“Fan Zone” pas statujës së Heroit Kombëtar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë gëlon nga tifozët. Na ndajnë vetëm disa minuta nga ndeshja e ethshme e finales Argjentinë-Spanjë dhe ata janë “sy e veshë” te ndeshja vendimtare e Botërorit.
Për disa tifozë kjo është më shumë se një ndeshje futbolli apo mbështetje për skuadrën e preferuar. Është një mbrëmje kujtimesh, një mundësi për t’u bashkuar me të tjerë dhe për të qenë pjesë e një spektakli që tejkalon kufijtë e sportit.
Është një festë e madhe për historinë që mund të shkruhet brenda 90 minutave.
Në Fan Zone në sheshin 'Skënderbej' në Tiranë, gazetari Ernest Koçi intervistoi edhe një tifoz të Argjentinës që kishte një shqipe shumë të rrjedhshme pasi prej gjashtë vitesh jeton në vendin tonë dhe punon si kuzhinier. Ai tha se e dashuron Shqipërinë dhe se zgjedh Messin përpara Maradonës, paçka se Diego ka shumë influencë në Argjentinë.
"Jam Sergio, kam gjashtë vite që jetoj në Shqipëri dhe e dashuroj këtë vend. Në Shqipëri kam ardhur sepse kisha një ofertë pune dhe vendosa për po. Kam shpresa se sot do të fitojë Argjentina, jemi kampionët në fuqi. Ata duhet të na kenë frikë. Mes Messit dhe Maradonës zgjedh Messin, sepse e kam jetuar. Janë dy figura ndryshe, Maradona ka shumë influencë në vendin tonë. Ne identifikohemi shumë me Diegon. Mes Lamine dhe Messit sigurisht zgjedh Messin", tha një nga tifozët argjentinas të pranishëm në Fan Zone në Tiranë.
Komente









