Vapa po paralizon Europën. Temperatura rekord mbi 40 gradë Celcius, qindra viktima, fëmijë që humbin jetën, udhëtime të anuluara dhe qytete në alarm të kuq. Kjo është tabloja që po shfaqet në disa nga vendet më të mëdha europiane, ndërsa kulmi i valës së të nxehtit duket se është vetëm në fillimet e tij. 

Situata më dramatike raportohet në Spanjë, ku sistemi publik MoMo vlerëson se vala e të nxehtit lidhet me 212 vdekje të regjistruara nga e diela deri të mërkurën. Instituti krahason numrin aktual të vdekjeve me mesataren historike për të llogaritur ndikimin e temperaturave ekstreme.

Edhe Franca po përjeton ditë të pazakonta. Një fëmijë 3-vjeçar humbi jetën pasi u gjet brenda një makine të parkuar pranë banesës së familjes në Saint-Gratien, ndërsa autoritetet konfirmuan se vendi regjistroi natën më të nxehtë që nga fillimi i matjeve në vitin 1947. Temperatura mesatare kombëtare gjatë natës arriti në 22 gradë Celsius, duke thyer rekordin e vendosur vetëm pak ditë më parë. Më herët gjatë javës, Franca kishte regjistruar edhe ditët më të nxehta në historinë moderne të matjeve, me shumë zona që arritën temperatura mes 39 dhe 43 gradëve. Në 147 qytete u vendosën rekorde të reja për muajin qershor.

Itali, alarmi vazhdon të zgjerohet. Numri i qyteteve me nivelin maksimal të rrezikut nga vapa po rritet nga dita në ditë, ndërsa meteorologët parashikojnë se kulmi i kësaj vale do të arrijë mes së dielës dhe të hënës, kur në disa zona temperaturat do të kalojnë 40 gradë Celsius. Edhe pse priten stuhi lokale, ato nuk pritet të sjellin ulje të ndjeshme të temperaturave apo të lagështisë. Ekspertët theksojnë se qytete si Milano, Firence dhe Parma po përjetojnë kushte që dikur ishin të pazakonta për muajin qershor. Në vend janë ngritur edhe të ashtuquajturat "streha klimatike", ambiente publike ku qytetarët mund të gjejnë freski gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Vapa po krijon probleme edhe në jetën e përditshme. Në Itali janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa qytete, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Orazio Schillaci, ka thirrur një mbledhje teknike për emergjencën nga temperaturat e larta. "Duhet të mbrojmë personat më të brishtë, të moshuarit dhe fëmijët", deklaroi ai.

Në Firence, Galeria Uffizi u detyrua të kufizojë hyrjet pasi sistemi i kondicionimit nuk po përballonte temperaturat e larta. Brenda sallave u regjistruan rreth 33 gradë Celsius, ndërsa disa turistë ndërprenë vizitat për shkak të vapës. Muzeu njoftoi se në ditët në vijim hyrjet do të kufizohen në 50% të kapacitetit.

Pasojat po ndihen edhe në bujqësi. Organizata italiane CIA-Agricoltori vlerëson se thatësira dhe temperaturat ekstreme kanë shkaktuar rreth 1.5 miliardë euro dëme, me plantacionet e  orizit, misrit, domateve dhe perimeve ndër më të goditurat.

Edhe Gjermania ka nisur të marrë masa. Operatori hekurudhor Deutsche Bahn u ka ofruar pasagjerëve mundësinë të anulojnë pa pagesë udhëtimet e planifikuara deri më 30 qershor, duke e justifikuar vendimin me temperaturat gjithnjë e më të larta.

Temperaturat rekord janë regjistruar edhe në Britaninë e Madhe, Belgjikë, Holandë, Austri dhe Zvicër. Sipas të dhënave paraprake, disa stacione meteorologjike në këto vende kanë shënuar rekordet më të larta të qershorit, ndërsa vala e të nxehtit pritet të zhvendoset gradualisht drejt Europës Qendrore dhe Lindore në ditët në vijim.

Sipas ekspertëve, kjo valë e të nxehtit është e pazakontë jo vetëm për intensitetin, por edhe për kohën kur po ndodh. Normalisht, periudha më e nxehtë e verës në Europë është mesi ose fundi i korrikut, ndërsa këtë vit temperaturat ekstreme kanë mbërritur disa javë më herët. Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive. Nga viti 1950 deri në vitin 1999, Europa përjetoi pesë valë të forta të të nxehtit, ndërsa nga viti 2000 e deri sot janë regjistruar mbi 20 episode të tilla.

Meteorologët shpjegojnë se fenomeni po ushqehet nga një sistem i fuqishëm presioni të lartë, i njohur si "kupola e nxehtësisë", që bllokon ajrin e nxehtë mbi Europën Perëndimore. Njëkohësisht, masa shumë të nxehta ajri që vijnë nga Afrika e Veriut kanë shtuar edhe më shumë temperaturat. Lagështia e lartë e bën nxehtësinë edhe më të rrezikshme, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.

Edhe Kombet e Bashkuara kanë ngritur alarmin. Shefi i klimës në OKB, Simon Stiell, deklaroi se vala e të nxehtit në Europë mban "gjurmët e krizës klimatike" dhe paralajmëroi se pa uljen e përdorimit të qymyrit, naftës dhe gazit, episodet e tilla do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të rënda. Ai bëri thirrje për kalim më të shpejtë drejt energjisë së rinovueshme dhe forcim të masave për mbrojtjen e popullsisë nga pasojat e ndryshimeve klimatike.