Etilda Gjonaj: Gratë deputete e kanë merituar rolin në Parlament, të ruajmë standardin që kemi arritur deri më tani

Etilda Gjonaj: Gratë deputete e kanë merituar rolin në Parlament, të ruajmë standardin që kemi arritur deri më tani

1721994836_etildagjonaj.png

Deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj, ka shpjeguar sot në parlament amendamentin e propozuar prej saj për ruajtjen e kuotave gjinore teksa pritet të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ajo tha se kuota gjinore nuk është një diskriminim pozitiv sikundër thuhet shpesh, por një mekanizëm që përdoret nga shumë vende si një mundësi për të pasur minimunin e përfaqësimit të grave në strukturat politike e vendimarrëse.

“Amendamenti është propozuar me një dakordësi politike kryesisht nga gratë deputete, përfshi edhe kryetarët e grupeve parlamentare Çuçi e Bardhi të cilët dua t’i falënderoj . Por duhet të kuptoni se asnjë nga zonjat që ka firmosur këtë amendament nuk e bën kërkesën për të ruajtur kuotën gjinore për veten e saj. Këtu bëhet fjalë për atë standard që ne e kemi arritur. Jo vetëm ne që jemi sot pjesë e këtij parlamenti, por edhe më parë gra të tjera deputete. Sot që flasin janë 36% gra deputete në parlament prej garancisë së kuotës gjinore”, tha Gjonaj. 

Në vijim të fjalës së saj ajo theksoi se duke pasur më shumë gra deputete në parlament edhe politika është më e mirë edhe shoqëria është më e mirë. Gjonaj tha se gratë deputete sot kanë treguar që e kanë merituar rolin dhe pozicionin e të qenurit në parlament.

“Kauzat për çështje sociale apo për çështje të mbrojtjes së të drejtave të fëmijeve apo të drejtave të grave, kapen e trajtohen më shumë nga gratë deputete në parlament. Jo se nuk dinë të bëjnë mirë aspekte të tjera politike si të merren me çështje të sigurisë apo ligjeve. Ne kemi kolege deputete që sot drejtojë 4 komisone të përhershme shumë të rëndësishme. Gratë deputete kanë treguar që e kanë merituar rolin, pozicionin dhe të qenurit në këtë parlement. Gratë nuk janë të detyruara gjithmonë të justifikojnë vendin e tyre ku qëndrojnë, vendin e tyre kur janë në parlament apo qeveri sepse e meritojnë po njësoj si kolegët burra shumë të nderuar”, theksoi Gjonaj.

Deputetja nismëtare e këtij amendamenti tha se qëllimi i këtij propozimi është për të ruajtur standardin e arritur deri më tani e të vlerësuar gjerësisht nga organizmat ndërkombëtare.

“Nëse sot në Kodin Zgjedhor 30% i kuotës respektohet edhe në këtë amendament me dy lista garantohet kuota gjinore në hyrje me listën e hapur, por nuk garantohet në dalje. Që do të thotë të kemi të njëjtin numër gra deputete të zgjedhura që minimalisht të respektohet kuota prej 30%. Amendamenti ka të bëjë me këtë që ne të ruajmë kuotën gjinore edhe për gratë që do të renditen në listën fituese, për atë listë do t’i nënshtrohet procesit të votimit me parapëlqim, e konsideruar si listë e hapur. Një në 3 vende që i përkasin fituesve të jetë grua mbi bazën e numrit të votave që ka marrë . Kjo do t’i japë mundësinë të ruajmë kuotën gjinore prej 30%.”, tha Gjonaj.

Deputetja e PS shpjegoi se nëse nuk pranohet amendamenti, pra pranohet varianti sikundër është tani, rrezikojmë që në parlamentin e ardhshëm të kemi jo më shumë se 22% gra deputete.

“Ideja është për sa kohë ne jemi 36% do të thotë që ne nuk mund ta lejojmë regresin për sa i përket këtij standardi të vlerësuar nga të gjitha organizmat ndërkombëtare. E vlerësuar nga BE si një standard që çështjet gjinore janë pjesë e integrimit evropian. Jemi vlerësar në nivel rajoni me numrin më të lartë të ministreve gra në qeveri, jemi vlerësuar në rajon për numrin më të lartë të grave deputete. Atëhere nuk mund të lejojmë të kemi regres. Asnjë grua nuk do të ndiente legjitimitet të fliste për të drejtat e grave, të flasë për respektimin e grave nëse nuk do të bënte këtë veprim për të mbështetur pasjen dhe funksionimin e kuotës gjinore 30%. Mbetet shumë për të vlerësuar fakti që ky amendament mori dakordësinë e deputeteve nga të gjitha krahët. Nuk bëhet fjalë për asnjë grua që është në këtë parlament por për standardin që duhet të ruajmë për të pasur sa më shumë gra në parlament për të bërë politikën dhe shoqërinë më të mirë”, tha Gjonaj.


Lajmi kryesor:

Miratohet amendamenti/ Jo vetëm në listën e fiksuar, kuota gjinore do respektohet edhe në garën e hapur! 1 në 3 fitues do të jetë grua


SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

U përfshi në aksident, mjeku nuk u mbijeton dot plagëve! Humb jetën te Trauma

U përfshi në aksident, mjeku nuk u mbijeton dot plagëve! Humb jetën te Trauma