Niveli i kredive me probleme preku një tjetër minimum në gusht. Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se vetëm 3.66% e portofolit të kredive rezultoi me probleme në fund të gushtit, nga 4.19% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Pra, një tkurrje me 0.53% brenda një viti.

Kredia me probleme
Gusht 2025            4.19%
Gusht 2026            3.66%
Diferenca              -0.53%

Ndërsa e përkthyer në vlerë, në bilancet e bankave janë 36.8 miliardë lekë hua me probleme, në rënie me 892 milionë lekë krahasuar me vjet. Kjo rënie tregon se këstet e kredive janë paguar në kohë nga qytetarët dhe bizneset, por njëkohësisht lidhet edhe me fshirjen e kredive të humbura nga vetë bankat.

Vlera e kredive me probleme
Gusht 2025            37,734 mln lekë
Gusht 2026            36,842 mln lekë
Diferenca                  -892 mln lekë

Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre 4 miliardë lekë kredi të klasifikuara të humbura. Një hua konsiderohet e humbur kur brenda 365 ditësh nuk është bërë asnjë pagesë ndërsa një kredi vlerësohet nënstandad nëse nuk paguhet asnjë këst prej 90 ditësh.

Bankat mund t’i ‘shesin’ kreditë e këqija tek subjektet që mbledhin huatë me probleme, të cilat më pas vijojnë me procesin e shlyerjes së kredive. Dy vite më parë subjektet e mbledhjes së kredive u bënë edhe më të njohura pas skandalit me Micro Kredit Albania dhe Final, që iu rritën detyrimet qytetarëve, madje ua rënduan gjendjen financiare pasi përdorën si metodë për të shlyer borxhin e vjetër edhe marrjen e një kredie të re, që i çoi deri në humbje të banesave të tyre.

Kjo praktikë pritet të ndalet përmes një ligji të ri që aktualisht po konsultohet, që përcakton se subjektet që blejnë dhe mbledhin kredi të këqija, nuk mund të vendosin interesa, penalitete, komisione apo tarifa më të larta se ato që parashikoheshin në marrëveshjen fillestare të kredisë. Gjithashtu këto subjekte të licencuara për blerjen e kredive, nuk mund të japë  kredi të reja.