Ministritë e Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë kanë bërë një deklaratë të përbashkët sa i përket bashkëpunimin mes dy vendeve për grupet e organizuara kriminale e emigracionin e paligjshëm.

Të dyja vendet mirëpritën bashkëpunimin midis autoriteteve të tyre të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar. Ato përsëritën angazhimin e tyre të përbashkët për të identifikuar dhe ndjekur penalisht grupet kriminale të përfshirë në aktivitete të paligjshme në nivel global, si dhe për të luftuar flukset e paligjshme financiare që mbështesin këto krime.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale Ministria e Brendshme thekson gjithashtu se në fokus të kësaj marrëveshje është edhe siguria kufitare

Njoftimi i plotë:

Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar nënshkruan më 29 Prill 2026, në Londër, Dialogun e Punëve të Brendshme 2026. Nënshkrimi për palën shqiptare u bë nga zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, znj. Silva Caka. Ky partneritet ka në vëmendje të veçantë:

Luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar.

Financave të paligjshme.

Migracionit të paligjshëm.

Sigurisë kufitare.

Nënshkrimi i Dialogut për Punët e Brendshme 2026, si vijim i Dialogut Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2025-2026, është tregues se Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar janë partnerë të besueshëm të njëri-tjetrit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar.