FT/ Spanjë 1-0 Argjentinë (Ferran Torres 106')
SHBA - Goli i Ferran Torres në minutën e 106-të i dha fitoren 1-0 kombëtares së Spanjës kundër Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026 që u zhvillua të dielën e 19 korrikut në stadiumin 'MetLife' në New Jersey. 'Iberikët' dominuan në 120 minuta skuadrën që deri përpara këtij dueli mbante trofeun e kampionit, duke zbritur nga froni ekipin e Lionel Scalonit.
Pas 16 vitesh pritje, Spanja rikthehet te titulli kampion i Kupës së Botës për herë të dytë në histori, ndërsa Argjentina do duhet të kënaqet me medaljen e argjendtë edhe sepse 30 minutat e shtesës i luajti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Enzo Fernandez. Veç këtij momenti, 'Albiceleste' duhet të harrojë këtë duel në të cilin për 120 minuta nuk goditën asnjëherë portën edhe pse në fushë ishte Lionel Messi. Në fund nuk mungoi tensioni mes Gavit dhe Paredes.
Kështu, pasi triumfit në Evropianin 2024, Spanja me trajnerin Luis de la Fuente merr edhe trofeun e Botërorit 2026 duke konfirmuar se janë dominues në këtë sport. Spanja ka 38 ndeshje radhazi pa humbje. Sa i takon golashënuesit më të mirë të turneut i cili u zhvillua për 39 ditë në SHBA, Meksikë dhe Kanada, 'Këpuca e Artë' i shkoi sulmuesit të Francës, Kylian Mbappe, me dhjetë gola, duke lënë pas Lionel Messin me tetë gola. Historike edhe për Lamine Yamal, me sulmuesin e Spanjës që në moshën 19-vjeçare ka fituar Kampionatin Evropian dhe Kupën e Botës. Spanja këtë Botëror pësoi vetëm një gol, atë kundër Belgjikës.
Me ngritjen e trofeut nga kapiteni i Spanjës, Rodrigo, mbyllet edhe turneu i 23-të i Kupës së Botës. Trofeu i këtij edicioni për kapitenin e kampionëve të rinj të botës u dha nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, me këtë të fundit që e ndoqi ndeshjen në stadium krah kreut të FIFA-s, Infantino.
Çmimet e këtij Botërori:
Topi i Artë i këtij turneu, ose lojtari më i mirë u fitua nga Rodrigo, kapiteni i Spanjës
'Këpuca e Artë', golashënuesi më i mirë - Kylian Mbappe (Francë) me dhjetë gola
Pau Cubarsi, mbrojtësi i Spanjës shpallet lojtari i ri më i mirë
Unai Simon, portieri i Spanjës merr 'Dorezën e Artë'
Komentet më të rëndësishme të sfidës:
120+5' Mbyllet 1-0 ndeshja, Spanja është kampione e botës për herë të dytë në histori.
120' Pesë minuta shtesë. Argjentina rrezikon me tre raste, por nuk shënon dot me Senesi.
113' Ferran Torres shënon golin e dytë për Spanjën, por gjithçka anulohet për pozicion jashtë loje.
106' GOOL! Ferran Torres kalon Spanjën në epërsi. Nico Williams asiston për sulmuesin e Barcelonës që me të majtën mposht Martinezin.
106' Nis shtesa e dytë prej 15 minutash.
105+3' Mbyllet 0-0 shtesa e parë prej 15 minutash.
103' Nuk i besojnë syve te Spanja. Merino provon me kokë pas krosimit nga e majta, por sheh topin të shkojë ngjitur me shtyllën.
97' Nico Williams shënon, por arbitri Vincic e anulon për një faull më herët. Rast i diskutueshëm që pritet të krijojë debat.
91' Nis shtesa e parë prej 15 minutash.
90+8' Mbyllet 0-0 koha e rregullt, finalja e Botërorit do të luajë edhe dy pjesë nga 15 minuta. Argjentina nuk ka bërë asnjë gjuajtje në 90 minuta.
90+7' Lamine Yamal provon nga goditja e dënimit, Martinez devijon në këndore.
90+2' Ndërhyrje e gabuar nga Enzo Fernandez, mesfushori i Argjentinës del me karton të kuq pas dy të verdhëve (edhe pas kontrollit në VAR). Argjentina po i drejtohet shtesave me dhjetë futbollistë, tension edhe mes dy stafeve.
90' Katër minuta shtesë.
83' Enzo Fernandez i Argjentinës merr karton të verdhë.
75' Mikel Merino dhe Nico Williams në fushë për Spanjën, jashtë Dani Olmo dhe Alex Baena.
70' Scaloni bën dy lëvizje, del i dëmtuar Romero, në vend të tij Medina. Jashtë de Paul, në fushë Giuliano Simeone.
67' Yamal kroson për Torres që godet me kokë, pret Martinez në pozicion.
64' Gjuajtje e fortë nga Olmo, i pasigurt portieri Martinez që e dërgon topin në këndore. Me fat Argjentina.
62' Luis de la Fuente bën dy lëvizje te Spanja. Jashtë Ruiz e Oyarzabal, në fushë yjet e Barcelonës Pedri dhe Ferran Torres.
58' Argjentina largon Montiel, në vend të tij Molina.
52' Paredes ndëshkohet me karton të verdhë pas vetëm shtatë minutave në fushë.
46' Nis pjesa e dytë. Në fushë për Argjentinën futet Paredes, Gonzalez mbetet në dhomat e zhveshjes.
45+4' Mbyllet 0-0 pjesa e parë.
45' Katër minuta shtesë.
44' Zëvendësim i detyruar për Argjentinën, del Lisandro Martinez i dëmtuar dhe futet Nicolas Otamendi.
43' Cucurella provon nga jashtë zone për Spanjën, sfera del jashtë.
41' Lisandro Martinez (Argjentina) ndëshkohet me kartonin e parë të verdhë në këtë ndeshje.
39' Mikel Oyarzabal provon nga jashtë zone me të majtën, pret Martinez.
17' Provon me një top të gjatë de Paul, por Nico Gonzalez nuk e kontrollon dot në zonë.
12' Vjen goditja e parë nga këndi. Kroson Ruiz, por Lisandro Martinez devijon sërish në këndore.
6' Përgjigjet Lionel Messi, del Simon dhe largon topin me këmbë.
5' Lamine Yamal ka shansin e parë për Spanjën, ndalet nga Martinez.
1' Fërshëllen arbitri Slavko Vincic. Nis ndeshja me topin e parë të shkelmuar nga Leo Messi.
Formacionet zyrtare:
Spanja (4-2-3-1): Simon; Cucurella, Laporte, Cubarsi, Porro; Ruiz, Rodri; Baena, Olmo, Yamal; Oyarzabal Trajner: Luis de la Fuente
Argjentina (4-4-2): Dibu Martinez; Montiel, Romero, Li.Martinez, Tagliafico; de Paul, Nico Gonzalez, Mac Allister, Enzo Fernandez; Alvarez, Messi Trajner: Lionel Scaloni
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.

Humbja ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 ka sjellë një tjetër 'rekord' historik për Argjentinën, por këtë herë një rekord që nuk ka aromën e lavdisë. Me disfatën 1-0, Argjentina është shpallur nënkampione e botës për herë të katërt në histori, duke barazuar Gjermaninë si kombëtarja me më shumë finale të humbura në historinë e Kupës së Botës.
'Albicelestet' kanë përfunduar në vendin e dytë në katër edicione të turneut më të madh të futbollit:
1930 - humbje në finalen e parë të historisë së Botërorit ndaj Uruguait.
1990 - humbje ndaj Gjermanisë në finalen e zhvilluar në Romë.
2014 - humbje ndaj Gjermanisë pas golit të Mario Gotze në kohën shtesë.
2026 - humbje ndaj Spanjës pas golit të Ferran Torres në minutën e 106-të.
Argjentina mbetet po ashtu një nga kombëtaret më të suksesshme në histori, me tre trofe të fituara të Kupës së Botës në vitet 1978, 1986 dhe 2022.
Për Lionel Messin, kjo ishte finalja e tretë e Botërorit në karrierë. Pas humbjes në 2014 dhe triumfit historik në 'Katar 2022', aventura e tij e fundit në një finale botërore përfundoi me medaljen e argjendtë dhe lotët në fundin e ndeshjes.

Spanja nuk dominoi vetëm në fushë, por edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve individuale të Kupës së Botës 2026.
Çmimi më i rëndësishëm individual, “Topi i Artë” për lojtarin më të mirë të Botërorit, iu dha mesfushorit Rodri, i cili ishte një nga protagonistët kryesorë të suksesit të Spanjës me paraqitjet e tij gjatë gjithë turneut.
Edhe portieri Unai Simon u vlerësua me “Dorezën e Artë”, si portieri më i mirë i kompeticionit pasi pësoi vetëm një gol në tetë takime. Ndërkohë, talenti Pau Cubarsi fitoi çmimin “Lojtari më i Mirë i Ri”.
I vetmi çmim që nuk shkoi për Spanjën ishte “Këpuca e Artë”, e cila iu dorëzua Kylian Mbappe si golashënuesi më i mirë i turneut me 10 gola të shënuar.
Në krahun tjetër, Lionel Messi e mbylli Botërorin pa asnjë çmim individual.

Lionel Messi është parë në lot pasi mori medaljen e vendit të dytë këtë Kupë Bote. Kapiteni i Argjentinës ka shënjuar një epokë, teksa në moshën 39-vjeçare pritet që ta mbyllë karrierën e tij ndërkombëtare.
Në pushimin mes pjesëve të finales mes Spanjës dhe Argjentinës, fusha u rikthye sërish në një skenë gjigante. Emra si Madonna (e shoqëruar nga Ronaldo dhe Ronaldinho), Shakira, Justin Bieber, BTS dhe Ted Lasso dhuruan një performancë fantastike për 82 mijë të pranishmit në stadium dhe miliona të tjerë që i ndoqën nga ekrani.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është para në 'MetLife' stadium krah kreut të FIFA-s, Gianni Infantino, në prag të finales së Kupës së Botës 2026. Trump është filmuar pas një xhami mbrojtës antiplumb. Kreu i Shtëpisë së Bardhë mbërriti në stadium me formacionin e helikopterëve 'Marine One'. Ai shoqërohet edhe nga bashkëshortja, Melania. Donald Trump do të dorëzojë trofeun për skuadrën kampione.
Spanjën e përfaqëson Mbreti Felipe VI, i shoqëruar nga Mbretëresha Letizia dhe kryeministri Pedro Sanchez, pavarësisht polemikave të fundit me presidentin e SHBA-së, Trump. Në stadium janë 82 mijë tifozë.
Ndërsa presim spektaklin që Spanja dhe Argjentina do të shfaqin në fushë duke filluar nga ora 21:00, yje të shumtë të muzikës dhe filmit po marrin pjesë në ceremoninë e mbylljes së Kupës së Botës në stadiumin 'MetLife', të organizuar nga FIFA.
Shfaqja është krijuar për të festuar pasionin, emocionin dhe frymën globale që karakterizoi edicionin e 23-të të Kupës së Botës. Laura Pausini u ngjit në skenë së bashku me Nicole Scherzinger dhe Robbie Williams.
Në fillim në fushën e kthyer në skenë doli IshowSpeed, duke u pasuar nga Post Malone. Reperi dhe producenti i njohur amerikan performoi në skenë disa nga këngët e tij më të njohura: Chrome Heartbreaker, Wow dhe Sunflower. Swae Lee performoi gjithashtu një duet me të. Të dy u shoqëruan nga një spektakël fishekzjarrësh.
Në pushimin mes pjesëve do të ketë një tjetër spektakël ku do të performojnë Shakira, Justin Bieber, Madonna dhe grupi korean me famë botërore BTS janë gati të performojnë. Atyre do t'u bashkohet Burna Boy, dirigjenti i njohur Gustavo Dudamel dhe Kori i PS22, i udhëhequr nga Chris Martin i Coldplay.
Komente






