Monedha e përbashkët evropiane vijon të prekë vlerat më të ula historike të saj në dy dekada. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro po këmbehet në tregun vendas me 116.97 lekë, nga mbi 119 lekë që këmbehej në fillim të këtij muaji. Në raport me korrikun e një viti më parë Euro është zhvlerësuar me 5.52 lekë, pasi vjet monedha evropiane këmbehej me 122.4 lekë.

“Kjo rënie kundrejt monedhës vendase (lekë) ka si shkak kryesor efektin sezonal”, - thonë ekspertët.

“Rënia vjen kryesisht nga sezoni turistik, nga avancimi i eksporteve më shumë se në periudhat e kaluara, për arsye se edhe eksportet ndikojnë në rënien e euros, dhe pastaj është edhe paraja informale që sistematikisht është pastruar në Shqipëri. Edhe faktorët e jashtëm kanë ndikuar”, thotë eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj.

Si pasojë e hyrjeve të shumta të turistëve këtë vit, edhe prurjet në valutë janë tepër të larta, ndërsa kërkesa është e ulët. Por nuk mund të lihet pa përmendur edhe impakti i rritjes së normës bazë të interesit dy herë brenda pak muajsh, që po japin efektet më të mëdha tani pasi rrisin pozitën e lekut në raport me monedhat e huaja.

Zhvlerësimi i euros ndihmon importuesit të cilët blejnë në euro dhe shesin në lekë, si dhe përfitojnë të gjithë ato individë apo subjekte që kanë detyrime në euro dhe të ardhurat e tyre në lekë. këtu përfiton edhe shteti, pasi një pjesë e borxhit që kemi është në euro, dhe për ta shlyer në këtë periudhë duhen më pak lekë.

Ndërsa humbësit më të mëdhenj të rënies së euros janë eksportuesit që blejnë me lekë e shesin me euro, të cilët për produktet që do të tregtojnë jashtë vendit do të fitojnë më pak euro si pasojë e këtij nënçmimi të monedhës evropiane..