Autoritetet estoneze kanë paralajmëruar qytetarët dhe turistët që të mos përdorin Google Maps gjatë lundrimit në lumin Narva, pasi aplikacioni mund të tregojë gabim kufirin dhe të drejtojë mjetet lundruese drejt ujërave territoriale ruse. Sipas Gardës Kufitare të Estonisë, këtë vit janë regjistruar të paktën katër raste të kalimeve të paligjshme të kufirit, disa prej të cilave lidhen pikërisht me përdorimin e Google Maps.

Shefja e Kufirit në Narva, Regina Kukk, deklaroi për ERR se aplikacioni shfaq gabim vijën e përkohshme të kontrollit në lumë dhe mund të krijojë probleme serioze për drejtuesit e mjeteve lundruese.

“Në disa raste njerëzit morën paralajmërime, në raste të tjera gjoba”, tha ajo, duke shtuar se në disa incidente gjobat arritën deri në 600 euro.

Autoritetet estoneze rekomandojnë përdorimin e pajisjeve GPS ose aplikacionit “Nutimeri”, i cili sipas tyre tregon me saktësi pozicionin e mjetit në raport me kufirin. Sipas Gardës Kufitare, situata këtë sezon është bërë më e vështirë edhe për shkak se në lumin Narva mungojnë bovet orientuese, pasi Estonia dhe Rusia nuk arritën marrëveshje për vendosjen e tyre.

“Është më mirë të ndalohesh nga roja kufitare estoneze sesa nga ajo ruse”, deklaroi Kukk, duke paralajmëruar se në disa raste kthimi i personave nga territori rus ka zgjatur me ditë të tëra.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë sa më pranë bregut estonez dhe të kërkojnë ndihmë nga patrullat kufitare në rast pasigurie.