Euro ka vijuar tendencën rënëse edhe gjatë ditës së djeshme, teksa, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 127.72 lekë, me një tkurrje prej 0.2 lekë me bazë ditore, pas rënies me 0.8 lekë ditën e mëparshme. Ky është një tjetër rekord i ulët i 10 viteve të fundit, në nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2009.
Eksportuesit janë humbësit e mëdhenj të rënies galopante të euros në tregun tonë valutor, por jo të vetëm. Janë edhe ata që euron e përdorin në jetën e tyre të përditshme. Pak ditë më parë, Qendra Shqiptare e Eksporteve argumentoi se ekonomia jonë po humbet rreth 14 miliardë lekë nga dobësimi i euros. Ndërsa kjo çështje është shndërruar në debatin kryesor të ekonomisë, lidhur me faktorët që po e ndikojnë një situatë të tillë, fasonistët hedhin dyshime për politika të qëllimshme.
Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve deklaron se institucionet shtetërore duhet të ndërhyjnë për të mbrojtur shumicën e shqiptarëve, të cilët janë përdorues të euros. “Është rasti tipik, kur shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht me politika monetare, pse jo edhe financiare për të mbrojtur shtetasit e vet, që janë përdorues masivë të monedhave të forta. Është rasti të kujtoj që gjysma e kombit shqiptar kanë Euron monedhë zyrtare (Kosova). Gjysma e gjysmës tjetër (Shqipëria) është përsëri jashtë si emigrantë në shtete, ku në mos përdoret Euro, përdoren monedha të tjera të forta, si dollari, paundi etj”, shprehet Gjika.
Kreu i fasonistëve e konsideron të qëllimshme goditjen e euros për të favorizuar persona të caktuar në dëm të shumicës dhe ekonomisë kombëtare. “Me një matematikë të thjeshtë, nga politika monetare e zhvlerësimit artificial të euros dëmtohen direkt 75% e shqiptarëve. Pyetja që shtrohet është: Për 25% të shqiptarëve bëhet kjo politikë? Pastaj pyetja bëhet akoma më e nxehtë: Kush është ky 25%? Personalisht mendoj që është një lojë e rrezikshme (loja me euron), me pasoja shumë të rënda për ekonominë dhe shqiptarët. Problemi i tjetër i madh serioz i kësaj është që ky dëmtim do të jetë i pamundur të rikuperohet për një kohë të shkurtër”, shprehet Gjika.
Per qfar arsye shqetsim, e po te ishte e kundërta ? Ne kemi lekun dhe jo € apo jo ?
Përgjigju