EULEX-i angazhon një ekip të specializuar me holandezë dhe suedezë për veriun e Kosovës

EULEX-i angazhon një ekip të specializuar me holandezë dhe suedezë për veriun e Kosovës

Këshilltarët policorë të Eulex

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dërgoi gjashtë këshilltarë policorë të cilët do të punojnë në katër stacionet e Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Dislokimi është bërë të enjten dhe ka për qëllim përforcimin e kapacitetit këshillues dhe monitorues të këtij misioni, bëri të ditur EULEX.

Dislokimi do të zgjasë fillimisht për dy muaj, me mundësinë e vazhdimit “derisa Misioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri të Kosovës”.

“Në mënyrë të veçantë, ES e EULEX-it do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë, duke e monitoruar gjithashtu respektimin e detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut, për t'i shërbyer komuniteteve që ata i mbrojnë dhe për ta rritur besimin e popullatës përmes punës policore të orientuar në komunitet”, njoftoi EULEX.

Tre nga këta pjesëtarë janë nga Holanda dhe tre të tjerë nga Suedia.

“...Duke u bazuar në përvojën dhe ekspertizën e tyre policore në komunitet, do të punojnë në komunat veriore në koordinim të ngushtë me kolegët e tyre të Policisë së Kosovës dhe me Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it, të cilët e këshillojnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe katër stacionet policore nën komandën e saj”, bëri të ditur EULEX.

Sipas EULEX-it, dislokimi i Ekipeve të Specializuara me ekspertizë dhe kapacitete të ndryshme është një instrument i ofruar nga Kompakti i Politikës Civile të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP), i miratuar në maj 2023 për të dislokuar shpejt ekspertë në Misionet Civile të CSDP-së për t'iu përgjigjur me shpejtësi nevojave operacionale dhe zhvillimeve të sigurisë në terren.

Që nga fundi i majit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave.

Tensionet u rritën dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan. REL

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë