj ekonomike?” “Mirë jetojmë zotëri. Burri dhe çuni punojnë fort. Burri me një firmë, që po ndërton rrugën e re Qesarakë-Dajt. Ndërsa çuni, san ë emigracion, aq dhe me bujqësinë e familjes. Kemi disa dynym tokë, reth 200 rrënjë ullinj dhe mbajmë dy lopë e disa shpendë. Mirë, bereqaves…jetojmë mo mirë se kur ishim kooperativë…” Oborri I shtëpisë është I madh, mbushur me pjergulla rrushi dhe portokaj. “Sa banorë jetojnë në Surrel?” - e pyes Xhevahiren. “Jo shumë, reth 80 shtëpi, ma kthen.

Një pjesë e mirë kan zbrit poshtë, në Tironë. Por ka edhe këtu të ardhur nga veriu. Kan ble toka dhe kan nfdërtu shtëpi të mira. Shkojm shumë mirë me njoni tjetrin…” “Dhe Parku? Ju vjen në ndihmë? Po vjen dimri, ndoshta bëni dru në pyll… - I them zonjës. “Aaa, jo. Drutë nuk i bojm mo në pyll, na e kan nalu këto të pyjores. Por kemi mundësi të bojm në vende të tjera dru. Disa edhe I blejmë…Me drutë ngrohemi dhe gatuajm. Kemi heq dorë nga ngrohja me korent. Kushton shumë shtrenjt…” Përshëndëetemi me Xhevarinen dhe zbresim në një rrugë tjetër të fshatit. Një burrë disi I thyer në moshë, na ka zënë pritë në shkallët e një banese. “Hej, mirëse erdhët jut ë A1-shit. Kom i hall, a mund t’jua thom?” Unë me Renisin, operatorin bëhemi gati për intervistë. “Urdhëro zotëri…fjala për ty…” Ai “zbrazet” menjëherëe.

E quajnë Fatmir Picalli. Thotë se është nga fshati ngjitur, nga Priska. Se familja e tij dikur ka pasur mbi 300 hektarë tokë, por se shteti nuk jua ka kthyer, pasi jua ka dorëzuar në përdorim sipas Ligjit 7501 fshatarëve, që e kanë punuar tokën në kohën e diktaturës. “Nuk po e kuptojmë çfarë demokracie është kjo” - thotë Fatmiri. “Keni hapur gjyq?” - e pyes. “Po, kemi hapur, tokat na njihen, por nuk na i kthejnë. As kompesim nuk marim. Keq, shumë keq. Unë me familjen jetojmë me nji cop tok të vogël dhe me nji pagure qumësht. Nuk na del as për kos. Kur do t’i vij fundi këtij kapitalizmi alasocialist?” -  flet i zemëruar Fatmiri.

Ne bëjmë detyrën. Xhirojmë dhe zërin e Fatmirit e sjellim në reportazh. Disa autobusë lëvizin mespërmes rrugës së re. Pasagjerë janë më së shumti arsimtarët e shkollave të Priskës së madhe dhe Priskës së vogël; mësuesit e fshatit Surrel dhe të fshatit Lanabregas. “Mësueset, ato të urtat gjer në madhështi” (varg i Kadaresë ) na e bëjnë me dorë përtej xhamave të autobusëve. Po vjen muzgu dalngadalë. Dita është e shkurtër dhe nata e gjatë. Poshtë, në studio e televizonit dhe në zyrat e gazetës, kolegët janë gati të marin planet e xhirimeve dhe shënimet për reportazh. Kur në qytet fillojnë të ndizen dritat, ne “humbim” mes tyre…
 
Qëndra e vizitorëve









































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)