Euro, Berlini paralajmëron
Greqinë: BE ecën edhe pa ju

Euro, Berlini paralajmëron <br />Greqinë: BE ecën edhe pa ju
TIRANE – Eurozona është në gjëndje të përballojë një dalje të Greqisë. Pohimi erdhi në një intervistë për të përditshmen Rheinisce Post nga ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble. “Europa nuk zhytet kaq lehtë”, siguroi ministri duke folur mbi rreziqet e daljes së Greqisë nga zona e Euros.

“Në dy vitet e fundit kemi mësuar shumë dhe kemi ngritur mekanizma mbrojtës”, shpjegoi ministri, sipas të cilit edhe rreziqet e “infektimit” të vendeve të tjera të eurozonës janë ngushtuar. “Ideja që ne nuk jemi në gjendje të reagojmë shpejt ndaj një të papriture është false”. “Europa – shtoi – nuk do të shkojë poshtë kaq shpejt”.

Më pas Schäuble paralajmëroi Greqinë: “Dëshirojmë që të qëndrojë në eurozonë. Por duhet të respektojë impenjimet dhe ne nuk mund të detyrojmë askënd që ta bëjë”.

Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westervelle, përdori tone ultimatumi: gjatë fjalës së tij në Bundestag, sot në mëngjes, tha se ndihma të tjera ndaj Europës do të jenë të mundshme vetëm nëse do të respektohet impenjimet: “Ne kemi ndërmend të respektojmë premtimet tona për ndihmë. Por kjo do të thotë se Greqia duhet të aprovojë reformat për të cilat kemi rënë dakort”. “Fiscal Pact është vendosur – vazhdoi ministri – Marrëveshjet mes shteteve nuk mund të çvlerësohen nga zgjedhje të reja. E ardhmja e Greqisë në eurozonë, tani, është në duart e Greqisë”.

Deklarata që ndjekin ato të presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, që kishte paralajmëruar të enjten se Greqia duhet të braktisë euron nëse nuk respekton impenjimet e saj me vendet e tjera anëtare të zonës.

VENIZELOS DESHTON, ZGJEDHJET GJITHNJE E ME PRANE
Ndërkohë, lideri i Partisë Socialiste greke, Evangelos Venizelos, ka braktisur përpjekjet për të formuar një qeveri të re. Venizelos, partia e të cilit u rendit e treta në zgjedhjet e fundit, tha se do të takojë Presidentin e vendit të shtunën në një tentativë të fundit e të dëshpëruar për të evituar zgjedhje të tjera.

“Unë do të informoj Presidentin e Republikës nesër dhe shpresoj se, gjatë takimit me Carolos Papoulias, secila parti do të marrë përgjegjësitë e saj”, tha Venizelos.

Presidenti pritet që të bëjë presion ndaj partive me qëllim formimin e një qeverie të shpëtimit kombëtar, bëri të ditur BBC, por sipas korrespodentit të saj në Athinë kjo ka pak gjasa që të ndodhë.
Në këtë rast vendi do t’i drejtohet zgjedhjeve të reja dhe kjo do të jetë si kalimi në një rrugë të panjohur, shkruan BBC.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Augustin Palokaj: Mali i Zi mes BE-së dhe botës serbe

Augustin Palokaj: Mali i Zi mes BE-së dhe botës serbe