Trajneri i Çekisë në futboll, Jaroslav Sihavy ka bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen kundër Shqipërisë, e cila luhet në Pragë të enjten e 7 shtatorit 2023 në orën 20:45. Kryesuesit e grupit E kualifikues për në Euro 2024 nuk do e kenë të lehtë, teksa përballë kanë kuqezinjtë e Sylvinhos që ndjekin në vendin e dytë me një pikë më pak (6).
Çekët kanë gati listën e lojtarëve të grumbulluar, teksa bien në sy emra si Soucek, Cvancara apo edhe Hlozek. Pjesën dërmues të listës e zënë lojtarët e Slavias së Pragës, me trajnerin çek që ka vlerësuar kombëtaren kuqezi.
"Më kujtohet mirë kur luajtëm kundër Shqipërisë, ishin shumë të fortë, pavarësisht se fituam. Shqipëria është një nga rivalët që kërkon kualifikim, janë ata, Polonia dhe ne. Është rival shumë i pakëndshëm me lëvizje të mira dhe shpejtësi. Kemi dëgjuar që me ardhjen e Sylvinhos është përmirësuar edhe stili i tyre i lojës. Nuk do të jetë e lehtë për ne", tha mes të tjerash Sihavy.
Kujtojmë se pas Çekisë, kombëtarja shqiptare e futbollit pret në datën 10 shtator në "Air Albania", Poloninë. Të dyja ndeshjet e vlefshme për grupin E kualifikues të Euro 2024 janë shumë të rëndësishme për tanët, me 180 minutat që do i japin përgjigje shumë pikëpyetjeve për fatat e grupit.
Momentalisht, pas tre dueleve në këtë grup, Çekia prin me 7 pikë, teksa kuqezinjtë me 6 pikë mbajnë vendin e dytë. Moldavia me pesë pikë (një ndeshje më shumë) renditet e treta, teksa Polonia me tre pikë në vendin e katërt. Grupin e mbyllin Ishujt Faroe me një pikë.

Lista e Çekisë
Komente











