Jo. Kurrsesi jo! Protestat paqësore të mijëra të rinjve, që kanë arritur sot në ditën e tyre të 29-të në kryeqytet, janë tërësisht dhe thellësisht politike. Ato nuk drejtohen as kundër anëtarëve të familjes së Presidentit amerikan Donald Trump, dhëndrit të tij Jared Kushner dhe vajzës së tij Ivanka Trump, as edhe kundër investimeve të lobuara prej tyre dhe fondeve të siguruara po prej tyre, me 4 miliardë dollarë në Zvërnec dhe 1.4 miliardë dollarë në Sazan.
Megjithatë, mënyra se si shumë media prestigjoze ndërkombëtare kanë zgjedhur t’i mbulojnë keto protesta komplekse, duke e thjeshtuar raportimin në vetëm këndin që ju intereson atyre, kjo ndikon ndjeshëm në perceptimin e opinionit publik global. Prandaj dhe për protestat e zhvilluara në Shqipëri gjatë periudhës 31 maj–27 qershor 2026, është e rëndësishme të bëhet dallimi midis fakteve të verifikueshme dhe interpretimeve mediatike, që e përcjellin lajmin te qindra milionë shikues anembanë botës.
Më 12 qershor 2026, gjigandi mediatik gjerman Deutsche Welle (Lajmet Gjermane), në ditën e 13-të të protestave, jep titullin “Protestat më të mëdha deri më tani kundër resortit të familjes Trump në Shqipëri” (https://www.facebook.com/deutschewellenews/videos/1007866075127059/) . Të njëjtën gjë kanë bërë më shumë se një herë, madje me dhjetëra herë gjatë këtyre 29 ditëve, rrjetet e mëdha televizive amerikane, tejet kritike ndaj Presidentit Trump, si rrjeti CNN, më 17 qershor 2026, me titull “Turmat vazhdojnë të protestojnë kundër planit të resortit Trump-Kushner në Shqipëri”( https://edition.cnn.com/2026/06/15/world/video/ac360-isa-soares-albania) , rrjeti MSNow, data 27 qershor 2026 me titull ”Protestat rriten ndaj projektit të zhvillimit ëe Kushner në Shqipëri“(https://www.youtube.com/watch?v=DYCuYmYeJlY), rrjeti CBS, data 13 qershor 2026 me titull “Resorti luksoz i mbështetur nga Jared Kushner shkakton protesta ditore në Shqipëri”( https://www.cbsnews.com/news/jared-kushner-backed-luxury-resort-stokes-days-of-protests-in-albania/), Reuters, France 24 e me radhë. Janë 188 tituj deri tani nga mediat ndërkombëtare, tejet kritike ndaj Presidentit Trump, me deformim të qëllimshëm të informacionit.
Secili prej rrjeteve të mësipërme televizive ka një audiencë ditore (shikueshmëri ditore nga qytetarët) prej dhjetëra milionë klikimesh në mbarë botën. Për të mos folur për gazetat me ndikim të madh në opinionin ndërkombëtar, si “New York Times”, “The Guardian”, etj.
Me fjalë të tjera, publiku ndërkombëtar është informuar për 29 ditët e protestave në Shqipëri përmes lenteve të mediave të mëdha ndërkombëtare, të interesuara të jenë sa më kritike ndaj Presidentit Trump.
Për më tepër, organizatorët e protestave po mendojnë që të shtunën tjetër, më 4 korrik, në 250-vjetorin e krijimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të thërrasin në Tiranë një tjetër protestë mbarëkombëtare, me pjesëmarrje të gjerë të të ardhurve nga diaspora. E cila, sërish, do të etiketohet dhe portretizohet nga mediat e mësipërme ndërkombëtare si zemërim dhe protestë ndaj projekteve luksoze të turizmit, të lobuara nga dy pjesëtarë të familjes Trump!
A rrezikojnë nga ky këndvështrim i zgjedhur prej shumë gjigandëve mediatikë ndëkombëtarë, që të dëmtohen interesat tona strategjike kombëtare? Për fat të keq, po.
Me protestën tonë kombëtare në Tiranë më 4 korrik 2026, në Jubileun e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi ynë, vendi më pro-amerikan i Evropës, së bashku me Poloninë, rrezikon që të duket si vend anti-Trump, pikërisht për shkak të mbulimit të deformuar mediatik nga media si CNN, MSNow, CBS News, Detsche Welle, France 24, Reuters, etj.
Më 4 korrik 2026, me qindra milionë qytetarë në mbarë botën do të mendojnë se Shqipëria është një vend dukshëm anti-Trump, ngaqë të gjitha mediat ndërkombëtare të majta do ta përcjellin protestën kombëtare në Tiranë, si shprehje e zemërimit dhe e protestës së shqiptarëve ndaj dy projekteve të turizmit të luksit në Shqipëri. Sikurse kanë bërë rëndom në raportimet e tyre deri tani, për 29 ditë.
Ndërkohë që diçka e tillë nuk është e vërtetë! Dhe të vjen keq që, për të rinjtë tanë pjesëmarrës në protestë, që ky keqpërdorim dhe portretizim i Shqipërisë duket se nuk ka shumë rëndësi për ta. Mjafton që kauza e tyre të bëjë sa më shumë bujë ndërkombëtarisht. Ndërkohë që interesat tona strategjike dëmtohen.
Komente










