Superliga shqiptare e futbollit fillon më 19 gusht me edicionin e ri 2023-24. Tanimë skuadrat kanë nisur përgatitjet, teksa pas në këtë fazë ka mbetur Erzeni. Shijakasit po vuajnë problemet me financat, teksa ende nuk kanë nisur stërvitjen e organizuar.
Në Shijak pritet të ketë ndryshime të shumta, teksa për rolin e trajnerit është zgjedhur Mirel Josa. Trajneri ka gjetur akordin me klubin dhe pritet prezantimi dhe rikthimi i tij në elitën e futbollit shqiptar.
Pas dështimit me Ernest Gjokën, një tjetër emër i mirënjohur pritet të ulet në stolin e shijakasave. Veç trajnerit, edhe shumë futbollistë pritet të jenë prurje të reja.
Mësohet se shtatë emra kanë gjetur akordin me drejtuesit dhe janë gati për t'u prezantuar në ekip. Bëhet fjalë për: Donaldo Açka, Zenel Gavazaj, Enis Gavazaj, Matias Lloçi, Aristoteles Romero, Agim Zeka dhe Aleksandro Kacbufi.