Kursi i këmbimit të euros ka prekur një tjetër minimum të ri këtë të mërkurë. Sipas kursit mesatar të Bankës së Shqipërisë një euro po këmbehet me 96.44 lekë. Kjo ishte vlera më e ulët e regjistruar ndonjëherë, jo vetëm në raport me vitet e kaluara, por edhe në krahasim me të gjithë muajit e tjerë të 2025-ës. Një zhvlerësim me gati 2% krahasuar me janarin e 2025-ën kur monedha evropiane këmbehej me 98.2 lekë.

Banka e Shqipërisë thotë se zhvlerësimi i monedhave të huaja ka ardhur prej fluksit të lartë të valutave që ka hyrë në vend prej turizmit, investimeve të huaja dhe remitancave, kurse ekspertët e kanë lidhur edhe me paranë informale, që vjen kryesisht nga burime informale.

Për të frenuar një rënie edhe më të fortë vjet deri në shtator banka ka blerë 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, vlera më e lartë e tërhequr ndonjëherë nga tregu. Kjo vlerë pritet të kalojë 1 miliardë euro deri kur të kalkulohen blerjet edhe për tremujorin e tretë të vitit.

Për të frenuar një rënie edhe më të fortë të euros në vitin që vjen, Banka e Shqipërisë do të rrisë blerjet e valutës në tregun e brendshëm këtë vit. Nga 350 milionë euro që ishte sasia e domosdoshme e rezervës valutore për vitin e kaluar, do të rritet në 450 milionë euro gjatë 2026-ës.

Humbësit më të mëdhenj të tkurrjes së euros/dollarit janë eksportuesit që i kanë shpenzimet në lekë dhe të ardhurat në euro ose dollar, dhe kur bëjnë këmbimin reduktohet ndjeshëm vlera. Po ashtu humbasin edhe familjet që marrin remitanca, pasi për të njëjtën dërgesë që i kanë dërguar emigrantët vjet marrin më pak lekë këtë vit.

Po kështu humbet buxheti i shtetit, fiton më pak para nga të importet, pasi për shkak të zhvlerësimit të valutave mblidhen më pak para nga TVSH-ja në doganë dhe nga akciza.

Ndërsa efektet pozitive të këtij zhvlerësimi janë ndjerë kryesisht në uljen e borxhit të marrë në valutë, pasi këstet e kthimit të tij janë bërë më të lira. Po ashtu përfitojnë importuesit, pasi ata blejnë në valutë dhe shesin në lekë.