Në fakt duhej të ishte qetësi sot në Këln. Parada tradicionale e së Hënës së Trëndafilave, që zhvillohet çdo vit në këtë kohë me rastin e karnevaleve ishte anuluar për shkak të koronës. Por invazioni i Rusisë në Ukrainë nuk i la të qetë as banorët e Këlnit dhe kështu mijëra prej tyre dolën në rrugë për të treguar solidaritetin me popullin e Ukrainës. Sipas të dhënave zyrtare në protesta morën pjesë mbi 250 mijë vetë.
Jenny dhe Nadine thonë se nuk janë për të festuar. Ato thonë se kanë ardhur për të dhënë një sinjal të qartë kundër luftës. "Është koha për të treguar se jemi bashkë dhe jemi pranë njëri-tjetrit", Ato kanë dy tabela: njëra me moton e karnevaleve "Make FastLoveEnd, not War" dhe tjetra "Kujtoja se kishim nxjerrë mësime nga historia", duke aluduar kështu për ngjashmëri ndaj Putinit dhe Hitlerit.
Frikë e trashëguar
“Jam tmerrësisht e trishtuar që kemi përsëri luftë në Evropë në shekullin e 21-të”, thotë 67-vjeçarja Christa Mientus-Schirmer, e cila mban në dorë dy çadra në ngjyrat kombëtare të Ukrainës, Ajo është rritur në anën lindore të Berlinit, asokohe i ndarë nga një mur për dekada të tëra.
Pas saj Rruga e 17 qershorit. Quhet kështu për të përkujtuar kryengritjen popullore kundër diktaturës së RDGJ-së, në vitin 1953. Kryengritja u shtyp me ndihmën e tankeve sovjetikëve. Christa Mientus-Schirmer vetë u lind disa vjet më vonë. Por ajo thote se "frika që përhapën tanket ruse asokohe në Gjermaninë Lindore i është trashëguar nga prinëdrit".
Më vonë, si fëmijë, ajo do t'i dëgjonte vetë tanket ruse, në verën e vitit 1968, teksa kalonte pushimet me familjen në kufi me Çekosllovakinë. Një vend tjetër ky që atëherë i përkiste ish-Bllokut Lindor, ku shpresat për demokraci u shkatërruan me urdhër të Kremlinit. Kështu ndodhi edhe në Poloni në fillim të viteve 1980, kur lëvizja sindikaliste Solidarność, u shtyp me mbështetjen sovjetike. Në atë kohë, Christa Mientus-Schirmer ishte tashmë një grua e re.
"Dhe ishte gjithmonë i njëjti model," thotë ajo. Si Bashkimi Sovjetik në atë kohë, edhe Rusia sot - me pretekstin se i kanë thirrur për ndihmë. Ashtu siç thotë Putini tani, se gjasme i është kërkuar ndihmë ushtarake nga rajonet separatiste në Luhansk dhe Donetsk në Ukrainën lindore, të cilat e quajnë veten "republika popullore".
Scholz rusëve: Mos u dorëzoni!
Bundestag, Berlin, 27 shkurt. Vetëm disa hapa larg rrugës së 17 qershorit, mbahet seanca parlamentare ku Kancelari Olaf Scholz, i cili deri para një jave kritikohej nga shumë vende si mbrojtës i Putinit, mban një deklaratë qeveritare që ndryshon me 180 gradë qëndrimin e Gjermanisë ndaj Putinit. Scholz, i cili një ditë më parë kishte vendosur të dërgonte armët në Ukrainë, nuk harroi të shprehte mbështetjen për popullin rus, i cili me guxim i ishte kundërvenë aparatit të pushtetit të Putinit për të protestuar kundër luftës së Ukrainës.
Protesta kundër sundimtarit të Kremlinit kërkon "guxim të madh dhe trimëri të vërtetë". Këta njerëz e dinin që mund të "arrestoheshin dhe dënoheshin", tha Scholz. "Ne e dimë që janë shumë. Unë u them të gjithëve: Mos u dorëzoni! Liria, toleranca dhe të drejtat e njeriut do të triumfojnë, edhe në Rusi". Një numër i madh deputetësh u ngritën në këmbë kur ai i tha këto fjalë. Më vonë shumë prej tyre do t'i falendoreheshin kancelarit në Twitter, për këtë mesazh në drejtim të popullit rus.
Shumica e rusëve janë kundër
Berlin, 27 shkurt. Rruga 17 qershor, Julia Völker është ruse nga Shën Petërburgu dhe së bashku me të shoqin berlinez, Bernd Völker, kanë zgjedhur enkas të protestojnë poshtë Tankut Sovjetik, që ndodhet në rrugën e 17 qershorit. Tanku kujton fitoren e Ushtrisë Sovjetike së bashku me Aleatët në Luftën e Dytë Botërore.
Kjo është lufta jote, Putin, jo e popullit rus - Julia dhe Bernd Voelker
“Më 24 shkurt më erdhi turp që isha ruse – për herë të parë në jetën time”, thotë Julia. Por tani që shtetet perëndimore janë bashkuar kundër Putinit dhe Gjermania madje po furnizon me armë Ukrainën, ajo është bërë optimiste. "Shpresoj se kjo do ta rrisë presionin e brendshëm kundër Putinit - politikisht dhe ekonomikisht." Julia thotë se shumica e njerëzve në Rusi e dinë se kjo është lufta e Putinit dhe jo e popullit rus dhe janë kundër saj".