Eurojust ka publikuar informacion më të zgjeruar për operacionin e përbashkët Shqipëri-Itali kundër një organizate kriminale shqiptare ttë drejtuar nga shqiptarë, ku në pranga ranë edhe Ergys Kastrati alias “Bishja”, i konsideruar një nga drejtuesit kryesorë të grupit, si dhe persona të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Në njoftimin zyrtar të së mërkurës, Eurojust bën të ditur se gjatë aksionit të zhvilluar më 26 maj në Shqipëri dhe Itali u arrestuan 12 persona, ndërsa ndaj 3 të tjerëve u lëshuan urdhra paraqitjeje. Hetimet lidhen me disa vepra të rënda penale, mes tyre vrasje, trafik droge dhe pastrim parash, që sipas autoriteteve rezultuan të lidhura me të njëjtin grup kriminal.
Sipas Eurojust, hetimi nisi pas vrasjes brutale të italianit Francesco Diviesti në rajonin e Barit në maj të vitit 2025. Një konflikt në një bar në Barletta degjeneroi më pas në ekzekutimin e të riut në një zonë të izoluar në Upper Murgia. Gjatë hetimeve për vrasjen, autoritetet italiane zbuluan lidhje me trafikun e drogës të menaxhuar nga një shtetas shqiptar, çka çoi më pas në identifikimin e një organizate kriminale të strukturuar që merrej edhe me pastrim parash mes Italisë dhe Shqipërisë.
Eurojust thekson se paralelisht ishte duke u zhvilluar edhe një tjetër hetim ndaj shtetasve shqiptarë që operonin në rajonin e Pulias dhe që rezultuan pjesë e të njëjtit rrjet kriminal. Për këtë arsye, në dhjetor të vitit 2023 u ngrit një skuadër e përbashkët hetimore mes autoriteteve italiane dhe SPAK-ut, me mbështetjen e Eurojust.
Sipas njoftimit, si rezultat i hetimeve të përbashkëta, 15 persona përballen me akuza të ndryshme, mes tyre vrasje me paramendim me metoda mafioze, zhvatje, armëmbajtje pa leje, ndihmë ndaj autorëve të krimit dhe shkelje të masave parandaluese personale.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet edhe me pastrimin e parave. Eurojust thotë se grupi kishte ngritur një strukturë të organizuar në Tiranë për transferimin dhe pastrimin e fitimeve kriminale të ardhura nga trafiku i drogës në Itali. Vetëm nga hetimet aktuale është dokumentuar pastrimi i afro 1 milion eurove të transferuara drejt Shqipërisë.
Në deklaratën e saj, agjencia europiane e bashkëpunimit gjyqësor vë theksin te fuqizimi i grupeve kriminale shqiptare në Itali dhe bashkëpunimi i tyre ndërkombëtar. Eurojust kujton se mes viteve 2018 dhe 2026, SPAK dhe Prokuroria Antimafia e Barit kanë ngritur pesë skuadra të përbashkëta hetimore kundër organizatave shqiptare të trafikut të kokainës dhe heroinës.
Bilanci i këtij bashkëpunimi, sipas Eurojust, është mbi 170 arrestime dhe sekuestrimi i më shumë se 7 tonëve drogë, përfshirë kokainë, heroinë, hashash dhe marijuanë. Hetimet kanë çuar gjithashtu në dënime deri në 20 vite burg për anëtarë të organizatave kriminale.
Eurojust bën të ditur se përveç koordinimit hetimor, ka financuar edhe aktivitetet e skuadrave të përbashkëta me mbi 180 mijë euro për shpenzime hetimore, përkthime, ekspertiza, transport provash dhe analiza forenzike.
Eurojust thotë se e konsideron bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë një model funksional në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, duke vlerësuar faktin se operacioni i fundit është rezultat i disa viteve të koordinimit mes SPAK, antimafias italiane dhe agjencive europiane të drejtësisë.
Komente











